Xhelal Zejneli
Është organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim atdhetar. U themelua në Prizren më 10 qershor 1878 në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës lindore të viteve ’70 të shekullit XIX. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinion shqiptar: a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar si subjekt i të drejtave kombëtare; b) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin e Berlinit* në favor të monarkive fqinje ballkanike; c) të realizonte bashkimin e trojeve etnike shqiptare në Ballkan në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë s’kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Edhe Fuqitë e Mëdha në praktikën e tyre diplomatike nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar. As tani, kur dukej qartë fitorja ruse, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e mbështeti formimin e një shteti shqiptar. Shqetësimi i shqiptarëve arriti kulmin më 3 mars 1878 kur u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit.
* * *
Kongresi i Berlinit i nisi punime më 13 qershor 1878. Morën pjesë përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë, Francës, Italisë dhe Turqisë. U thirr për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit. Dokument më i rëndësishëm i Kongresit të Berlinit ishte Traktati i Berlinit. Ky akt parashikonte një rregullim të ri territorial në Ballkan pas disfatës së Perandorisë Osmane në luftën me Rusinë në vitet 1877-1878. Në Kongresin e Berlinit çështja shqiptare nuk u diskutua, edhe pse Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe degët e saj iu drejtuan disa herë. U dërgua Memorandumi i Shkodrës, Memorandumi i Stambollit i qershorit të vitit 1878 etj. Kancelari gjerman Oto fon Bizmark (Otto von Bismarck, 1815-1898) e mohoi aty ekzistimin e kombësisë shqiptare. Në Protokollin XIII të Kongresit të Berlinit (pjesa e dytë) bëhet fjalë për “privilegjet dhe liritë” e popullsisë katolike të Mirditës “të njohura prej së lashti” (ab antiquo) (“autonomia” e Mirditës). Kjo u bë me nismën e Francës dhe të Austro-Hungarisë të cilat pretendonin secila për vete të drejtën “e protektoratit të kultit” mbi popullsitë katolike brenda kufijve të Perandorisë Osmane. “Autonomia” e Mirditës, e mbështetur në kriterin krahinor dhe fetar ishte një mohim i autonomisë shqiptare në shkallë kombëtare. Kongresi i Berlinit mori vendime që cungonin vise të banuara nga popullsi shqiptare në dobi të shteteve fqinje. Serbia merrte disa toka me popullsi shqiptare në krahinat e Vranjës, Nishit etj. deri në afërsi të Gjilanit. Mali i Zi merrte Plavën e Gucinë dhe fitonte të drejtën e lundrimit të lirë mbi Bunën dhe në liqenin e Shkodrës. Kongresi i Berlinit shtroi edhe çështjen e rishikimit të kufirit me Greqinë në jug që do të zgjidhej me bisedime dypalëshe turko-greke mbi bazën e vijës së formuar nga lumi Selemvria në Thesali dhe lumi Kalama në vilajetin e Janinës. Ky rekomandim u përdor nga qeveria greke për të ngritur kërkesa që synonin të aneksonin krahinën shqiptare të Çamërisë. Këto vendime hasën në kundërshtimin e vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila iu kundërvu copëtimit të tokave shqiptare. Kjo e zgjati Krizën lindore disa vjet, deri në vitin 1881.
* * *
Rusia fitimtare i shkëpuste Turqisë në favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi mjaft vise shqiptare. Në krye të protestave popullore që shpërthyen në mabrë viset shqiptare kundër Traktatit të Shën Stefanit u vu Komiteti i Stambollit (Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare). Krerë të tij ishin: Abdyl Dume Frashëri (Frashër, 1839 – Stamboll, 1892); Pashko Vasa (Shkodër, 1825 – Bejrut, Liban,1892); Ymer Prizreni (Zgatar, fshat i komunës së Dragashit, 1820 – Ulqin, 1887); Zija Prishtina*; Ahmet Koronica me prejardhje nga Gjakova; Iljaz Dibra* (lindi në fshatin Kllopçisht, 1812- ?; sipas Haki Stërmillit, e ka prejardhjen nga Maqellara e Dibrës.); Jani Vreto (Postenan, fshat i Korçës, 1822 – Athinë, 1900); Sami Frashëri (Frashër, 1850 – Stamboll, 1904) etj.
Këta shpalosën në faqet e shtypit evropian dhe në selitë diplomatike të Fuqive platformën e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për t’i realizuar me çdo kusht këto kërkesa. Por në Kongresin e Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha nuk i morën parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ato i bënë korrigjime Traktatit të Shën Stefanit, ia shkëputën Bullgarisë territoret e premtuara shqiptare, por nga ana tjetër, me Protokollin 13 ia premtuan Greqisë aneksimin e viseve shqiptare të Çamërisë deri në lumin Kalama.
Shënim: Më 7 maj 1879 Zija Prishtina ia paraqiti Portës së Lartë në Stamboll peticionin me kërkesat e popullsisë së Sanxhakut të Prishtinës dhe të Vilajetit të Kosovës. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit u përndoq nga administrata osmane.
Shënim: Iljaz pashë Qoku i njohur në histori si Iljaz pashë Dibra (1812- ) ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane dhe drejtues i mbledhjes të mbajtur më 18 qershor 1878 ku u firmos Kararnameja (Dekreti) i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishte kryetar i Komitetit Qendror të saj. Ebru Savner është stërmbesa e tij. Ajo ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Turqi.
* * *
Duke parë se Fuqitë e Mëdha nuk kanë qëndrim dashamirës ndaj shqiptarëve, tri ditë para se të mblidhej Kongresi i Berlinit, me nismën e Komitetit të Stambollit me delegatë të ardhur nga mbarë krahinat shqiptare, më 10 qershor 1878 u mblodh në Prizren Kuvendi Kombëtar i cili nën kryesinë e Iljaz pashë Dibrës shpalli Lidhjen Shqiptare, e njohur me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Organ më i lartë i Lidhjes Shqiptare ishte Këshilli i Përgjithshëm, me funksione legjislative. Kryetar i këtij këshilli ishte Iljaz pashë Dibra. Këshilli krijoi një komitet kombëtar të pajisur me pushtet ekzekutiv, me kryetar Ymer Prizrenin për të drejtuar veprimtarinë e përditshme të saj. Komiteti kishte tre komisione me funksione dikasteriale: për Punë të Jashtme, kryetar Abdyl Frashëri; për Punë të Brendshme, kryetar Shaban Prizreni (Plavë, Rrethlumë, 1833 – 1913); për Çështje Financiare, kryetar Sulejman Vokshi (Gjakovë, 20.02.1815 – Gjakovë, 1890).
Për të lehtësuar veprimtarinë e saj në rrethe, Komiteti Kombëtar krijoi tri hallka të mëdha administrative apo nënkomitete ndërkrahinore në tre vilajete për të përballuar rrezikun që vinte nga synimet serbe (Nënkomiteti i Prizrenit), malazeze (Nënkomiteti i Shkodrës), greke (Nënkomiteti i Janinës). Pranë nënkomiteteve u krijuan tre shtabet ushtarake ndërkrahinore të kryesuara nga Ali pashë Gucia (1828-1888), Hodo Sokoli (Shkodër, 1836 – Erzincan, Turqi, 1883), Nuri Mustafa Vlora.
Që në ditët e themelimit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte nën trysninë e Portës së Lartë. Ajo bëri çmos që Lidhja të pajisej me programin e një organizate fetare islamike, e bindur ndaj sovranit të Perandorisë Osmane dhe të merrte përsipër që të mbronte të gjitha territoret ballkanike të banuara nga myslimanë joshqiptarë. Kësaj trysnie Këshilli i Përgjithshëm i bëri ballë duke miratuar më 2 korrik 1878, në vend të Kararnamesë që ishte miratuar më 17 qershor 1878, një statut (kanun) me karakter dhe me program më të përparuar kombëtar. Kanuni i jepte të drejtë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të kishte administratë, ushtri, buxhet dhe gjykata të veçanta me karakter shqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u vesh kështu me funksione pushtetore. Me fjalë të tjera, ajo u pajis me prerogativat në embrion të një shteti shqiptar brenda shtetit osman.
Vendimet e Kongresit të Berlinit që cenonin tërësinë territoriale, shkaktuan zemërimin e popullsisë shqiptare, jo vetëm kundër Fuqive të Mëdha, por edhe kundër Portës së Lartë. e cila i kishte pranuar ato dhe kishte marrë përsipër zbatimin e tyre. Kjo revoltë u shpreh në fund të gushtit të vitit 1878 kur arriti në Prizren i dërguari i posaçëm i sulltanit, mareshali Mehmet Ali pasha (Magdeburg, 18 nëntor 1827 – Gjakovë, 7 shtator 1878) i njohur nga shqiptarët me emrin Maxhari. Ai kishte për detyrë të kryente në përputhje me vendimet e Kongresit të Berlinit, formalitetet e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë autoriteteve të Malit të Zi. Mareshali osman nuk i mori në konsideratë kërkesat e krerëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të hequr dorë nga misioni i ngarkuar. Sapo arriti në Gjakovë dhe pasi përsëri nuk pranoi të kthehej mbrapsht, më 3 shtator 1878 ai u rrethua në sarajet e Abdullah Drenit, ku kishte bujtur. Ishte rrethuar nga mijëra vullnetarë të LShP-së. Në përfundim të ultimatumit prej 24 orësh, forcat e LShP-së hapën zjarr kundër sarajeve dhe reparteve turke prej disa qindra vetash. Me disa ndërprerje, luftimet vazhduan deri më 6 shator 1878. Ato përfunduan me vrasjen e Mehmet Ali pashës, të Abdullah pashë Drenit (Gjakovë, 1820 – 6 shtator 1878) dhe të shumë shoqëruesve të tyre. .
Shënim: Abdullah pashë Dreni ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane, përfaqësues i Gjakovës në Lidhjen e Prizrenit dhe kryetar i kryetar i degës së Lidhjes në vendlindje.
* * *
Më 1 nëntor 1878 u thirr në Dibër një kuvend i ri i LShP-së. Kuvendi miratoi një rezolutë me të cilën nga Porta e Lartë kërkohej:
– bashkimi i të gjitha krahinave shqiptare në një vilajet të vetëm, të pajisur me një autonomi administrative nën sovranitetin e sulltanit;
– krijimi i një kuvendi të përgjithshëm (parlamenti), si organ legjislativ më i lartë;
– njohja e gjuhës shqipe nga nëpunësit e vilajetit;
– futja e mësimit shqip në shkollat e vendit;
– mbulimi financiar i rrjetit arsimor nga buxheti i vilajetit.
Kuvendi vendosi që rezoluta me këto kërkesa t’i paraqitej për miratim Portës së Lartë nga një delegacion prej 14 anëtarësh të zgjedhur nga 14 sanxhakët e viseve shqiptare. Por në fund të dhjetorit të vitit 1878, delegacioni i ngarkuar me këtë detyrë, i kryesuar nga Iljaz pashë Dibra dhe Abdyl Frashëri, e pezulloi nisjen për në Stamboll, ngase në këtë kohë lindi rreziku i zbatimit të Protokollit 13 të Traktatit të Berlinit që parashikonte aneksimin e Çamërisë nga Greqia.
Nënkomiteti ndërkrahinor i LShP-së për vilajetin e Janinës, në janar të vitit 1879 ndërmori në Prevezë një varg demonstratash, duke kërkuar që Greqisë t’i jepeshin gjetkë (në Thesali) vise greke dhe jo troje shqiptare të Çamërisë. Ishte koha kur aty ishte mbledhur komisioni turko-grek për të caktuar vijën e re të kufirit, domethënë tokat shqiptare që do të aneksonte Athina. Protestat dhanë rezultat. Komisioni turko-grek i ndërpreu punimet për t’i rifilluar më vonë. Pas këtij suksesi, LShP-ja i dërgoi në një mision diplomatik dy nga krerët e saj, Abdyl Frashërin dhe patriotin, politikanin, diplomatin dhe nënkryetarin e saj, Mehmet Ali pashë Vrionin (13 maj 1842 – 1895), për t’i bindur kancelaritë evropiane që të ndryshonin përmbajtjen e Protokollit 13. “Përndryshe, midis grekëve dhe shqiptarëve do të shkaktohej gjakderdhje” gjë të cilën LShP-ja nuk e dëshironte.
Delegacioni që u nis për në Evropë në fund të prillit të vitit 1879, vizitoi kryeqytetet e pesë Fuqive të Mëdha: Romën, Parisin, Londrën, Berlinin dhe Vjenën. Përveç shpjegimeve gojore, delegatët e LShP-së u dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë Fuqive të Mëdha një memorandum me të cilin kërkonin që shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave shqiptare. Në fund të misionit ata arritën t’i bindnin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në zbatimin e Protokollit 13.
Ndërkohë Fuqitë e Mëdha, në shkurt të vitit 1879, nën trysninë e Rusisë, e kishin detyruar Turqinë t’ia dorëzonte më në fund Malit të Zi, krahinat e premtuara në Traktatin e Berlinit. Porta e Lartë i tërhoqi ushtritë nga ato vise. Ushtritë malazeze hynë pa pengesa në Podgoricë, Shpuzë dhe Zhabjak, por në Plavë e Guci gjetën ushtritë e LShP-së të cilat kishin arritur para tyre dhe qenë përgatitur për qëndresë.
Me urdhër të princ Nikollës (1841-1921) ushtritë malazeze nën komandën e Mark Milanit (Marko Miljanov Popović 1833-1901), më 4 dhjetor 1879 ndërmorën një sulm të furishëm në drejtim të Plavës. Ushtritë e LShP-së të komanduara nga Ali pashë Gucia u përgjigjën me luftë. Repartet e saj të udhëhequra nga udhëheqësi ushtarak nga Plava dhe anëtar i LShP-së, Jakup Ferri (1832-1880) e përballuan me sukses sulmin dhe u shkaktuan malazezëve në Nokshiq një disfatë të rëndë e cila i detyroi të tërhiqeshin. Në histori njihen si Beteja e Nokshiqit dhe Beteja e Pepajt. Më 7 janar 1880 rreth 12 mijë ushtarë malazezë, të rreshtuar në vijën kufitare Pepaj-Nokshiq-Ërzhanicë prisnin urdhrin e sulmit nga princ Nikolla. Por këtë radhë nismën e morën vetë forcat shqiptare. Luftëtarët e LShp-së u hodhën në sulm të përgjithshëm kundër tyre. Në Betejën e Nokshiqit dhe të Pepajt e cila u zhvillua më 8 janar 1880, forcat malazeze pësuan disfatë të thellë. Më 12 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll vendosën që në vend të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi t’i jepeshin viset e Hotit dhe të Grudës, duke i lënë Portës së Lartë dhjetë ditë kohë për ta kryer dorëzimin e tyre.
Duke qenë se viset e Hotit dhe të Grudës bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barrën për ta kundërshtuar shkëputjen e tyre e mori përsipër Komisioni Ndërkrahinor i LShP-së për këtë vilajet. Më 17 prill 1880, pas një mitingu proteste që u mbajt në Shkodër, kryetari i Shtabit Ushtarak të LShP-së për këtë vilajet, Hodo beg Sokoli u nis nga Shkodra në krye të vullnetarëve shqiptarë dhe u vendos në Tuz, pranë vijës kufitare. Edhe këtë radhë sulltani, për të mos e acaruar zemërimin e shqiptarëve nuk mori asnjë masë kundër tyre. Në afatin e caktuar, më 22 prill 1880, ai e tërhoqi ushtrinë nga vija kufitare. Forcat e Lidhjes që ndodheshin në Tuz i zunë menjëherë pozicionet e tyre. Kur ushtritë malazeze erdhën pasdite për të marrë në dorëzim Hotin dhe Grudën, u ndeshën me repartet e Lidhjes Shqiptare që kishin zënë prita te Ura e Ërzhanicës, ku u zhvillua një përpjekje e shkurtër. Në Betejën e Ërzhanicës u pa vendosmëria e shqiptarëve. Kjo vendosmëri i detyroi forcat malazeze të tërhiqeshin. Princ Nikolla përsëri i vari shpresat te Fuqitë e Mëdha. Pasi u pa se shqiptarët nuk do të lëshonin pa luftë as Hotin me Grudën dhe pas bisedimeve që zhvilluan midis tyre gjatë qershorit, Fuqitë e Mëdha vendosën ta detyronin Turqinë që në vend të tyre t’i jepte Malit të Zi qytetin bregdetar të Ulqinit bashkë me rrethin, të banuara edhe këto me popullsi krejtësisht shqiptare.
Disa ditë më vonë, Këshilli i Lidhjes së Prizrenit vendosi ta kundërshtonte me armë edhe dorëzimin e Ulqinit. Barrën e mbrojtjes e mori përsipër Komisioni Ndërkrahinor i LShP-së për vilajetin e Shkodrës. Me vendimin e Lidhjes brenda pak ditëve u mobilizua përsëri ushtria vullnetare shqiptare. Në këto kushte te qarqet patriotike u forcua më tej bindja se e vetmja rrugë për të larguar rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare ishte formimi i një vilajeti shqiptar autonom, me integritet territorial të njohur nga Porta e Lartë. Për ta trajtuar këtë çështje, më 24 korrik 1880 u mblodh Kuvendi i Gjirokastrës i cili vendosi që t’i parashtrohej Portës së Lartë kërkesa e formimit të një Shqipërie autonome me pëlqimin e sulltanit. Po qe se sulltani nuk do të pranonte, atëherë autonomia të realizohej pa pëlqimin e tij, pra me kryengritje të armatosur.
Ndërkohë, çështja e Ulqinit erdhi duke u ndërlikuar. E zënë ngushtë, Porta e Lartë bëri përpjekje të mëdha për t’i bindur shqiptarët që të hiqnin dorë nga qëndresa, por nuk ia doli. Në shtator 1880, sapo ushtria turke u largua nga Ulqini, forcat e vullnetarëve shqiptarë e shtinë në dorë qytetin dhe deklaruan se do ta mbronin atë me çdo kusht. Disa ditë më vonë apo më saktë më 20 shtator 1880 mbërriti në afërsi të Ulqinit një flotë ndërkombëtare prej 17 luftanijesh. Komandanti i flotës u dha ultimatum vullnetarëve shqiptarë ta dorëzonin qytetin brenda tri ditëve, por mbrojtësit nuk u lëkundën.
Pasi nuk ia doli ta bindte, Porta e Lartë mori masa energjike për ta thyer Lidhjen e Prizrenit dhe qëndresën e Ulqinit. Ndërkohë, kur zemërimi i shqiptarëve arriti kulmin, krahu radikal i Lidhjes mendoi se ishte koha e përshtatshme për ta vënë në jetë programin autonomist. Për këtë qëllim, më 20 tetor 1880 u mblodh në Dibër Kuvendi i Përgjithshëm i LShP-së në të cilin morën pjesë rreth 300 delegatë nga të dyja rrymat e lëvizjes autonomiste.
Patriotët e krahut radikal të kryesuar nga Abdyl Frashëri parashtruan në Kuvend programin e tyre të përmbledhur në tri pika:
– të mbrohej me çdo kusht Ulqini, duke luftuar edhe kundër ushtrive osmane;
– të miratohej një rezolutë ku t’i kërkohej sulltanit në mënyrë të prerë autonomia e Shqipërisë;
– në rast se sulltani refuzonte, të kalohej menjëherë në aksion duke formuar qeverinë e përkohshme shqiptare.
Por delegatët e rrymës së moderuar e kundërshtuan në parim këtë platformë. Ata e kundërshtuan qëndresën e armatosur për mbrojtjen e Ulqinit për arsye se kjo do t’i çonte në konflikt dhe në luftë kundër ushtrive osmane. Ata qenë gjithashtu kundër formimit të qeverisë së përkohshme të cilën e cilësuan si një akt rebelimi ndaj Portës. Sa i përket çështjes themelore, në parim ata qenë për krijimin e një vilajeti autonom shqiptar, por këtë donin ta realizonin jo me luftë, por me pëlqimin e sulltanit.
Si pasojë e këtyre divergjencave, nga Kuvendi dolën dy rezoluta:
– Rezoluta e krahut radikal fitoi rreth 130 vota, kurse
– Rezoluta e pjesës së moderuar – 150 vota.
Të dyja rezolutat u dërguan në Stamboll me delegacione të veçanta. Porta e Lartë e zvarriti përgjigjen. Stambolli nuk pranoi të merrte në konsideratë asnjërën rezolutë. Me fjalë të tjera, në parim ishte kundër krijimit të një vilajeti të çfarëdoshëm shqiptar. Për më tepër, nën trysninë e flotës ndërkombëtare, Porta e Lartë vendosi të përdorte ushtrinë kundër LShP-së për t’ia dorëzuar Ulqinin Malit të Zi.
Në nëntor 1880, pasi arritën përforcime të reja, mareshali turk Dervish pasha, në krye të 20 batalioneve filloi nga Shkodra marshimin kundër Ulqinit që mbrohej nga 3 mijë vullnetarë shqiptar. Në saje të epërsisë ushtarake, Dervish pasha më në fund e theu qëndresën e shqiptarëve. Më 26 nëntor 1880 ia dorëzoi Ulqinin malazezëve, në prani të flotës së Fuqive evropiane.
* * *
Shënim: Lufta e Ulqinit u zhvillua më 22 nëntor 1880 – 23 nëntor 1880. Palë ndërluftuese ishin: Lidhja e Prizrenit, në një anë dhe Perandoria Osmane, në anën tjetër. Lufta u zhvillua në Kodrën e Kuqe, pranë Klleznës afër Ulqinit. Perandoria Osmane mbështetej prej Fuqive të Mëdha dhe prej Malit të Zi. Ushtria osmane komandohej prej Dervish pashës, kurse luftëtarët shqiptarë të LShP-së udhëhiqeshin prej Isuf Sokolit ose Jusuf Sokolit (1820-1880), Mehmet Becit (Ulqin, 1830 – Shkodër, 1907) dhe Mehmet Gjylit. Në saje të epërsisë ushtarake, luftën e fituan forcat osmane. Forcat osmane patën 300 ushtarë të vrarë, kurse forcat e LShP-së – 400 luftëtarë të vrarë. Porta e Lartë ia dorëzoi Ulqinin Principatës së Malit të Zi. Isuf Sokoli vdiq si pasojë e plagëve të marra.
. * * *
Pakënaqësia që shkaktoi Porta e Lartë me dorëzimin e Ulqinit, krijoi kushte të favorshme për LShP-në për ta realizuar vetë ajo autonominë e Shqipërisë, pa e pritur pëlqimin e sulltanit. Që në dhjetor të vitit 1880 veprimtarët radikalë të LShP-së shtinë në dorë pushtetin në mjaft krahina të Kosovës, duke përmbysur administratën perandorake. Në valën e këtyre veprimeve u krye një riorganizim i ri i LShP-së, duke lënë jashtë saj elementët që nuk u pajtuan me këtë kthesë. Në mes të janarit të vitit 1881, në Prizren, Komiteti Kombëtar i LShP-së e shpalli veten “Qeveri e përkohshme” e Shqipërisë, me kryetar Haxhi Ymer Prizrenin i cili ishte edhe kryetar i Lidhjes shqiptare.
Anëtarë të Qeverisë së përkohshme, midis të tjerëve ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu (1816-1887) etj. Shuaip Spahiu i takonte krahut më revolucionar të LShP-së. Në vitin 1880 u zgjodh nënkryetar i Qeverisë së përkohshme dhe kryetar i Degës së Lidhjes për Prizrenin.
Brenda pak javëve Qeveria e përkohshme e shtriu veprimtarinë e vet në pjesën më të madhe të vilajetit të Kosovës, përfshi edhe qytetin e Shkupit. Filloi kështu realizimi i autonomisë së Shqipërisë, e cila në rast se nuk pranohej nga Porta e Lartë, mund të kalonte në shpalljen e pavarësisë së saj. Por me gjithë këto suksese, Qeveria e LShP-së nuk i zboi garnizonet e ushtrisë osmane, por i la aty ku ishin brenda kazermave të tyre. Porta e Lartë nuk ndërhyri menjëherë për ta shuar lëvizjen autonomiste, pasi ato javë qeveria greke rifilloi trysninë për shkëputjen nga Perandoria Osmane të viseve të premtuara nga Kongresi i Berlinit.
Me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të dy palët, Stambolli dhe Athina, pas disa javë ngurrimesh, pranuan që në vend të Çamërisë shqiptare, Greqia të aneksonte Thesalinë greke. Sapo u nënshkrua marrëveshja, Porta e Lartë më 25 mars 1881 nisi në drejtim të Shqipërisë një ekspeditë ushtarake të fortë prej 40 batalionesh (20 mijë ushtarë), nën komandën e mareshalit Dervish pasha, për ta shtypur lëvizjen autonomiste shqiptare. Pasi e shtiu në dorë Shkupin me tradhti, ai hyri në Kosovë. Qeveria LShP-së u përgatit për mbrojtje. Por në kur ajo do të ndeshej me ushtrinë osmane, prapa krahëve filluan goditjet e garnizoneve turke të Kosovës kundër saj. Si rrjedhojë, Qeveria e Lidhjes nuk qe në gjendje ta ndalte marshimin e Dervish pashës. Ushtritë e Lidhjes të udhëhequra nga Sulejman Vokshi, me gjithë qëndresën heroike, më 20 prill 1881 u thyen në Slivovë. Është e njohur në histori Beteja e Shtimes dhe e Slivovës 1881. Edhe qëndresa që organizoi Sulejman Vokshi të nesërmen në Shtime – u thye.
Kështu ushtritë osmane e patën të lehtë t’i asgjësojnë pritat e mëtejshme dhe më 24 prill 1881 hynë në Prizren. Qëndresa vazhdoi më tej në malësinë e Gjakovës për disa javë. E paorganizuar, në maj të vitit 1881, ajo u shtyp. Bashkë me të u asgjësua edhe qeveria e përkohshme.
Në vilajetin e Kosovës u vendos administrata ushtarake osmane, e cila menjëherë ndërmori një fushatë persekutimesh kundër veprimtarëve të LShP-së. Mijëra vetë u burgosën ose u internuan. Udhëheqësit e Lidhjes që nuk pranuan të kërkonin ndjesë për pikëpamjet e tyre autonomiste pësuan dënime të rënda. Haxhi Ymer Prizreni shpëtoi ngaqë mërgoi në Mal të Zi. Sulejman Vokshi nuk u arrestua pasi u fsheh për disa vite (deri në vitin 1885) në Malësinë e Gjakovës. Shuaip Spahiu vdiq si pasojë e plagosjes në luftë kundër forcave osmane. Shumë të tjerë u ekzekutuan pa gjyq. Abdyl Frashëri i cili u arrestua me tradhti, u dënua me burgim të përjetshëm.
LShP-ja zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ajo është organizata e parë patriotike që mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar. Lidhja është e para organizatë që tuboi në gjirin e vet të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësinë fetare, krahinore dhe shoqërore. Është e para organizatë që e kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe me veprimtarinë kulturore. Është e para organizatë atdhetare që shkriu në një llogore të vetme qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinje për të mbrojtur tërësinë tokësore të mëmëdheut dhe për të sendërtuar autonominë e Shqipërisë.
Si e tillë, ajo ushtroi ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm.
Burimi: Frashëri, Kristo; Lidhja Shqiptare e Prizrenit: (1878-1881), Tiranë 1989.
@tetovanews
@tn.lajmelokale