Vijojnë hetimet për sulmin në një shkollë në Austri që i mori jetën 10 personave, mes tyre edhe një 15-vjeçare nga Kosova.
Autoritetet e sigurisë janë duke kontrolluar shtëpinë dhe veprimtarinë e sulmuesit në internet, për të gjetur ndonjë të dhënë që mund të japë përgjigje përse ai kreu aktin e rëndë në qytetin Graz, para se të vetëvritej në tualetin e shkollës.
Disa media vendase kanë raportuar se i riu dyshohet se ndihej i bullizuar, megjithatë policia nuk e ka konfirmuar ende këtë informacion. Autoritetet austriake thanw po ashtu se ai nuk i kishte përfunduar kurrë studimet në atë shkollë.
Agresori kishte lënë një letër lamtumire e cila, sipas policisë, nuk zbulon motivin e sulmit. Po ashtu një bombë artizanale jo funksionale u gjet në banesën e tij.
Ndërkohë policia ka deklaruar se viktimat u gjetën brenda dhe jashtë shkollës në kate të ndryshme, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën dhe ndodhen në gjendje të rëndë.
Austria shpalli tre ditë zie kombëtare të martën pas sulmit. Sakaq qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e të martës në sheshin kryesor të Grazit, për te nderuar viktimat.
Të tjerë vendosën lule dhe ndezën qirinj pranë shkollës. Dhjetëra njerëz u rreshtuan për të dhuruar gjak për të mbijetuarit./vizionplus.tv
@tetovanews
@tn.lajmelokale