Albert Ajnshtajni u shpreh dikur se “është më e lehtë të thyesh atomin sesa paragjykimet e njerëzve”. Duhet të shpresojmë që ai të ketë gabuar pasi nëse mposhtja e paragjykimeve njerëzore është një betejë sizifiane, për fat të keq thyerja e atomit është e mundur. Dhe rezultati i kësaj të fundit është radioaktiviteti. Kjo çështje është rikthyer pas bombardimeve amerikane, të afta të depërtojnë thellë në bunkerët iranianë ku pasurohet uraniumi.
Irani ka 3 vende bërthamore: në Natanz (i goditur që nga orët e para), vendi i Kolan Gaz (i treti i ndërtuar në rend kronologjik), por mbi të gjitha Fordow, i ashtuquajturi mal atomik. Bombat GBU-57 u përdorën sigurisht në Fordow, në jugperëndim të Teheranit. Natanz ka ose kishte para bombardimeve 10 mijë centrifuga, sipas vlerësimeve. Në Fordow besohet se ndodhen ato më të fuqishmet, të afta të pasurojnë uraniumin deri në 60% (për pajisjet vlerësohet se duhet të arrijë 90%).
A pati reaksione bërthamore? IAEA ka raportuar se sulmet e fundit, të paktën ato në kompleksin e Isfahanit kanë goditur 6 ndërtesa përveç 4 të dëmtuara më parë, por këto përmbanin pak ose aspak material bërthamor. “Strukturat e goditura sot nuk përmbanin material bërthamor ose sasi të vogla të uraniumit natyror ose të pasuruar dobët, që do të thotë se çdo ndotje radioaktive është e kufizuar në ndërtesat që u dëmtuan ose u shkatërruan” – u tha në deklaratë.
Imazhet satelitore nga Maxar Technologies treguan gjithashtu lëvizje rreth vendit midis 19 dhe 20 qershorit me kamionë. Është e mundur që ato ditë të jetë hequr një pjesë e materialit bërthamor. Megjithatë është shumë e pamundur që njerëzit e regjimit të Khameneit të kenë lëvizur uraniumin e pasuruar me kamionë të thjeshtë. Ai nuk është një material që mund të futet në një kuti ose në një qese.
Agjencia iraniane Mehr pretendoi se uraniumi i pasuruar ishte siguruar që më parë në pritje të ndonjë sulmi. Megjithatë është e vështirë në “mjegullën e luftës” të ndash propagandën, kundër-informacionin nga realiteti. Nëse do të ishte bërë, atëherë shërbimet sekrete iraniane kanë marrë pikë duke e lëvizur atë para fillimit të bombardimeve, duke pasur parasysh kompleksitetin e operacionit.
Është e rëndësishme të theksohet se për momentin nuk ka asnjë provë se Irani kishte të gjitha pjesët komplekse për ndërtimin dhe përdorimin e pajisjeve atomike ushtarake. Perëndimi duhet të shmangë gabimin e përsëritjes së asaj që ndodhi me armët fantazmë të shkatërrimit në masë në Irak pas 11 shtatorit 2001. Izraeli dhe SHBA-të po bërtasin për fitoren për “shkatërrimin” e programit bërthamor ushtarak iranian. Por duhet të presim për prova nëse ekziston një program bërthamor ushtarak iranian. /Përgatiti LAPSI.al
@tetovanews
@tn.lajmelokale