Ballina Top Lajm Zbulohen bisedimet sekrete SHBA-Iran: 30 miliard dollarë, lehtësimi i sanksioneve dhe një...

Zbulohen bisedimet sekrete SHBA-Iran: 30 miliard dollarë, lehtësimi i sanksioneve dhe një program i ri bërthamor në tryezë

Administrata Trump ka diskutuar mundësinë e ndihmës ndaj Iranit për të pasur akses në deri 30 miliardë dollarë për të ndërtuar një program bërthamor që prodhon energji për qëllime civile, heqjen e disa sanksioneve që e kanë penguar atë dhe “lirimin” e fondeve të ngrira iraniane, të gjitha si pjesë e një përpjekjeje në rritje për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave, raportoi sot CNN.

Sipas katër burimeve të njohura me çështjen, zyrtarë “kyç” të SHBA-së dhe Lindjes së Mesme kanë zhvilluar bisedime “sekrete” me zyrtarë iranianë, si gjatë javëve të fundit kur Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme, ashtu edhe në ditët që nga marrëveshja e armëpushimit.

Zyrtarët e administratës Trump thonë se janë vënë në tryezë disa propozime.

Këto janë ide paraprake dhe në zhvillim e sipër, por një kusht mbetet i panegociueshëm: pasurimi zero i uraniumit nga Irani, për të cilin Teherani këmbëngul se është i nevojshëm.

Pavarësisht këmbënguljes së SHBA-së për këtë kusht, drafti paraprak i propozimeve i përshkruar nga CNN, përfshin propozime mjaft joshëse për Iranin.

Disa detaje u vendosën në një takim të fshehtë dhe të gjatë midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff , dhe partnerëve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, një ditë para sulmeve ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit.

Ndër kushtet që po diskutohen, dhe që zbulohen për herë të parë, është një investim prej 20 deri në 30 miliardë dollarë në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim, që do të përdoret për përdorim civil të energjisë, sipas burimeve të rrjetit.

Një zyrtar i administratës Trump i tha CNN se në një skenar të tillë, paratë nuk do të vinin direkt nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të preferonin që kostot të mbuloheshin nga aleatët e tyre arabë.

Investimi në infrastrukturën e energjisë bërthamore të Iranit është diskutuar në raundet e mëparshme të negociatave në muajt e fundit. “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime” me Iranin, tha zyrtari për CNN.

“Dikush duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do të jemi të angazhuar financiarisht”.

Propozime të tjera përfshijnë heqjen e disa sanksioneve kundër Iranit, por edhe heqjen e kufizimeve mbi 6 miliardë dollarë fonde të ngrira të mbajtura në llogari bankare të huaja që Teherani nuk mund t’i përdorë.

Një ide tjetër e diskutuar javën e kaluar dhe aktualisht në shqyrtim është që aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik të financojnë një zëvendësim për objektin bërthamor Fordow, i cili u godit nga bombat amerikane fundjavën e kaluar, si pjesë e programit të ri të mos-pasurimit.

Nuk është e qartë nëse Irani mund ta përdorë të njëjtin objekt, as nëse propozimi po shqyrtohet seriozisht.

“Shumë ide po hidhen nga njerëz të ndryshëm, dhe shumë po përpiqen të tregojnë se janë krijues”, tha për CNN një nga burimet me njohuri për diskutimet.

“Mendoj se është plotësisht e pasigurt se çfarë do të ndodhë këtu”, tha një burim tjetër i njohur me pesë raundet e para të bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat i paraprinë sulmeve izraelite dhe amerikane në objektet bërthamore iraniane.

Witkoff i tha CNBC të mërkurën se SHBA-të po kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, ndërsa një zyrtar i administratës Trump theksoi se të gjitha propozimet synojnë të parandalojnë Iranin nga pajisja me një armë bërthamore.

SHBA-të kanë thënë se Irani mund të ketë një program bërthamor paqësor, por nuk mund të pasurojë uranium për atë program.

Në vend të kësaj, SHBA-të po propozojnë që vendi të importojë uranium të pasuruar. Witkoff e krahasoi këtë version të një programi bërthamor me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Çështja tani dhe biseda me Iranin është: Si ta rindërtojmë një program bërthamor më të mirë, jo-ushtarak për ju, që nuk përfshin pasurim?” tha ai për CNBC.

Administrata amerikane së shpejti mund të ketë një shans për t’i paraqitur zyrtarisht kushtet Iranit.

Donald Trump tha të mërkurën se SHBA-të dhe Irani do të ulen në tryezë javën e ardhshme, megjithëse zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se nuk kishte dijeni për bisedime të tilla, dhe njerëzit e përfshirë në planifikim thanë se detajet ishin ende duke u përpunuar.

Burime të njohura me bisedimet i thanë CNN se nuk është caktuar asnjë datë.

Pavarësisht përpjekjes së fshehtë diplomatike të Witkoff, Trump këtë javë minimizoi publikisht nevojën për një marrëveshje bërthamore, duke thënë se nuk e konsideronte atë “të nevojshme”.

“Nuk më intereson nëse ka një marrëveshje apo jo”, tha presidenti i SHBA-së./vizionplus.tv