Ballina Kronika Vdekja e 27 vjeçarit në Lipjan pas arrestimit nga Policia: Çka dihet...

Vdekja e 27 vjeçarit në Lipjan pas arrestimit nga Policia: Çka dihet deri tani?

Një person i moshës 27-vjeçare ka vdekur në rrethana të dyshimta të dielën mbrëma në qytetin e Lipjanit. Ai ka vdekur pak çaste pas arrestimit nga Policia e Kosovë. Lidhur me rastin është deklaruar Policia e Kosovës, të cilët kanë dhënë detaje për këtë rast.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjetet dhe kalimtarët.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka dhënë detaje më shumë.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes” – ka thënë ai.

Në anën tjerër, janë publikuar edhe pamje gjatë arrestimit të tij i cili po komentohet për shkak të sjelljeve të policëve.

Ndërkaq, deri më tani Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka treguar nëse kanë filluar hetimet ndaj policëve.

Për këtë rast ka reaguar edhe vëllai i Agonit, Albani.

Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot papritmas ka ndërruar jetë në moshën 27 vjeçare, i dashuri ynë, vëllau , biri ynë: AGON BASHKIM ZEJNULLAHU Për ceremoninë e varrimit do të ju njoftojmë me kohë

Gjithashtu, ngushëllime për rastin ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.E nderuar familje Zejnullahu: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin.” – thuhet në reagim.

Zbardhen emrat – këta janë 5 policët e suspenduar për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan

Gazeta Sinjali ka siguruar emrat e pesë zyrtarëve policorë që janë suspenduar përkohësisht në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në Lipjan, ku një 27-vjeçar u raportua si viktimë në rrethana të dyshimta.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të suspenduarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipja, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.

Vendimi për suspendim është marrë pas vlerësimit të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët në menaxhimin e rastit, i cili po trajtohet tashmë nga njësitë kompetente dhe Prokuroria.

Sinjali po e ndjek rastin në vazhdimësi dhe do të sjellë detaje të reja sapo të konfirmohen.