Pas dy orësh shqyrtimi gjyqësor, Gjykata e Trevisos në Itali ka shpallur dënimin maksimal për Bujar Fandajn, 40-vjeçarin me origjinë nga Kosova, i cili rrëfeu se kishte vrarë Vanesa Ballan, 26-vjeçare, nëna e një fëmije dhe shtatzënë në kohën e krimit.
Ngjarja tragjike ndodhi më 19 dhjetor 2023, në Riese Pio X, një komunë në provincën e Trevisos.
Fandaj kishte hyrë në banesën e viktimës duke hapur me forcë një dritare dhe e kishte goditur atë tetë herë me thikë. Vanesa u gjet e pajetë nga partneri i saj, i cili ishte edhe babai i fëmijës që ajo priste.
Salla e gjyqit u mbush me emocione të forta gjatë shpalljes së aktgjykimit. Prindërit e Vanesës shpërthyen në lot kur u lexua vendimi.
“Drejtësia është bërë, por ju jeni të mallkuar për jetë”, thanë ata në një shpërthim dhimbjeje dhe zemërimi.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin më të rëndë të mundshëm për Fandajn, i cili në seancën e fundit ishte i pranishëm dhe i përfaqësuar nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli. Ai u kthye menjëherë në burg pas shpalljes së vendimit.
Hetimet e autoriteteve italiane treguan se Fandaj dhe Ballan kishin pasur një lidhje romantike e cila ishte ndërprerë në verën e vitit 2023, me vendim të viktimës.
Sipas prokurorisë, ai nuk e kishte pranuar ndarjen dhe besohet se ka kryer krimin për hakmarrje.
Pas aktit të vrasjes, Fandaj kishte tentuar të arratisej nga Italia, por u kap nga karabinierët disa orë më vonë në banesën e tij.
Fillimisht ai pranoi krimin, megjithëse më vonë u përpoq të mohonte paramendimin.
Rasti tronditi opinionin publik në Itali dhe përtej, duke nxitur edhe debate për dhunën ndaj grave dhe mungesën e mbrojtjes ndaj viktimave të lidhjeve të dhunshme të mëparshme.
@tetovanews
@tn.lajmelokale