Nga, Abdulla Mehmeti
Kombi shqiptar po kalon në një periudhë të re të historisë së tij, meqë priten transformime të reja gjeopolitike dhe gjeostrategjike në tërë rajonin e Gadishullit Ilirik dhe jo vetëm.
Kjo situatë e re kërkon edhe vëmendje të veçantë nga të gjithë ne, sidomos nga faktorët politikë dhe shoqërorë, si në vend edhe në botën e jashtme ku jetojnë shqiptarët.
Kjo situatë i ka vënë në alarm disa shërbime sekrete të huaja, sidomos ato sllave dhe greke, të cilat janë të vetëdijshme se nuk mund ta ndalin këtë proces, prandaj mundohen të krijojnë turbullira dhe kaos në botën shqiptare, me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha format që mund t’u shkojnë për dore.
Kanë filluar të goditen në mënyrë të organizuar, institucione, struktura politike, biznese, besime fetare, institucione arsimore, shkencore dhe kulturore, figura historike dhe gjithçka që është me vlerë kombëtare. Kjo po ndodh në kohën kur duhet të goditet korrupsioni dhe krimi, tradhtia dhe të gjitha llojet e mercenarizmit në shërbim të armiqve të kombit shqiptar.
Personat e infiltruar gjithandej në organizata, parti, shoqata, institucione arsimore, shkencore, kulturore dhe fetare, dhe sidomos në media, të cilët deri dje u kanë shërbyer heshtazi këtyre shërbimeve të huaja, në rolin e informatorëve, tani janë të detyruar të ngrenë krye, të krijojnë turbullira dhe kaos mes shqiptarëve, të shpifin dhe përçajnë, të sabotojnë, të denigrojnë gjithçka që me mund dhe sakrifica e kanë krijuar shqiptarët ndër vite, dekada dhe shekuj.
Sinjalet e para vinë nga disa ish agjentë të fshehur të këtyre shërbimeve, nga pjesëtarë të organizatave të denoncuara ndërkombëtarisht për terrorizëm, pjesëtarë dhe dezertorë të organizatave ilegale marksiste-leniniste, si në vend edhe në botën e jashtme, të cilëve, siç duket tani, u ka mbetur vetëm një shteg, në emër kinse të ,,patriotizmit” dhe interesit „shtetëror“ e „kombëtar“ të godasin gjithçka që është me interes të pastër shqiptar, orientim demokratik, perëndimor dhe proamerikan.
Kjo luftë speciale tanimë ka filluar dhe po intensifikohet përditë e më tepër, e cila do të jetë e ashpër dhe e mundimshme, por, ne shqiptarët kemi vetëm një rrugë dhe një zgjidhje: ta fitojnë me çdo kusht këtë betejë kundër ndikimeve të huaja, në mbrojtje të qenies sonë, gjithandej në trojet shqiptare dhe ndër shqiptarët në botën e jashtme.
T’i parandalojmë me kohë këta renegatë, duke i denoncuar hapur dhe goditur pamëshirë me të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore e demokratike që kemi në dispozicion! T’i heqim nga trupi ynë këta morra që përhapin epidemi dhe frymë barbare mesjetare!