Tumori mund “të fiket” ose “të ndizet” njësoj si një kompjuter, kjo falë bllokuesve të rinj molekularë, të cilët, duke vepruar mbi shumë shënjestra njëkohësisht, modifikojnë “kartën e identitetit” të shkruar mbi ADN-në e qelizave tumorale duke i bërë të kthehen në normale apo duke i shtyrë drejt vetëvrasjes, sipas testeve të para laboratorike të publikuar në revistën “Nature Communications” nga Universiteti i Pavias dhe “La Sapienza” në Romë, në bashkëpunim me Universitetin “Johns Hopkins” dhe atë Bostonit në SHBA.
“Prej më shumë se 10 viteve studime të mbështetura nga Shoqata Italiane për Kërkimin mbi Kancerin (AIRC), kemi arritur të ideojmë këto molekula të vogla që kanë aftësinë të godasin në mënyrë selektive dy shënjestra të veçanta, por të lidhura në funksione dhe afër në hapësirë”, thotë Andrea Mattevi, profesor i biologjisë molekulare në Universitetin e Pavias, citon ATSH.
“Kjo ishte një provë e bukur e krijimtarisë kimike. Mjafton të mendosh që filluam nga një molekulë që përdorej kundër depresionit dhe Parkinsonit”, thekson ai.
“Këto modifikime kimike, që quhen epigjenetike, kanë të përcaktuar identitetin e qelizës. Qeliza tumorale është një qelizë ‘e çmendur’ dhe ne shfrytëzojmë krizën e saj të identitetit për ta goditur. Ose e ripërtërijmë duke e kthyer siç ishte në origjinë, ose e shtyjmë drejt vetëvrasjes”, shpjegon Mattevi.
“Është ende herët për të folur për aplikime tek njeriu. Deri tani kemi marrë një provë në parim. Molekulat janë selektive, nuk godasin qelizat e shëndetshme dhe mund të përdoren në doza relativisht të ulëta. Shpresojmë që shumë shpejt mund të bëhen barna të vërteta”, thekson profesori i biologjisë.