Nga Milena Gabanelli, Corriere.it.
Në fillim të viteve 2000 figura e manaxherit të mediave sociale, specialistit të manaxhimit të faqeve Facebook apo Instagram nuk figuronte nëpër CV. Ai që 10 vite më parë ka investuar në një kurs forimimi dhe ka eksperimentuar me rrjetet sociale, sot mund të konsiderohet një profesionist i mirëfilltë. Një e dhënë e cila duhet të na bëjë të arsyetojmë është ajo e studimit të “World Ecvonomic Forum”: 65 % e fëmijëve që sot shkojnë në shkolla, pasi të diplomohen do të bëjnë punë që sot nuk ekzistojnë akoma por që vetëm mund t’i imagjinojmë.
Tregu i punës është në një proces transformimi të shpejtë. Sipas forumit të DAVOS-it, brenda vitit 2020 parashikohet humbja e 7.1 milion vendeve të punës, pjesa më e madhe e tyre në role administrative. Njëkohësisht do të ketë edhe një rritje me 2 milion vende pune në profesionet e sektorit të teknologjisë, matematikës dhe inxhinierisë. Mes vendeve të humbura dhe atyre të fituara, mbetet një boshllëk prej 5.1 milion vende pune.
Në vende si Italia, mes arsyeve të papunësisë rinore qëndron një linjë e gjatë e krizës ekonomike dhe mungesës së një sistemi meritokracie. Një pjesë e përgjegjësisë duhet kërkuar te ministrat e edukimit të viteve ’80 që nuk janë impenjuar për të kuptuar se cilat perspektiva do të duhej të kishin studentët sot në botë, për të investuar në formimin e tyre. Në leximin global të evolucionit të mundshëm të tregut të punës, sa më i lartë të jetë niveli i edukimit dhe i specializimit në një sektor, aq më e lartë është mundësia e punësimit. Atëhere, çfarë po bëjmë sot për të përgatitur brezat e ardhshëm për botën e nesërme?
Profesionet e së ardhmes
Tre procese të pandalshme do të ndikojmë më shumë se të tjerët: teknologjia dhe interneti, plakja e popullsisë e ngrohja globale. Tregtia do të vijojë të spostohet derisa të kthehet në një “e-commerce” (tregti elektronike) dhe do të ketë gjithnjë e më pak dyqane pranë banesave e më shumë dyqane on-line. Si rrjedhojë, gjithnjë e më shumë kompanitë do të investojnë në reklama dhe në menaxhimin e markës on-line, nga imazhi te shitjet. Manaxherët e tregtisë elektronike, manaxherët SEO (Search Engine Optimization, disiplinë marketingu) janë sot profesione reale.
Të dhënat
Jetojmë në një shoqëri të informatizuar, nga telefonët celularë të kompjuterët e zyrave publike: çdo minutë krijohen e ruhen miliona të dhëna. Dhe shpesh bëhet fjalë për të dhëna sensitive. Ndaj është e nevojshme të formojmë persona që janë të aftë të administrojnë të gjithë këtë informacion.
Kodimi dhe programimi
Që në fëmijërinë e hershmem, fëmijët do të mësohen të përdorin tableta e ekrane me prekje por sfida e vërtetë është t’i bëjmë të rriturit e së nesërmes të vetëdijshëme për instrumentet që kanë në dorë dhe për mënyrën sesi t’i vënë në përdorim (nënshtrim). Ndaj është e rëndësishme që të mësojmë në shkollat fillore elementet e zhvillimit të teknologjisë përmes gjuhës së programimit (kodimit). Të dish të programosh nënkupton të jesh në gjendje të urdhërosh një makinë për të kryer një detyrë të caktuar
Plakja e popullsisë
Në Itali, 22,3% e popullsisë është mbi 65 vjeç, një përqindje që në vitet e ardhshme do të shtohet edhe më tej. Përcaktimi i disa politikave serioze për të mbështetur të moshuarit e për familjet që kujdesen për ta, është një prioritet. Nga pikëpamja e punësimit, hap një skenar në të cilin do të nevojiten gjithnjë e më shumë persona të gatshëm për t’u kujdesuar për të moshuarit, si për kurimin ashtu edhe për aktivitetet e përditshme.
E ardhmja e planetit
Ngrohja globale në detyron për një ekonomi me emetime të ulëta. Transformimi në një ekonomi pro ambientit, do të gjenerojë vende të reja pune shtesë në çdo sektor të ekonomisë. Punët e gjelbra (green jobs) janë ato që impenjohen për të minimizuar çdo formë shpërdorimi e ndotje, për të reduktuar impaktin ambiental të sipërmarrjeve, duke përmirësuar eficencën energjetike dhe një përdorim më eficient të lëndëve të para si uji./scan.tv