Ballina Shëndeti Studiuesit identifikojnë pesë lloje kryesore të diabetit

Studiuesit identifikojnë pesë lloje kryesore të diabetit

Studiuesit në Suedi dhe në Finlandë thonë se diferencimi më specifik midis llojeve të sëmundjes mund të mundësojë trajtim më të personalizuar dhe më efektiv.

Hulumtuesit në Suedi dhe Finlandë i kanë klasifikuar pesë lloje të dallueshme të diabetit që mund të shfaqen në moshën e rritur, në vend të dy sa njihen aktualisht.

Studiuesit e përshkruajnë këtë si një ndryshim paradigmal në mënyrën se si ta shohim sëmundjen dhe të themi se krijimi i trajtimit ndaj llojeve të ndryshme mund të jetë më i dobishëm për pacientët sesa metodat aktuale të trajtimit.

Rezultatet e para të ANDIS – All New Diabetics In Scania – që ishte një studim i cili i mbuloi të gjithë diabetikët e sapodiagnostikuar në Suedinë jugore – u publikuan ditë më parë në The Lancet Diabetes & Endocrinology, transmeton Koha.net.

“Ky është hapi i parë drejt trajtimit të personalizuar të diabetit”, tha në një deklaratë për shtyp dr. Leif Groop, mjek dhe profesor i diabetit dhe endokrinologjisë në Universitetin e Lundit në Suedi.

“Diagnostikimi dhe klasifikimi aktual i diabetit janë të pamjaftueshëm dhe të paaftë për t’i parashikuar ndërlikimet e ardhshme ose zgjedhjen e trajtimit”.

Rreth 425 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet dhe numri parashikohet të rritet në 629 milionë deri në vitin 2045, sipas Fondacionit Ndërkombëtar të Diabetit.

Sëmundja gjithashtu mund të çojë në dështimin e veshkave, dëmtimin e syve, amputime dhe sëmundje kardiovaskulare.

“Sot, diagnostikimet kryhen duke e matur sheqerin në gjak”, tha Groop. “Një diagnozë më e saktë mund të bëhet duke marrë parasysh edhe faktorët e llogaritur në ANDIS”.

Hulumtuesit që nga viti 2008 i kanë monitoruar 14.775 pacientë të sapodiagnostikuar me diabet të tipit 1 dhe 2 në mes moshave 18 dhe 97 vjeç. Në Finlandë, ata u studiuan nga Institute for Molecular Medicine Finland.

Hulumtuesit i matën rezistencën e insulinës, sekrecionin e insulinës, nivelet e sheqerit në gjak dhe moshën në fillimin e sëmundjes, në përcaktimin e pesë klasave.

Diabeti i tipit 2, i cili llogaritet të jetë i pranishëm në 90 për qind deri në 95 për qind të të gjitha rasteve të diagnostikuara të diabetit tek të rriturit, sipas CDC, u nda në katër grupe.

Pesë llojet, të cilat u gjetën të jenë gjenetikisht të dallueshme, pa mutacione të përbashkëta, janë:

• Diabeti i rëndë autoimun: Ai në thelb korrespondon me diabetin e llojit 1 dhe diabetin autoimun latent tek të rriturit. Ai fillon në moshë të re, me kontroll të dobët metabolik, prodhim të dëmtuar të insulinës dhe prani të antitrupave GADA.

• Diabet i rëndë me mungesë të insulinës: Përbëhet nga diabeti i tipit 2, por në mënyrë specifike nga individët me HbA1C të lartë, sekrecione të dëmtuara të insulinës dhe rezistencë të moderuar të insulinës, përcjell Koha.net. Ata gjithashtu kanë incidencë më të lartë të dëmtimit të syve. Groop tha se ky grup ka “më së shumti përfitime nga diagnostikimi i ri pasi që ata aktualisht keqtrajtohen më së shumti.”

• Diabeti i rëndë rezistent ndaj insulinës: Këta individë, të cilët fillimisht gjithashtu klasifikohen si me diabet të tipit 2, janë kryesisht me mbipeshë dhe rezistent ndaj insulinës. Ky grup e kishte numrin më të madh me dëmtimin e veshkave.

• Diabeti i lehtë i lidhur me obesitetin: Edhe këta individë janë obesë, por diagnostikohen në një moshë relativisht të re.

• Diabeti i lehtë i lidhur me moshën: Këta kryesisht pacientë të moshuar dhe e përfaqësojnë grupin më të madh nga pesë në 40 për qind.

Studiuesit më vonë e përsëritën analizën në tri studime nga Suedia dhe Finlanda.

“Rezultati i tejkaloi pritjet tona dhe korrespondonte shumë me analizën nga ANDIS”, tha Groop. “I vetmi ndryshim ishte se Grupi 5 ishte më i madh në Finlandë sesa në Skane. Progresi i sëmundjes ishte jashtëzakonisht i ngjashëm në të dyja grupet”.

Studiuesit gjithashtu duan studime të ngjashme në Kinë dhe Indi me njerëz me prejardhje të ndryshme etnike.

“Kjo do të na japë mundësi edhe më të mira për ta përshtatur trajtimin për çdo individ”, tha autorja Emma Ahlqvist, profesoreshë në Lund.

Dr. Victoria Salem, konsulente dhe shkencëtare klinike në Imperial College London i tha BBC-së se “ende ekziston një sasi e madhe e panjohur, mund të jetë se në të gjithë botën janë 500 nëngrupe në varësi të efekteve gjenetike dhe të mjedisit lokal”.