JIANG YU*
Ditët e fundit, përfunduan me sukses, sesioni i parë i legjislaturës së 13-të i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës dhe sesioni i parë i legjislaturës së 13-të të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. Gjatë dy sesioneve u zgjodhën organet e reja udhëheqëse shtetërore dhe u miratuan; projekti i rishikuar i Kushtetutës, ligji i mbikëqyrjes, programi i reformimit të organeve të Këshillit të Shtetit etj.
Kryeministri kinez, Li Keqiang, mbajti raportin mbi veprimtarinë e qeverisë, në të cilin ai përgjithësoi arritjet e zhvillimit gjatë pesë vjetëve të kaluar dhe paraqiti objektivat e zhvillimit dhe theksin e punës gjatë vitit 2018. Këto dy sesione janë një ngjarje e madhe në jetën politike të popullit kinez dhe njëkohësisht kanë tërhequr vëmendjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare.
KINA, PESË VJET NË SHIFRA
Pesë vjetët e fundit kanë qenë pesë vjet shumë të jashtëzakonshëm gjatë procesit të zhvillimit të Kinës. Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror ka arritur suksese historike dhe kanë ndodhur ndryshime historike. Gjatë pesë vjetëve të fundit, fuqia ekonomike e Kinës është ngritur në një nivel të ri, ka pasur ndryshime të rëndësishme në strukturën e ekonomisë kineze, janë arritur suksese të mëdha në krijimin e risive dhe reforma e hapja ndaj botës ka hedhur një hap të rëndësishëm. Jeta e popullit kinez vazhdoi të përmirësohet dhe gjendja e mjedisit ekologjik është përmirësuar gradualisht.
– GDP-ja e Kinës është rritur nga 54 trilionë juanë në 82.7 trilionë juanë, me një rritje mesatare vjetore 7.1 për qind, duke zënë 15 për qind të GDP-së së përgjithshme të botës, nga 11.4 për qind më parë. Kina ka kontribuar për më shumë se 30 për qind të rritjes së ekonomisë botërore.
– Mbi 60 milionë vende të reja pune janë krijuar në zonat urbane. Në këtë vend të madh me popullsi mbi 1.3 miliardë banorë është realizuar punësimi relativisht i plotë. Të ardhurat e banorëve janë shtuar mesatarisht 7.4 për qind në vit, duke e kaluar përqindjen e rritjes ekonomike dhe është formuar shtresa e mesme më e madhe në botë.
– Numri i turistëve kinezë jashtë vendit u rrit nga 83 milionë në më shumë se 130 milionë. Pensionet kanë mbuluar mbi 900 milionë banorë dhe sigurimet shëndetësore 1.35 miliardë banorë, duke formuar rrjetin më të madh kombëtar të sigurimeve shoqërore në botë.
– Përqindja e urbanizmit u ngrit nga 52.6% në 58.5%, proces gjatë të cilit mbi 80 milionë banorë rural u regjistruan si banorë urban. Numri i të varfërve u ul me 68 milionë dhe përqindja e varfërisë ka rënë nga 10.2% në 3.1%.
– Dendësia e lëndëve grimcore deri në 2.5 mikronë (PM2.5) në zonat kryesore është pakësuar me 30%. Norma e përdorimit të energjisë e të ujit për njësi të GDP-së janë ulur mbi 20%. Kina ka nxitur aktivisht zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, duke luajtur një rol të rëndësishëm në përballimin e ndryshimit global të klimës.
– Investimet në kërkim-zhvillim kanë ruajtur një rritje vjetore prej 11%, duke zënë vendin e dytë në botë. Kontributi i përparimeve teknologjike në zhvillimin ekonomik u ngrit nga 52.2% në 57.5%. Prodhimi i sektorëve të teknologjisë së lartë ka pasur një rritje mesatare 11.7 % në vit. Trenat me shpejtësi të lartë, tregtia në internet, pagesa me pajisje të lëvizshme dhe ekonomia e ndarjes së përbashkët po udhëheqin prirjen botërore.
OBJEKTIVAT E KINËS NË VITIN
2018 Në vitin 2018 ekonomia kineze ndodhet në një fazë kyçe gjatë procesit të ndryshimit të modelit të zhvillimit, përmirësimit të strukturës ekonomike dhe transformimit të forcave të rritjes. Teksa ekonomia botërore pritet të vazhdojë rigjallërimin, por ekzistojnë edhe shumë faktorë të pasigurt e të paqëndrueshëm, Kina ka besimin se do të shfrytëzojë mundësitë dhe do të përballojë sfidat për të realizuar objektivat, si ai i rritjes 6.5 % të ekonomisë së saj etj., duke hedhur hapa të vendosur drejt një zhvillimi të vazhdueshëm më cilësor, më efektiv dhe më të barabartë.
Viti 2018 është viti i parë për zbatimin e udhërrëfyesit të përcaktuar në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së. Qeveria kineze do të punojë më shumë për parandalimin e rreziqeve serioze, për zbutjen e mëtejshme të varfërisë dhe për luftën kundër ndotjes. Gjithashtu, ajo do të zbatojë në mënyrë të gjithanshme strategjinë për rilindjen e zonave rurale, duke nxitur zhvillimin e fshatrave dhe do të nxisë strategjinë e zhvillimit të bashkërenduar të krahinave të ndryshme, për të zvogëluar hap pas hapi hendekun e zhvillimit midis zonave urbane dhe atyre rurale.
Viti 2018 shënon 40-vjetorin e reformës dhe hapjes në Kinë.Kina do të vazhdojë të shtyjë reformën në fushën e ofertës, për të përmirësuar cilësinë e zhvillimit ekonomik, do të thellojë reformat në sektorët kyçë, për të zhvilluar produktivitetin, do të nxisë formimin e strukturës së re të hapjes së gjithanshme, për të zgjeruar sferën e nivelet e hapjes.
2018-a është një vit kyç për arritjen e një shoqërie të mirëqenies dhe zbatimin e planit të 13-të pesëvjeçar. Kina do të përshpejtojë hapat për shndërrimin në një vend të orientuar nga risitë dhe do të vazhdojë të përmirësojë inovacionin ekonomik dhe konkurrencën, do të zgjerojë konsumin dhe do të nxisë investimet efektive, do të forcojë rolin bazë të konsumit në zhvillimin ekonomik, do të rrisë nivelin e mbrojtjes dhe të përmirësimit të jetesës së popullit, do të vijojë frymën, “Askush nuk mund të largohet nga skuadra” dhe do të vazhdojë të rrisë ndjenjën e përfitimit, mirëqenies dhe sigurisë te njerëzit.
ZHVILLIMI I KINËS DO T’I SJELLË BOTËS MË SHUMË RASTE
E gjithë bota po përballet me ndryshime si kurrë më parë, po përballemi me një epokë të re me zhvillimin e vendeve të ndryshme. Pra, zhvillimi i shpejtë i Kinës ofron një impuls të fortë për qëndrueshmërinë dhe rritjen e vazhdueshme të ekonomisë globale. Një zhvillim më i madh i Kinës do të japë një kontribut më të madh për botën. Kina dëshiron t’i ndajë shanset e zhvillimit me vendet e tjera të botës.
Në pesë vjetët e ardhshëm, Kina do të importojë mallra me vlerë 8 trilionë dollarë, do të tërheqë 600 miliardë dollarë investime të huaja, investimet kineze jashtë vendit do të arrijnë në 750 miliardë dollarë, kurse numri i turistëve kinezë jashtë vendit do të arrijë në 700 milionë. Në nëntor të këtij viti, Kina do të zhvillojë Ekspozitën e parë Ndërkombëtare të Importit në Shangai. Kjo është një masë konkrete e Kinës për të hapur tregun dhe për t’i ndarë rastet e zhvillimit bashkë me vendet e ndryshme të botës.
Si një produkt i përbashkët global, “Një brez, një rrugë” është nismë e ndritur që propozon Kina, si dhe një platformë e efektshme për thellimin e bashkëpunimit konkret mes palës kineze dhe vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë”. Rregulla e artë e nismës “Një brez, një rrugë” është konsultimi, ndërtimi dhe ndarja e përbashkët. Qoftë planifikimi i përgjithshëm, qoftë projektet konkrete, të gjitha bëhen në mënyrë të hapur.
Askush nuk mbizotëron mbi të tjerët, nuk ka manipulime ose prapaskena, nuk ka asnjë rast kur fituesi i merr të gjitha, por gjithçka është e hapur, transparente me pjesëmarrje të barabartë dhe me përfitime të përbashkë- ta. Deri më tani, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” me mbi 80 vende e organizata ndërkombëtare, përfshirë Shqipërinë.
Një numër i madh projektesh bashkëpunimi po nxiten në mënyrë gjithëpërfshirëse, gjë që luan rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social vendor. “Një brez, një rrugë” është një rrugë e bashkëpunimit, e shpresës dhe e përfitimit të përbashkët. Shqipëria është një vend partner dhe mik tradicional i Kinës. Vitet e fundit, bashkëpunimi pragmatik kino-shqiptar në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të “Bashkëpunimit 16+1” po zhvillohen vazhdimisht dhe kanë njohur arritje pozitive. Investimi i akumuluar i Kinës në Shqipëri arrin në 760 milionë dollarë dhe projektet e bashkëpunimit dypalësh kanë krijuar gati 1500 vende pune.
Pala kineze ka dhënë kontribut jo vetëm për punësimin dhe taksat vendore, por ka nxitur gjithashtu shkëmbimin dhe integrimin e teknikave e të përvojës administrative të të dyja palëve. Së shpejti, një numër kompanish shqiptare do të shkojnë në Shangai për Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës dhe me këtë rast do të promovojnë produkte cilësore shqiptare në tregun kinez, duke nxitur kështu zhvillimin e shëndetshëm të tregtisë dypalëshe.
Jemi të bindur që, nëse të dyja palët do të tregojnë vendosmëri, do të ngulin këmbë në qëndrimin e hapur dhe me përfitime të përbashkëta, do të zbulojnë patjetër potenciale edhe në fushat e infrastrukturës, të energjisë, të turizmit dhe të bujqësisë, për të shtuar kështu bashkëpunimin konkret, për t’u sjellë të dy popujve më shumë përfitime dhe për të krijuar bashkërisht epokën e re dhe të bukur të marrëdhënieve kino-shqiptare.
*Ambasadore e Kinës në Tiranë