Filipinet vendosen mbylljen e destinacionit tejet popullor turistik Boracay për 6 muaj në mesin e shqetësimeve se plazhet e famshme të tij dhe ujërat e kristalta janë shndërruar në një “gropë të madhe septike” prej dëmeve të vazhdueshme mjedisore. Masa nis nga data 26 prill, transmeton top channel
Për gjysmë viti, turisteve nuk do t’i lejohet më të vënë këmbë në ishull. Vendimi i jep fund javë të tera spekulimesh mbi fatin e kësaj pike turistike, për gjendjen e mjerueshme të së cilës presidenti Rodrigo Duterte ishte ankuar në muajin shkurt.
Boracay, i ndodhur rreth 170 milje në jug të kryeqytetit Manila, është shtëpi e gati 17,000 banoreve, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk kanë mënyrë tjetër jetese veç turizmit. Për personat e prekur nga mbyllja e ishullit, do të aktivizohen të ashtuquajturat “fonde të katastrofës”, siç shpjeguan zyrtare vendas pa dhënë sakaq një shifër të saktë.
Arkipelagu i filipineve ka një numër jashtëzakonisht të madh ishujsh, megjithatë Boracay është ndoshta më i njohuri prej tyre, aq sa ka fituar dhe etiketimin e parajsës së plazheve me rërë të bardhë. Fluksi i turisteve që vërshuan atje pas viteve ’80 ia bëri megjithatë shumë të vështirë ruajtjen e natyrës dhe joshjes se vet idilike.
Vitin e kaluar thuajse 1,7 milionë të huaj e vizituan ishullin përgjatë një periudhe kohe 10 mujore, përfshirë këtu edhe pasagjerët e krociereve.