Komiteti për të Drejta të Njeriut i Kombeve të Bashkuara lëshoi të enjten një raport për Hungarinë, duke e kritikuar për një sërë çështjesh, përfshirë thellimin e gjuhës së urrejtjes.
“Mbetemi shumë të shqetësuar për një numër çështjesh”, u tha gazetarëve zëvendësudhëheqësi i Komitetit, Yuval Shany.
Vlerësimi vjen pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës, por Shany tha se koha e publikimit të tij nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor.
Sondazhet tregojnë se kryeministri nacionalist, Viktor Orban, do të fitojë mandatin e tretë.
“Hungaria është ende vend ku ka gjuhë të urrejtjes si në jetën private, ashtu edhe atë publike”, tha Shany.
Raporti i Komitetit thotë se gjuha e urrejtjes në politikë dhe media shënjestron grupet pakicë, përfshirë myslimanët, migrantët dhe refugjatët.
Raporti po ashtu kritikon një politikë të miratuar vitin e kaluar, e cila lejon që azilkërkuesit të largohen nga zonat e tranzitit, derisa presin që rasti i tyre të dëgjohet./REL/