Senati i Universitetit të Europës Juglindore i përbërë nga 8 anëtarë, në fillim të muajit qershor pritet të zgjedh rektorin e ri të këtij universiteti. Sipas sekretarit të përgjithshëm në këtë universitet, Xhevahir Memedit, në garë janë tre profesorët: Abdylmenaf Bexheti, Blerim Reka dhe Veton Latifi të cilët do të votohen në mënyrë anonime nga ana e Senatit.
‘Senati i UEJL-së ka pasur mbledhje dhe në senat u bë përzgjedhja e ngushtë e kandidatëve dhe tre kandidatë shkojnë më tutje. Ata janë Abdylmenaf Bexheti, Blerim Reka dhe Veton Latifi. Këta kandidatë vazhdojnë procedurën, më 8 qershor. Procesi për zgjedhjen e rektorit rrumbullakësohet dhe përfundon me votimin e bordit, në pajtim me statutin themelues të universitetit. Bordi i universitetit e zgjedh rektorin me votime të fshehta.
Sipas Memedit, të tre kandidatët i plotësojnë të gjitha kriteret për të zënë postin e rektorit të ardhshëm.
‘Sa ishte hapur konkursi pranoi aplikacione prej kandidatëve të interesuar, kryesisht kandidatët janë nga brenda, por kishte edhe nga jashtë të cilët nuk u kualifikuan për pozitën e rektorit sipas ligjit për arsim sipëror. Dhe, në kuadër të ligjit të statutit të universitetit dhe procedurës për zgjedhje të rektorit, nga data e shpalljes së konkursit deri më sot e ka ecur atë rrugën e paradefinuar i tërë procesi për zgjedhjen e rektorit.’
Përndryshe, Universiteti i Europës Juglindore ka shpallur konkursin për zgjedhjen dhe emërimin e rektorit të ri që nga 29 janari. Ky është rektori tretë me radhë, që zgjidhet për këtë universitet, i cili funksionon që nga viti 2001. Rektori i parë i këtij universiteti ka qenë Alajdin Abazi, ndërkaq në mandatet pas tij postin e rektorit e udhëhoqi Zamir Dika./tvart/