Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir ka ritheksuar sot gatishmërinë e vendit të tij për të dërguar trupa në Siri, si pjesë e përpjekjeve që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara për të stabilizuar gjendjen në vendin e përfshirë nga konflikti.
“Ne jemi në bisedime me Shtetet e Bashkuara që prej fillimit të krizës në Siri për dërgimin e forcave brenda Sirisë”, tha Jubeir gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, raporton agjencia AFP.
Komentet vijnë në përgjigje të një shkrimi në gazetën Wall Steet Journal, ku thuhej se presidenti amerikan, Donald Trump po kërkon që të bëjë bashkë forcat nga vendet arabe, përfshirë këtu trupa nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë.
Shtetet e Bashkuara më 14 prill, së bashku me Britaninë dhe Francën kryen sulme në Siri, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në qytetin Duma, ku u vranë dhjetëra persona.
Jubeir ka theksuar se propozimi i Arabisë Saudite për dërgimin e trupave në Siri “nuk është i ri”, duke shtuar se një gjë e tillë është propozuar edhe gjatë kohës kur Barack Obama ishte president i Shteteve të Bashkuara.