Ballina Bota INDI, GJYKATA LIRON ISH-MINISTREN NË RASTIN E MASAKRËS SË MUSLIMANËVE

INDI, GJYKATA LIRON ISH-MINISTREN NË RASTIN E MASAKRËS SË MUSLIMANËVE

Sipas raportimeve të mediave, një gjykatë e lartë në shtetin perëndimor Gujrat ka liruar ish-ministren e Partisë Bharatiya Janata (BJP), Maya Kodnani, për përfshirjen e saj të dyshuar në masakrën e muslimanëve në vitin 2002, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kodnani në atë kohë ishte ministre për zhvillim të grave dhe fëmijëve në kabinetin e kryeministrit të atëhershëm të shtetit Gujrat, Narendra Modi, i cili aktualisht është kryeministër i Indisë.

Ajo paraprakisht u dënua me 28 vjet burg për udhëheqjen e masakrës në Norada Patiya, vendbanim në kryeqytetin e shtetit Gujrat, Ahmedabad, që la 97 muslimanë të vdekur gjatë trazirave të vitit 2002 në Gujrat.

Në vitin 2012, një gjykatë përcaktoi ish-ministren Kodnani si përgjegjëse për vrasjet masive. Një ekip special hetimor e akuzoi atë për përfshirje në nxitjen e turmave dhe shpërndarjen e shpatave për protestuesit.

Megjithatë, mediat lokale raportuan se Gjykata e Larta e shtetit Gujrat tha se asnjë prej 11 dëshmitarëve nuk e kishte përmendur atë në këtë rast.

Gujrat, shteti perëndimor indian dhe shtëpi e kryeministrit Modi, shpesh kritikohet për dështimin e pretenduar në parandalimin e trazirave të vitit 2002 që vranë më shumë se 1.000 persona, shumica e të cilëve ishin muslimanë. Modi mohon çdo keqbërje dhe poashtu u lirua nga të gjitha akuzat nga gjykata më e lartë.

Sipas mediave, Gjykata e Lartë në Gujrat poashtu e ndryshoi dënimin e të dënuarit me vdekje, Babu Bajrangi, në 21 vjet heqje lirie, i cili është shoqërues i mentorit ideologjik të partisë BJP, Rashtriya Swayamsevak Sangh.

Gjykata e Lartë poashtu hodhi poshtë një ankesë të viktimave të masakrës duke kërkuar kompensim.

Sipas njoftimeve të medias, nga 32 të dënuarit në këtë rast, gjykata deri tani ka liruar 17 persona, duke përfshirë ish-ministren Kodnani.

Familjet dhe të afërmit e viktimave të rastit të trazirave në Naroda Patiya thanë se vendimi i gjykatës nuk u dha atyre drejtësi.

“Është përgjegjësi e qeverisë për të siguruar që fajtorët të ndëshkohen, por nuk arritën të ofrojnë drejtësi”, tha Shakeel Banu për AA, një banor në Naroda Patiya.

“Nuk e di nëse do të marrim ndonjëherë drejtësi”, shtoi ai.

Teesta Setalvad, i cili ka luftuar për viktimat, poashtu ka shkruar se, “Një komplotues kryesor, sot është liruar nga komploti dhe shpërndarja e shpatave…”.