Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, ku mbi 7 mijë delegatë të forcës kryesore të opozitës do të votojnë dhe miratojnë statutin e ri të kësaj force politike. Kuvendi Kombëtar mblidhet pasi pak ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD miratoi ndryshimet statusore, që pritet të sjellin një tjetër organizim në këtë parti.
Ajo që bie në sy është fakti se pjesë e Kuvendit Kombëtar janë edhe disa nga kritikët e kreut demokrat, Lulzim Basha.
Si delegatë apo të ftuar, pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar janë Besnik Mustafaj, ish-deputet dhe ish-ministër i Jashtëm, Tomor Alizoti, ish-Kreu i Departamentit të të Përndjekurve Politikë në PD, apo Eduart Selami ish-kryetar i PD-së dhe kandidat për këtë post në zgjedhjet e fundit të brendshme në këtë parti.
Madje sikundër mësohet Eduart Selami ka kërkuar të mbajë edhe një fjalim para delegatëve në Kuvendin Kombëtar.
Nuk dihet nëse ish-Kryeparlamentarja Jozefina Topalli apo ish-deputeti Astrit Patozi, do të jenë pjesë e punimeve të Kuvendit Kombëtar./sn/