Duket se Italia do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme ose me një qeveri të përkohshme me mandat deri në fund të vitit, pasi bisedimet për arritjen e një koalicioni qeverisës të dalë nga zgjedhjet e pak javëve më parë, kanë dështuar.
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, tha se këto janë vetëm dy opsionet e mbetura, pasi dështoi edhe raundi i tretë i negociatave.
Asnjë parti apo aleancë nuk arriti të fitojë mazhorancën në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan në mars.
Dy partitë me ndikim më të madh, Pesë Yjet dhe Lidhja e Veriut janë pro zgjedhjeve të reja në Korrik. Megjithatë fjala e fundit i takon presidentit Matarela.
Pas raundit të fundit të bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisës, partia më e madhe, Lëvizja Pesë Yjet, nuk ra dakord për bashkimin e forcave, as me aleancën e krahut të djathtë “Forza Italia” as me Lidhjen e Veriut, dhe as me Partinë Demokratike të qendrës së djathtë.
Përmes një deklarate televizive, Mattarella i bëri thirrje liderëve politikë për një qeveri neutrale pasi pranoi se nuk është rënë dakord për asnjë koalicion.
“Nuk mund të presim më gjatë. Partitë le të vendosin vetë nëse do t’i japin fuqi të plotë një qeverie të re ose të mbahen zgjedhje të reja në Korrik apo në vjeshtë”, tha Matraella./sn/