Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të punuar me Korenë e Veriut në sigurimin e paqes në Gadishullin Korean.
Pompeo i bëri këto komente në Phenjan, gjatë bisedimeve me zyrtarët verikoreanë.
Pompeo ndodhet në Korenë e Veriut për të finalizuar planet për një samit midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Zyrtarët amerikanë thanë po ashtu se Pompeo do t’i bëjë presion Koresë së Veriut për të liruar tre shtetas të ndaluar amerikanë.
“Me dekada kemi qenë kundërshtarë. Tani kemi shpresë se mund të punojmë së bashku për ta zgjidhur këtë konflikt, për të zhdukur kërcënimet ndaj botës dhe për ta bërë vendin tuaj me të gjitha mundësitë që njerëzit i meritojnë”, u tha Pompeo zyrtarëve verikoreanë.
Ky është udhëtimi i dytë i Pompeos në Korenë e Veriut këtë vit./rel/