Është koha e fundit që të ndryshojë qasja kundruall qeverisjes e jo vetëm qeveria. Mjaft më me tregime të bukura, sepse shpejt mund të vijë koha që nuk do të kemi se kujt t`ia tregojmë ato. Rinia po na ikë çdo ditë e më shumë dhe kjo është indikatori më i mirë se diçka nuk është në rregull me qeverinë dhe ofertën e saj për një jetë më të mirë.
Nga Bilall KASAMI
Ka kohë që tema më e nxehtë me të cilën hapen edicionet e lajmeve të mediave kryesore, por edhe të atyre më pak të rëndësishme, është rikonstruimi i qeverisë. Dhe, gati se gjithmonë, brenda lajmeve që ndërlidhen me temën në fjalë përshkohen dy çështje si arsye për një hap të tillë të kryeministrit: zgjerimi i shumicës parlamentare dhe përmirësimi i kualitetit të kuadrove që udhëheqin me dikasteret qeveritare. Përderisa vet kryeministri, gati se gjatë gjithë paraqitjeve të tij publike, gjatë arsyetimit të nevojës për riformatim të kabinetit qeveritar preferon të vë theksin te përzgjedhja bazuar në dimensionin kualitativ të kuadrove me të cilët bashkëqeveris, veprimet e tij gjithnjë e më shumë tregojnë një tendencë tjetër, atë të nevojës për zgjerim të shumicës parlamentare më qëllim të forcimit të pozicionit të tij.
Nuk duhet harruar se kjo qeveri u mandatua në kushte të jashtëzakonshme, ashtu siç ishin edhe kushtet e sigurimit të shumicës parlamentare. Aq dramatike ishin momentet e sigurimit të kësaj shumice, sa që të shumtë ishin zërat që drejtonin gishtin edhe drejtë partnerëve strategjikë të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare, si shkaktarë për ndryshim të qëndrimit të BDI-së në orët e fundit kur disa nuk hezituan që të përshëndesnin formimin e qeverisë VMRO-BDI. Një zë i tillë vinte edhe nga kupola e shtetit, presidenti.
Atëbotë, gjatë krijimit të qeverisë, gati se të gjitha forcat me orientim reformator të saj në drejtim të rikthimit të agjendës së integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike e pranuan kyçjen në qeveri të njërit ndër shkaktarët e krizës në shtet, që ishte BDI, e cila bashkëqeverisi me VMRO-në për gati dhjetë vjet. Për hir të së vërtetës, nuk ishin të paktë zërat mosbesues në rezultatet e një qeverie, e cila si faktor kyç do të kishte BDI-në, duke mos harruar se ajo do ta kishte gati se të pamundur të reformohej duke qenë pjesë e qeverisë. Kishte edhe mendime të tilla që deklaronin se me BDI-në në qeveri, lëre se ajo (pra, BDI) nuk do të reformohej, por edhe vetë qeveria do ta kishte të pamundur realizimin me sukses të objektivave të saj reformatore.
Dhe, kjo tendencë e orientimit drejt zgjerimit të shumicës, në dëm të kualitetit të kuadrove qeveritare, fillet e saj i ka që në momentet e para kur kryeministrit iu ofrua mundësia që të bëjë një zgjedhje të tillë. Mundësia e parë që iu dha kryeministrit për ta larguar nga qeveria një ndër partnerët që ia siguruan shumicën në ato kushte dramatike të formimit të saj, ai fare nuk hezitoi që ta shfrytëzoj. Kjo edhe nuk do të ishte aq dramatike nëse ndryshimi i aktorëve nuk do të nënkuptonte edhe diçka shumë substanciale. Largim të atyre që sakrifikuan për të siguruar shumicën dhe futje në lojë e të tjerëve që ishin në mesin e atyre që shtetin e sollën buzë greminës.
Por, loja nuk mbaroi. Ajo vazhdoi, tanimë me aktorë të ri, por esenca mbeti e njëjtë. Edhe më tej, njëri ndër përcaktimet prioritare të kryeministrit mbeti zgjerimi i shumicës. Por, tanimë aktorët e ri futeshin në lojë në emër të relaksimit të pozicionit të aktorëve të tanishëm, por në fakt qëllimi ishte krejt tjetër, relativizimi i rolit të tyre. Dhe përsëri e përsëri po i njëjti tregim. Që kontradikta të jetë edhe më e madhe, ky relativizim i rolit të aktorëve me të cilët bashkëqeveris kryeministri nuk është në drejtim të rritjes së përkushtimit të tyre reformues drejt integrimeve euro-atlantike, por ka të bëjë me disiplinimin e tyre që të dinë se kush është kryesori dhe kush merr vendime në qeveri.
Derisa kryeministri kishte mundësi që të zgjeroj shumicën parlamentare duke futur në lojë aktorë që njëherësh edhe do t`i mundësonin që të përmirësoj dukshëm kualitetin e kuadrove me të cilët bashkëqeveris, ai zgjodhi që përparësi t`u jap atyre që nuk do t`i bënin problem në vendimmarrje, por të vetmin kusht e kanë që të futen nën ombrellën e qeverisë. Dhe përsëri dallimi i aktorëve është esencial. Derisa të parët, kanë përkrahur qeverinë gati se në të gjitha vendimet e saj reformatore pro integrimeve euro-atlantike, pa hezituar në asnjë moment dhe pa e kushtëzuar qeverinë me pozicione ministrore, të dytët gati se në vazhdimësi ndërsa kanë biseduar për t`u kyçur në qeveri, kanë koketuar dhe vazhdojnë që të koketojnë me VMRO-në për të diskutuar mundësinë e një bashkëqeverisje me të. Nuk duhet harruar faktin se njëri ndër aktorët më të përfolur për të qenë pjesë e kësaj qeverie është po ai i cili para dhjetë viteve, duke bashkëqeverisur më VMRO-në, gati se e solli vendin para një lufte qytetare, duke tentuar që të deformojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2008.
Përderisa, arsyetimi i kryeministrit dhe përkrahësve të tij për përfshirjen e BDI-së në qeveri, në momentin e formimit të saj, ishte thjeshtë çështja e numrave, shtrohet pyetja se cili është arsyetimi i tyre tani kur kryeministri po bisedon për të bashkëqeverisur edhe me disa aktorë të tjerë, po ashtu bashkëpunëtorë të afërt të VMRO-së. Bile, nuk do të ishte ironike teza se si do të vepronte kryeministri nëse nesër Gruevski me disa nga bashkëpunëtorët e tij më besnikë shkëputet nga partia amë dhe i ofrohet atij si bashkëpunëtor i mundshëm në qeveri. Them se fare nuk është ironike, sepse veprimet e deritanishme të kryeministrit japin sinjale të tilla.
Fillimisht, me pranimin si anëtar i organeve më të larta të strukturës së tij partiake të një aktori që deri dje ishte në kampin e kundërt vetëm se ai është një votë në parlament, duke vazhduar me aktorin tjetër të qeverisë së VMRO-së i cili ishte simboli i nënçmimit të kundërshtarëve politikë në disa cikle zgjedhore duke i shërbyer me pasion Gruevskit dhe klikës së tij. Dhe, e fundit, mundësia që i ofrohet kryeministrit që të fus nën sqetull edhe njërin ndër aktorët për të cilët prokuroria speciale ka lëndë aktive për ngjarjet e prillit.
Cili do të ishte kursi i një qeverie e cila brenda do t`i kishte të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të Gruevskit. A thua vallë po na përsëritet historia, por tanimë me aktorë të ri dhe me tregime të reja. Edhe me herët jemi ballafaquar me situata të tilla, kur partitë politike për të ardhur në pushtet kanë kritikuar qeverinë për gjitha vendimet dhe veprimet e saj duke ofruar ndryshim të kursit qeverisës, por e vetmja gjë që ka ndryshuar ka qenë kryeministri dhe bashkëqeveritarët e tij, kurse qeverisja ka ngelur po ajo e njëjta.
Është koha e fundit që të ndryshojë qasja kundruall qeverisjes e jo vetëm qeveria. Mjaft më me tregime të bukura, sepse shpejt mund të vijë koha që nuk do të kemi se kujt t`ia tregojmë ato. Rinia po na ikë çdo ditë e më shumë dhe kjo është indikatori më i mirë se diçka nuk është në rregull me qeverinë dhe ofertën e saj për një jetë më të mirë.