Ballina Aktualitet Lajme MAQEDONIA, “VATRA” E RE E MARIJUANËS PËR QËLLIME MJEKËSORE

MAQEDONIA, “VATRA” E RE E MARIJUANËS PËR QËLLIME MJEKËSORE

“Nëse prodhuesit e regjistruar tani vonë, të produkteve të marijuanës të përdorura për qëllime mjekësore, i vënë në jetë planet e tyre, fusha të tëra në Maqedoni, që mbulojnë një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë, do të mbushen shumë shpejt me bimë kanabisi”, thotë rrjeti investigativ “Birn”, transmeton TCH.

Vendi ynë fqinj e legalizoi këtë tip të marijuanës dy vite më parë, përmes amendimit të ligjit ekzistues mbi kontrollin e drogave opioide dhe substancave psikotropike, duke u bërë kështu një nga të vetmit në botë me të drejtën ligjore për të rritur dhe eksportuar kanabis mjekësor.

Sistemi është i ngjashëm me atë të modelit kanadez, që u lejon kompanive private rritjen e produkteve të kanabisit. Recetat që sugjerojnë mjekime të mbështetura te kanabisi duhet të lëshohen vetëm nga neurologët, radiologët, specialistët e sëmundjeve infektive dhe onkologët.

Gjashtë kompani maqedonase e kanë marrë deri tani lejen shtetërore për rritjen e bimëve në fjalë. Në këtë biznes janë përfshirë edhe të afërm të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, të cilët tani vonë u bënë thirrje edhe të tjerëve t’i bashkohen një tregtie të tillë potencialisht fitimprurëse, me argumentin se ajo mund t’i sjellë miliona euro ekonomisë së çalë të vendit.

Shitjet e marijuanës mjekësore nëpër botë e kapërcejnë nivelin e 7 miliardë eurove fitime në vit, shifër kjo që pritet të trefishohet gjatë 3 viteve të ardhshme./Top Channel/