Nga Kristaq Xharo
Entuziazmi i lajmit të mirë që dha Komisioni Europian për hapjen e bisedimeve ia ka lënë vendin një frenimi deri në pesimizëm, që propozimi edhe mund të mos realizohet. Kjo referohet në disa deklarime të parlamentarëve apo edhe drejtuesve më të lartë të vendeve europiane. Në këtë rast do të ngrihen mjaft pyetje, prej të cilave do të ndalesha te tre prej tyre që duket se shprehin edhe paradokse: A shpreh komisioni Europian zërin e vendeve të BE; a ndihmon anëtarësimi në NATO për të avancuar në BE; dhe si dhe sa Ballkani Perëndimor ndikon mbi BE?
Së dyti, a ndihmon anëtarësimi në NATO për t’u konsideruar seriozisht për anëtarësim edhe në BE? Teorikisht, por edhe në substancë përgjigja do të ishte PO. Praktikisht nuk është përmendur as edhe në një rast të vetëm se anëtarësimi në NATO është një premisë shumë serioze për të qenë edhe anëtarë të BE. Këto organizata përfaqësojnë formatet më të mëdha dhe më të organizuara të kontinentit. Dhe, pavarësisht nga specifikat qëllimi, objektivat dhe shumica e kritereve janë të ngjashëm, më së paku, kriteret politike dhe të sigurisë.
Të dyja organizatat kanë të përbashkët mbi 80 për qind të vendeve, dhe 100 për qind të vendeve më të mëdha, të fuqishme dhe të industrializuara. SHBA, Kanadaja, Islanda, Norvegjia, Shqipëria dhe Turqia janë anëtarë të NATO-s, por jo BE, ndërsa Austria, Finlanda, Irlanda, Suedia, Malta dhe Qipro janë anëtarë të BE por jo të NATO-s. Çuditërisht, asnjë nga vendet e BE jo anëtare të NATO-s nuk ka shprehur rezerva për pranimin e vendit tonë në BE. Por disa nga vendet anëtarë të BE dhe NATO, e shohin me ngurrim pranimin e vendit tonë apo vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Janë vende që kanë shprehur vlerësimet më të larta për angazhimin e vendit tonë në misione dhe detyra të përbashkëta në NATO
. Ndërkohë, edhe pa qenë anëtarë të BE, Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha misionet që kjo organizatë është angazhuar. Megjithëse NATO dhe BE janë vetëm disa qindra metër larg nga njëra tjetra në Bruksel, rruga për të mbërritur nga selia e NATO-s në atë të BE duket vite e vite larg. Ndoshta është ajo që shpreh prestigjiozja “The Economist” se kërkesa për anëtarësim të vendeve të reja në BE, janë ngritur në atë nivel që edhe vetë vendet anëtare nuk arrijnë t’i plotësojnë.
Ndërkohë dallimi midis NATO-s dhe BE shprehet jo më tepër në nivelin e standardeve se sa në mënyrën e plotësimit të tyre. NATO vazhdon procesin e integrimit dhe të standardizimit për vendet e reja edhe pasi ka pranuar anëtarësimin, ndërsa BE zgjat procesin e integrimit deri sa një vend mendon se ka plotësuar standardet. Problemi qëndron se BE nuk nguron të ndryshojë vazhdimisht standardet. Ndoshta ky është edhe dallimi midis SHBA dhe Europës.
Së treti, si dhe sa Ballkani Perëndimor ndikon mbi BE? Për pyetjen e anasjelltë dihet përgjigja. BE është një nga aktorët gjeopolitik më të fuqishëm dhe më të afrueshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. BE është fuqi madhore deri në hegjemone sipas Buzan (Region and Powers), ndërsa vendet e Ballkanit perëndimor, pa përjashtim nuk janë as fuqi të mesme e as të vogla por më pak dhe thjesht shtete të vegjël. Ato janë vende që luftojnë për mbijetesë dhe prosperitet.
Për më tepër në ‘tërheqje’ të SHBA, BE mbetet fuqia e vetme e besueshme për këto vende. Dhe më tepër në mungesë të të dyjave, Ballkani do të jetë ai që ka qenë….ose edhe më i rrezikuar. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja janë vendet që sot konsiderohen Ballkani Perëndimor dhe të vetme në Ballkan që presin anëtarësimin. Nga të gjitha anët ky rajon rrethohet nga BE. Disa vende më shpejt, disa më pas të gjithë e shohin anëtarësimin si perspektivën më të mirë të tyre. Me çfarë pozicioni dhe fuqie trokasin ato në dyert e BE?
A është fuqia, madhësia dhe tregu i tyre që të tremb kaq shumë Europën e Bashkuar. Së bashku, popullsia e këtyre vendeve shkon rreth 16 milionë banorë krahasuar me popullsinë e BE në mbi 516 milionë (pa Britaninë) ose më pak se 3 për qind. Sipërfaqja e vendeve të Ballkanit Perëndimor shkon deri në 182 mijë km katror krahasuar me 4 milion 422 mijë kilometër katror ose më pak se 4 për qind. GDP vjetore e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është 50 miliard dollarë në vit krahasuar me 15.3 trilion dollar ose më pak se 1 për qind (0.003).
Statistikat ndonjëherë vlejnë për të trembur ‘frikën’ e pushtimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse do të përmendej thjesht vetëm Shqipëria dhe Maqedonia krahasimet do të ishin akoma më të vështira. Ndikimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të lëkundur fuqinë, demografinë, tregun europian janë si ‘milingona me buallin’. Tjetra vlen Bashkimi Europian është aktor gjeopolitik me fuqi, dinamik dhe kualitete që mund ta ndihmojnë këtë pjesë të Europës për t’u ngjyrosur si e tëra. Ekuacioni i Bernulit për parimin e enëve komunikuese vlen edhe për integrimin. Pra të qenit brenda në Europë nuk ka pse të trembë Europën, por të inkurajojë vendet për t’u ndjerë së bashku.