Ballina Aktualitet Kultura Faik Konica, Gjoni i Krujës dhe dy romane të panjohura

Faik Konica, Gjoni i Krujës dhe dy romane të panjohura

Sa herë që flitet për Faik Konicën ka gjithmonë kuriozitet dhe interes, ndaj, në festivalin Ditënetët e Librit, në stendën e shtëpisë botuese “Zenit” në MHK, mesditën e djeshme ishte njoftuar një aktivitet mbi njohjen e dy romaneve të këtij autori.

Aty u fol mbi Faik Koncën dhe dy romanet e tij zbuluar pas 100 vitesh dhe sjellë në shqip. Profili i tij si botues, shtypshkrues, bibliofil koleksionist e hulumtues e hartues i mjaft simboleve heraldike kombëtare”.

“Në këtë libër përfshihen dy romane të Faik Konicës, “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, të cilat deri pak kohë më parë e kanë pasur jetën e tyre në gjuhën frënge, ku autori ishte me pseudonimin “Jean de Kroia” ose Gjoni i Krujës. Falë punës kërkimore dhe përkthimit të bërë nga Fotaq Andrea, këto dy romane janë bërë pjesë e letërsisë shqipe. Edhe këto dy romane rrisin vlerat e Konicës dhe shndërrohen ikona të letrave tona”- tha Krenar Zejno.

Romanet, që duhet të jenë shkruar në vitin 1909, në bazë të një analize të fakteve, janë botuar në vitin 1911, në Paris, në një vëllim të vetëm, me titullin përmbledhës “Le mariage de Leila” (Martesa e Lejlës), shtypur nga një shtypshkronjë e vogël, gjë që shpjegon edhe tirazhin e saj tepër të kufizuar, aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

Në kopertinën e pasme të librit përmbledhës të dy veprave, shkruhet: “Dy romane misterioze- Dy ikona të Letrave shqipe”. Mandej jepen të dhëna mbi secilin.

“MARTESA E LEJLËS- Të njëzet kapitujt e kësaj pastoraleje dashurore shkojnë fjollë, pa përplasje as pengesë, rrjedhin si një burim me ujë kristalor drejt një zgjidhjeje të dëshiruar, duke përbërë në tërësinë e tyre një akt të lartë, tek vërtetojnë (gjë e rrallë sot) që një roman mund të jetë interesant duke mbetur i ndershëm; ndërsa sa i takon pjesës “SOTIRI DHE MITKA” vihet në dukje se “është një tregim i shpejtë që të mban të lidhur dhe që fillon në Amerikë për të përfunduar në Shqipëri.

Mund të themi se kemi të bëjmë me një novelë të shekullit XVII, aq shumë janë pikturuar e treguar me hollësi e delikatesë portretet e dy miqve… ku jeta e re buthton, zhvillohet, shpaloset në rritje të shpejtë, gjersa dramatizohet më në fund nëpërmjet një rrethane të llahtarshme e tragjike, për të përfunduar siç duhet… lumturisht”. Të dyja këto shënime, janë të Edmond de Gabory, për “L’Avenir d’Arcachon”, më 8 tetor 1911.

Fotaq Andrea para se të merret me analizën e ideve dhe anës artistike të romaneve “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”, sqaron sesi ra në gjurmë, dhe si i gjeti e i bleu këto dy vepra të mbledhura brenda dy kapakësh në një dyqan librash të vjetër në Belgjikë.

Personazhet

Personazhet personifikojnë të afërm të rrethit familjar të Konicës (por edhe atë vetë), krahas një morie personazhesh skenikë që Konica i ka pasur miq apo i ka njohur nga afër. Fotaq Andrea vëren se në romane autori ka vënë si personazhe të afërmit e tij, nga mbesa te e ëma, madje, një prej personazheve, është vetë ai.

Te “Martesa e Lejlës”, Andrea thotë se (personazhi kryesor Lejla), është mbesa e shkrimtarit, e bija e vëllait të tij, Mehmet Konicës. Në roman përfshihen edhe nëna e Faik Konicës- Zeliha Delvina (Konica), vetë Faiku si personazhi Vangjel, ose princi Aladro Kastrioti – pasardhësi i Gjergj Kastriotit që pretendonte fronin e Shqipërisë, personazh pozitiv që gjendet në të dy romanet. Te romani tjetër, “Sotiri dhe Mitka”, personazhi kryesor është Dominiku, i cili ka në fakt emrin e pagëzimit në fenë katolike të vetë Faik Konicës. Ky personazh sipas Andreas, pasi ka kryer studimet në Vjenë e Paris, kthehet në vendlindje në Vlorë dhe ngre fabrikën e parë të industrisë vajore. “Ekrem bej – është me gjasa Eqerem bej Vlora në rini”, thotë Andrea, duke shtuar se Sotiri dhe Mitka janë emra krejt të zakonshëm shqiptarësh që mërguan nga Korça për në Amerikë, e po aty ka edhe emra Gjergj, Guri, Trifona, Trimi.

Parathënia

E pur si muove… nga “Albania” në Albania

E nëse shkruesi këtu është vërtet Faik Konica, sa është ky Faik këtu një Konicë i vërtetë?

Sa është distanca nga një Faik te një Konicë, dhe cila do të ishte, në këtë rast, njësia matëse në domenin letrar, lëvruar prej shkrimit, dhe ajo e lëvruar në terrenin e kontekstit historik, prej rolit e përfshirjes edhe si misionar?

Ç’peshë specifike ka jeta dhe shkrimi te jetëshkrimi i një tribuni të kësaj rëndësie, që e shpërngulte, sa lehtësisht aq me voli, ngado gjendej vetë, edhe qendrën e rëndesës mbi artikulimin e lëvizjes kombëtare?

Në ç’rrethana, emergjenca për akte veprash atdhetare, kushtëzon pakte me haraç tributi ndaj artit të veprës letrare, gjer flijimin e saj, caktuar për ujdi në këmbim kontributi, qoftë për çështjen kombëtare?

Pa qenë korpusi “Albania” nuk do të qe Konica edhe i romaneve këtu, pse nuk do të qe as dyshimi kurajoz i zbuluesit të tyre se autori këtu është Konica. Sido që mbetet pezull pikëpyetja që si ky fakt të mos ketë qenë dëshmuar, më qartë se veç tërthorazi, nga epistolari i gjerë i tij a te korpusi shumëpërfshirës “Albania”. Porse, kështu, nuk do të vinte as zbulimi i rrallë dhe nxitës këtu. I tillë që, duke përndjekur rastin e vet, i gjegjet nevojës sonë për shumëçka më tepër se vetë rasti. Si dhe domosdoshmërisë së njohjes më përtej, të një perkursori të gjuhës e letërsisë sonë moderne dhe ligjërimit urban. E prej këtej, edhe mirënjohjes. Madje, vetvetiu na bën për herë të parë kureshtarë që, në harkun kohor njëshekullor, të ndjekim lakoren qerthullore dhe ciklin që kryen një vepër e panjohur më parë e prej një stature me barrë historike dhe njëherit autor.

Mirëpo, kur dhe sa, e befta e zbulesës nga një pandehmë, fiksuar qysh zëfilli, ka vend, dhe kur ajo zë vendin e qëndresës skeptike e prej metode të rreptë studimi! Apo është pikërisht te paravendosja e hipotezës si tezë dhe mundësisë si besim, ai tharmi që mbrun, mes një pasioni fetarie dhe monomanisë, përndjekjen e një zbulimi, studimi, koleksionimi dhe bibliofilie tipike. Me rezultat, daljen e së resë në dritën e diellit. E cila, nga ky çast do të krijojë edhe çarje në rendin e gjërave, dhe zëfilli me çeljen e pikëpyetjeve të reja…

Edhe njëherë, pra: sa dhe si, ndër vetëdijen e shkrimtarit, e nënvetëdijshmja përmes shkrimit përshenjon pashmangshmërisht, edhe në rastin kur shkruesi e ka mohuar autorësinë, dorëzuar me gjithë pseudonimin e posaçëm; dhe sa do të ishte dallimi kur i paramenduar si dorëzim përfundimtar, apo i ndarë prej saj me shpresën e rikthimit dikur, nga një dorëzani besuar kohës, të ngjashmëve dhe ardhmërisë?

A thua, ndarja e një dandy Faik me to, të mos ketë qenë krejt e paqme, në akord e mirëkuptim të plotë edhe me veten dhe gjithaq e shpenguar, në mos e paracaktuar si kategorikisht definitive, gjer dhe pa maraze?! Përndryshe, në ç’raport një moral e mision i shkruesit nga pozicioni rreptësisht letrar rri në marrëdhënie me kërkesën për apelim të një zgjimi kombëtar e nga pozita moralizimi pastërtisht misionare?

Sa është distanca e lejueshme nga një deal për një ideal; dhe deri ku, nevoja për një idil gjer patetik të vlerës kombëtare, i bie në hak stilit dhe shifrës poetike të veprës letrare?

A thua, mos po i mëshojmë skicimit të kësi profili konician nga pozita prioritare letërsie, përpara rolit të tij në sferën politike si një nga prijëtarët e atdhetarisë? Përveç njohjes së kufizuar e nga brenda rolit tonë këtu – si edhe trajtës ciklike që huazuam për formë e nga na vjen n’doresh ta rrotullojmë më lehtë fjalën , – është mbase dhe shtysa për ta nxjerrë më në pah vetë qerthulloren e lëvizjes.

Ndër vorbullën e Rilindjes sonë të vonuar, më mbetet ende i turbullt, thënë sërish me analogji heliocentrizmi, përcaktimi i kahjes: në rrotullohej vokacioni letrar rreth devocionit të shqiptarisë, apo anasjelltas! Brenda atij qarku vicioz ku mbjellja dhe përhapja e njërës lypte selitjen nga tjetra.

E megjithatë… ajo botë e letrave “Albania”, a do të qe krijuar pa një Konicë! E në qoftë se nuk do ta kishim korpusin e saj, pra, pa qenë e kryer “Albania”, vallë do qe kryer vërtet Albania, që kemi sot?

A do të qe trupëzuar një Shqipëri më vete, politike, edhe pa atë dosje poetike nga njerëzit e letrave, me dëshmi shpëtimtare gjuhën, atëbotë verdikti fuqie, avokatinë ndaj të cilit e pat marrë mbi vete gjuha dhe shkrimi, edhe në arenën “Albania”?!

Dhe si, ky Faik botues, rrotullohet rreth vetes shkrues shkrimtar e gjithaq predikues, e njëkohësisht, rreth diellit të atdhetarisë! Pa të cilin s’bën dot, dhe në çdo rrethanë, vendndodhje e ndodhi, nuk ia ndan sytë. Deri në atë pikë durimi kur nuk e përballon dot ta shohë më gjatë. E kur nga lindja avitet duhia e ngeshme e zhegut të vapës dhe ia përvëlon lëkurën, ky i kthehet me tema e nëma të vjetra pagane dhe anatema risi koniciane.

Si e kalëronte ky pasardhës bukurie, beau comme un chevalier albanais, hapësirën e qëmtuesit modern e shkruesit poliedrik universal dhe, njëherit, botues erudit nëpër shtigjet e gjuhës, edukimit, qytetarisë dhe kombëtares; pastaj, si e zhvendos shënjestrën në ulje-ngritje sipas destinacionit dhe niveleve të lexuesit, dhe si i ndante mes rrathëve në sferën e shkrimit, paralelet dhe meridianët për adresimet e tij; pastaj, ato në qitjet që shënjonin afër e larg, diku edhe të ngjashmit duke i veçuar të tjerët, diku anasjelltas; kurse, aty-këtu, pothuaj të tërë pa përjashtim! E prapë… si mbahej kjo marrëdhënie kalorësiake e kësi plejade edhe në fjalë burrash!

E prapëseprapë… si, ky zë kontroversial revolte, apel i fjalës së lirë, lirisë dhe laicizmit emancipues, u ngrit gjer në volum enciklopedie Albanie, që e shfaq atë te ne njëherit edhe Volter edhe Didero?!

Dhe tani, duke e kthyer e lëvizur pyetësorin përqark lëndës letrare të novelave që kemi në dorë:

Po sikur protagonisti porositës i tyre, ky don bufon i Spanjës dhe mëkëmbës gjoja-Kastriot, t’i ketë shtuar më vonë, personazhit alla Kishot prej mjeshtrit tonë, edhe pjesë shkrimi e faqe bëmash nga “donkishotizmi” i vet?!

Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat, stigmatizonte Konica, kur mëkatin e vetëm që i njohu vetes qe krimi t’i trazojë lumturinë budallait. Kurse gomarin Rosinant, po e përfytyroj këtë çast alias gomari i Babatasit të Fishtës së pseudonimit Gega alias Toskë, ndonëse nuk po e rrok dot se ç’vend do të zinte, pak me vonesë në këtë mes, një Babatas alias Sanço!

Në kreun e gjashtë mbi çuditë magjepsëse të Don Kishotit (ku vetë personazhet e librit të dytë lexojnë të parin), Borgesi na shfaq berberë (si Sotiri i librit të dytë këtu) që qëmtojnë në bibliotekën e Don Kishotit. Dhe, si për hata, një nga librat që haset është Galatea e Servantesit, e na del edhe që berberi qenkësh miku i tij sido që nuk e çmonte kushedi.

Si për çudi, kreun e shtatë të librit-porosi nga ky Aladro alla ladro, vetë Konica, krijuesi i vërtetë, e ka emërtuar (këtu, si me porosi) Një artist në hall:

Sapo mori kutinë (lexo: porosinë), piktori e çeli rrëmbimthi, nxori prej andej petkat dhe u përpoq të vishte me to një biçim figurine prej druri që artistët e quajnë manekinë. Më kot u orvat disa herë të kombinonte mbi të elementët e ndryshëm që përbënin veshjen, pa arritur ta ndërtojë të tërën. Më në fund, i lodhur, i inatosur me vetveten, tek i sosi durimi, ia futi me shkelm manekinit dhe e degdisi në anën tjetër të kthinës.

Të bukura janë, s’ke ç’thua. Po hajt t’i stis unë! – tha me vete; edhe sikur copë ta bëjë manekinin, prapë s’do kem gjë në vijë. Po sikur të shkoja e t’i kërkoja këshillë e ndihmë fqinjës sime bukuroshe…

Tha kështu e kështu bëri me atë nxit që e karakterizonte për të kaluar nga teoria në praktikë…

“Ka të ngjarë që këto vërejtje të jenë parashtruar edhe më parë e mbase shumë herë; shqyrtimi i të resë në të do më interesonte më pak se e vërteta e saj e mundshme”. Është pikërisht kjo një nga parabolat më serioze, gjithaq lojcake, të risisë borgesiane e të mbarë letërsisë, me shkas edhe nga “loja e dykuptimësisë së Servantesit, që arrin kulmin në pjesën e dytë, kur protagonistët e Donkishotit janë, sakaq, edhe lexues të Donkishotit”.

Besoj se shkakun e kam gjetur, tha Borgesi, për të cilin, e dimë, distanca kohore dhe cikli qerthullor i saj, në botën paralele imagjinare perceptohet e matet krejt ndryshe: “metamorfoza të tilla sugjerojnë që, nëse personazhet e një fiksioni mund të jenë lexues alias spektatorë, edhe vetë ne, bën vaki, të jemi gjithaq të trilluar”.

Të më ndjeni, ky trill i imi është këtu sa për me ndez kërshërinë e një leximi triller, dhe assesi për të paraqitur përmes përkimesh shkrimtarie, teza e dëshmi mbi autorësinë e vërtetë të teksteve nga F. Konica, për të cilin Noli thoshte që ne korrim drithën e mbjellë nga Faiku, dhe se shqiptarizmën e mësuam prej tij, gjë të cilën zbuluesi dhe përkthyesi i tyre, F. Andrea, e ka shteruar gjerësisht. Thjesht, ndjehem i thirrur e i prekur nga teksti dhe kureshtar se çfarë force apo zbehje shfaq tekstura e tezgjahut apo hiperteksti tani pas një shekulli dhe shpresoj t’jua ngjis e cys këtë edhe juve.

E artisti tha:- Ju e dini se piktorët një e dy kritikohen ngaqë nuk riprodhojnë përherë me vërtetësi personazhet dhe objektet, e shpesh me të drejtë, sidomos kur jemi të detyruar të pikturojmë me manekinë; në këto raste, doemos që subjekti nuk ka si të ketë pamje të gjallë. Tabloja që unë kam ndër mend të realizoj, dhe që e ndjej paraprakisht se do më bëj me emër, po edhe me para, mund të realizohet vetëm po qe se zonjusha – me lejen tuaj sigurisht, – do dëshirojë të pozojë përpara meje si model.

E kështu pra, kur piktori Lezi e shkatërron manekinin për të bukurën e gjallë, më mbin në përfytyrim Kryevepra e panjohur e Balzakut, ju kujtohet? që rrëfen atë ujdinë mes një personazhi të trilluar, gjeniut Frenhofer (më vonë alterego e Sezanit) dhe personazhit real, piktorit më të madh të Renaissances, Poussen; pra, paktit për ta shfaqur, për të parën e të fundit herë dhe vetëm para këtij, La belle Noisseuse alias të Bukurën Sherrete të tablosë së panjohur, ama: në këmbim të një lakuriqësie nudo të gjallë të së dashurës së tij.

Për nga ana e kompozimit, novelat këtu shfaqin vërtet një kryevepër të panjohur në Letrat shqipe. Sa klasike në zgjedhjen e subjektit dhe patosin e përshkrimit, edhe moderne për nga forma kompozicionale e shtrimit të tij. Dhe, në mos gabofsha i përfshirë patetikisht e për t’i gjetur medoemos kallëpe arketip, më duket se lëvizja në harkimin e njohur të realizmit Balzak – Dostojevskij, do mundësonte vëzhgime interesante në trajtat e kompozimit të lëndës. Kujtoj në këtë pikë, diçka mbi kërkimin e kalkuluar e skrupuloz te Karamazovët: se si e me kë pretendent do ta martojë autori një personazh, dhe kur apo cilin do nxjerrë për një duel me tjetrin! E kështu… gjer te iluzioni a mbase e vërteta te Dostojevskij: E Bukura do ta shpëtojë botën!

Bukuri! Mirëpo, ajo çka më bën çudi në këtë shfaqje klasike-moderne, nuk është te fetishizimi i traditës dhe hyjnizimi i së bukurës dhe virtyteve humane, por vetë kjo qëndresë stoike për sublimen dhe thelbin e pakohë të vlerave; me aq patos, po të kemi parasysh se, ndërkohë, rrymat e ç’hyjnizimit dhe vendosja si palë ndërluftuese me traditën, po e shpallnin tashmë një plasdarmë mbarë arenën bashkëkohore të artit.

Për cilindo, atë fillimshekulli, do mund të thuhej se ndofta ishte ende pak si herët për këtë pretendim, po ama jo për Konicën. Madje, edhe për vetë kritikun francez të prezantimit të novelave, sipas të cilit do lypsej një përshkrim edhe më realistik e tradicional i natyrës etj. Në fakt, më ngjan se mungon në to diç nga e kundërta, stilema prej moderniteti bashkëkohor. E kush më thellë se Faiku endej brenda kësaj vorbulle misterioze!

Po çne, atëherë, ky disnivel mes lartësisë nga ana kompozicionale dhe literalitetit; për mendimin tim, cilido që do të mbërrinte këtë mrekulli në kompozim, si zor të mos ishte në lartësinë, qoftë të një aftësie përshkrimore më figurative, qoftë për një trajtë shkrimi më modern. Aq më tepër nga një maestro i stilit.

Atëherë, dakord, duke e përjashtuar a priori nga mundësia si autor të vërtetë sikurautorin a ladro, këtu më mbeten dy mundësi: shkrimtari pasi projektuar e kompozuar bocetin – ku nuk e ka munguar as elementin e poetikës kazuale të bashkëkohores, koincidencat e befta të personazheve në trenat, kolazhet dadaiste me copëra gazete në letrat e përkëmbyera, – mandej e ka dorëzuar dhe lënë me kaq; më tej një tjetër dorë e ka mbushur atë, domethënë dhe e ka zbrazur nga premisat. Ose, vetë shkrimtari e ka përmbushur këtë vetëm si një inkursion porosie, dhe jo vetëm kaq, por: sa më ngjashëm me potencialin e këtij, sa më fshehshëm me të vetin!

Në mos qoftë, e gjitha kjo, aspak një mangësi vizioni, porse krejt e kundërta: pragmatizmi përmes një rasti për të shfaqur edhe merakun prej vizionari që parasheh në konvulsionin e rrymave, përtej manifesteve dhe gjesteve e veprave të artit të pavdekshëm, edhe marifetet në atë copë kohë jetëshkurtër të destinit të tyre, shtënë shpesh gjer dhe përkundër triumfit të Bukurisë. Që banon të pakohën.

A thua, e takonte Faiku alias Vangjel, Xhojsin e Uliksit alias Blum që, ndërkohë, në kafenenë e Triestes shkruante kurorëzimin diku të një çifti që dikur do të bëhej i famshëm; dhe ku niset edhe rrëfimi ynë, e pasi kryejnë secili ciklin rreth e sipas aksit të vet, rikthehen po aty, ku dhe bëhet Martesa e Lejlës.

E megjithatë… për në Paris, jam gati i sigurt që po! Në të mbramin Austin Bar. Ku ia behte shpesh të trokiste edhe bastuni monumental i Xhojsit, mes zërit monoton të automatit fjalëtar të Steinit, tasteve prej Heminguejit, zareve të bastit gjenial të Pikasos… Dhe arbitrimit nga Apolineri, mes zallamahisë dhe arbitraritetit të gjithfarësoj rrymave në ajër. A nuk ishte ky, që nën dilemat rraskapitëse dhe luhatjet për drejtpeshimin nëpër hapësirën e pacak drejt të resë revolucionare në art, Konicës mik letrat ia drejtonte si një mjeshtri. Dhe botës, lutjet në shumës: Mëshirë për ne që ndeshemi përherë ndër kufij/ Kah e pamata dhe ardhmëria/ Mëshirë për fajet tona, mëshirë për tonat mëkate…/ Mëshirë ndaj meje… Gijom Apoliner.

E prapëseprapë… e sido që i vij rrotull, s’më vjen tjetër, në harkun e një dite, për një fenomen që kohës i lypset një shekull ta rikthejë aty nga ku e nisi. E me t’u përmendur e kthyer sërish, nga brenda këtij qarku për në realitetin real, ndërmendem se nga mëmëdhetarët e lëvizjes, ky Faik këtu mbeti i vetmi që, megjithatë… e la të shkruar marazin e rikthimit dhe porosinë te miqtë: për prehjen në dheun mëmë.

Dheut që, për të, mbante farën e virtytit dhe bukurisë, të cilën ai do të vijojë ta selitë…

Ia dhëntë hakun scripta manent, ose… i marrtë hakën amaneti!

Nga Krenar Zejno, “Botues i “Zenit”