Eshtë e kollajtë të kuptosh përse absolutizmi mund të na bëjë të palumtur: sa më e ngurtë të jetë harta jonë e botës – si janë gjërat, si duhet të jenë, kur duhet të jemi të fortë, si duhet të trajtojmë të tjerët – aq më shumë mundësi ka që të mos përkojë me kaosin e realitetit.
Gjë që na bën të kuptojmë shumë gjëra jo vetëm mbi depresionin, por edhe mbi situatën aktuale politike, e dominuar nga personazhe që duken absolutisht të sigurtë në vetvete
Nga Oliver Burkeman
Këto kohë, një gjë që pothuajse për të gjithë duket absolutisht e sigurt – e di, është pak kontradiktore – është se është e gabuar të jesh absolutist.
Të pretendosh diçka nga bota dhe pastaj të zemërohesh nëse nuk përmbush në mënyrë të përsosur kërkesat tona: kjo nuk është një mënyrë për të jetuar të lumtur. Ashtu sikurse nuk është që të shohësh gjithçka në bardhë e zi, ose të refuzosh miqësinë e kujtdo që nuk ndan pikë për pikë, pikëpamjet tona.
Absolutizmi nuk është i shëndetshëm edhe kur është kthyer nga vetja jonë, dhe manifestohet si perfeksionizëm. Megjithatë, për thjeshtësi, ne të gjithë priremi të mendojmë në mënyrë absolutiste: Sipas psikologëve, ne kapemi pas rregullave të thjeshta, për të përballuar atë që përndryshe do të ishte një botë tejet komplekse.
Kjo shpjegon pse fëmijët e vegjël, të cilët ende përpiqen të gjejnë vendin e tyre në botë, janë aq konservatorë – “Meshkujt nuk luajnë me kukulla!”. Ose shpjegon ndoshta, arsyen pse, për të më detyruar të lexoj një libër fantazi, duhet të përdorni forcën fizike. Nuk është se unë jam i bindur se të gjitha veprat e këtij zhanri janë të padurueshme, thjeshtë asnjëri prej nesh nuk mund të mbijetojë pa një arsenal të tërë shkurtimesh konjitive.
Por fatkeqësisht, kur shtyhet në ekstrem, kjo sjellje kaq e zakonshme nis të na pengojë që të funksionojmë: është demonstruar gjithnjë e më shumë, se mendimi absolutist mund të jetë një prej shkaqeve të depresionit.
Të paktën kështu thotë një studim i kohëve të fundit, kryer nga psikologë të universitetit të Reading, Mohammed al Mosaivi dhe Tom Johnston, të cilët kanë analizuar gjuhën e përdorur nga 6400 persona në forume të ndryshme online, ku flitet për shëndetin mendor dhe kanë zbuluar se, në krahasim me grupet e kontrollit, përdorimi i fjalëve si “gjithçka”, “tërësisht”, “asgjë”, dhe “vazhdimisht”, ishte 50% më i shpeshtë në forumet mbi ankthin dhe depresionin, dhe 80 përqind më i shpeshtë në ata për tendencat vetëvrasëse.
Natyrisht, korrelacioni nuk do të thotë detyrimisht që kjo ndodh. Por u zbulua se edhe personat që aktualisht nuk janë depresivë, por që më parë kanë qenë, i përdorin më shpesh ato fjalë.
Gjë që të bën të mendosh se absolutizmi është më shumë një tipar i qenësishëm, që na bën të brishtë përballë depresionit, se sa një sjellje në të cilën biem kur jemi në depresion.
Eshtë e kollajtë të kuptosh përse absolutizmi mund të na bëjë të palumtur: sa më e ngurtë të jetë harta jonë e botës – si janë gjërat, si duhet të jenë, kur duhet të jemi të fortë, si duhet të trajtojmë të tjerët – aq më shumë mundësi ka që të mos përkojë me kaosin e realitetit.
Gjë që na bën të kuptojmë shumë gjëra jo vetëm mbi depresionin, por edhe mbi situatën aktuale politike, e dominuar nga personazhe që duken absolutisht të sigurtë në vetvete.
Eshtë e natyrshme të dëshirosh udhëheqës që kanë një projekt të qartë. Por siç thotë ekonomisti radikal Charles Eisenstein, kur “shoqëria ka mbërritur në një pikë, në të cilën planet e zakonshme dhe përgjigjet e zakonshme nuk funksionojnë”, kjo qartësi bëhet një pikë e dobët. “Një udhëheqës që mendon se e di atë që duhet të bëjë, por në të vërtetë dëshiron që thjesht të përsërisë të kaluarën, nuk është i dobishëm. Ndoshta kemi nevojë për dikë që të thotë ‘Nuk di çfarë të bëj’”.
Kur harta jonë e rrugës na nxjerr vazhdimisht jashtë rruge, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që ta hedhim tutje. / The Guardian – bota.al