Ndërtime të egra pa masë, rreziqet ekologjike dhe shkatërrim i bregut të liqenit janë problemet të cilat u shfaqën sot në Kuvend nga kryetari aktual i Komunës së Strugës Ramiz Merko, por edhe nga ish-kryetari Ziadin Sela. Sipas Selës, komuna e Strugës, është e aftë për t’u ballafaquar me ndërtimet e egra, por varet se kë e ka në krye dhe nëse bashkëjeton me mafian urbane. Sela tha se Ministria e Transportit duhet sa më shpejtë t’ia merë kompetencat në fushën e ndërtimit Komunës së Strugës, me qëllim që të mos betonohet bregu i liqenit. Kjo shkaktoi debat të ashpër mes tij dhe deputetes së VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturovska, e cila e akuzoi Selën se është dashur në mandatin e tij të pastrojë ndërtimet e egra rreth ligjenit. Por Sela në kundërpërgjigjen e tij, e rikujtoi Zaturovskën për ligjin që ka sjellë me kryetarin Ramiz Merko për të penguar prishjen e objekteve të forta rreth liqenit.
Ziadin Sela, ish-kryetar i Komunës Strugës
“Kam dashur që të prishen objektet të cilat kanë qënë me koncesione rreth bregut të liqenit, parlamenti, në vitin 2015 në dhjetor me propozim dhe iniciativë të Ramiz Merkos dhe Liljana Zaturovskës ka bërë ndryshime plani vetëm e vetëm që të pamundësohet që inspektorët të çojnë vendime për ti prishur objektet”.
Liljana Zaturovska, VMRO
“Mos e hidhni topin për shkak se ju ishit kompetent në atë periudhë që gjithçka që është ndërtim joligjor në bregun e Strugës, ju duhet ta zgjidhni atë”.
Ziadin Sela, ish-kryetar i Komunës Strugës
“Ky është ligji të cilin e ke propozuar ti bashkë me z. Ramiz Merko. Thoni pse e sollët këtë ligj që të më pamundësoni mua dhe për të shpjeguar se çfarë ka ligji. E dini se çfarë ka ligji, që konsesionet nga pesë vite të vazhdohen në tetë vite”.
Nga ana tjetër, kryetari aktual i Komunës së Strugës, nuk dëshironte që të merret me ndërtimet e egra por me rreziqet që aktualisht i kanosen Strugës, sipas të cilit niveli i ujit në Liqen është 25 centimetra mbi mesataren. Merko tha se dikush këtë e lejon për përfitime, përderisa qyteti rrezikohet.
Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës
“Të gjitha ujërat e zeza të Ohrit derdhen në Podmol në Ohër dhe Strugë, dhe të gjitha ujërat e zeza në Strugë derdhen në Drin. Asnjë litër sot nuk përpunohet. Asnjë. Dje kam qenë dëshmitar e kam vizituar stacionin e pasterimit të ujërave të zeza asnjë pompë nuk funksionon. Kush duhe ta bëjë këtë, hidrocentralet dhe ELEM-i bëjnë benefite dhe ne si Strugë dhe ndërmarrje ndërmjet Strugës dhe Ohrit “Proaqua” duhet të paguajmë. Vetëm për harxhim të rrymës elektrike ka ardhur nga EVN 5 milion e 600 mijë euro. Kush do ta paguaj komuna?”
Megjithatë deputetit të LSDM-së, Petar Atanasov i interesonte pse kryetari i Komunës lejon ndërtimin në bregun, gjë e cila e dëmton atë. Qëndrimi i Merkos ishte që më mirë të ndërtohet se sa të ketë mbeturina.
Petar Atanasov, LSDM
Nga rrjetet sociale, fotografi të 11 majit. Para liqenit ndërtohet, në tokë private dhe shtetërore shtrohet tampon, a keni moratorium dhe a mundet komuna të ballafaqohet me këto aktivitete ndërtimore jolegale. Po ose jo z. kryetar i komunës.
Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës
Po ajo është e mirë, edhe unë i kam ato fotografi. Do ta pastrojë terrenin.. a tani ai terren majtas dhe djathtas është plotë mbeturina.
Deputeti: Faleminderit, nuk kam më shumë pyetje.
Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës
Nuk i keni parë ato mbeturina që qëndrojnë atje.
Përplasja e këtillë u zhvillua në komisionin parlamentar për kulturë, në Debat mbikëqyrës me temë: Ligj për menaxhim me Rajonin e Ohrit dhe rregullativa e ngjashme në kontekst të Konventës së UNESKO-s për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.