Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka aktualizuar çështjen e uraniumit të varfëruar para disa ditësh gjatë vizitës së Institutit Onkologjik në Beograd duke thënë se kjo substancë ka ndikuar në rritjen e rasteve të kancerit në shtetin e tij. Në debat është përfshirë edhe Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott duke e hedhur topin në Kosovë. Ai ka thënë se municioni me uranium të varfëruar është përdorur ekskluzivisht në Kosovë kur aleanca veritlantike ka sulmuar caqet serbe para 20 vitesh. Gazeta Express ka pyetur në Agjencinë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore nëse ky element kimik ka shkaktuar rritjen e rasteve me kancer në Kosovë.
Derisa Serbia po fajëson Kosovën për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostifikuar me kancer, e kjo krejt për shkak të bombardimeve të NATO’s që i bëri në Serbi, lidhur me përdorimin e uraniumit të varfëruar (UV), Gazeta Express ka nxjerrë statistika nga Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, për përdorimin e tij gjatë luftës së Kosovës.
UV është konstatuar se është përdorur gjatë bombardimeve të NATO’s në territorin e Kosovës dhe për të janë bërë disa raporte të vlerësimit dhe studime nëpërmes Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Organizatës Botërore të Shëndetit dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
Kjo agjenci thotë se nga raportet e vlerësimit dhe studimet e bëra rezulton që shëndeti i njeriut dhe mjedisi nuk janë të rrezikuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit i cili vjen nga prezenca eventuale e Uraniumit të Varfëruar në territorin e Kosovës.
Të pyetur nga Express se sa ka ndikuar përdorimi i UV’së në shëndetin e njeriut dhe mjedisit në Kosovë, Agjencia thotë se ndikimi i sasisë së UV’së është total i parëndësishëm për njeriun dhe mjedisin.
Madje, këtë e ka thënë edhe ambasadori Amerikan në Serbi, Kyle Scott, i cili iu është përgjigjur Vuçiqit kur ky i fundit konstatoi se kanceri në Serbi është në rritje për shkak të përdorimit të UV’së nga NATO në Serbi gjatë bombardimeve. Ambasadori, madje ia potencoi presidentit serb se uraniumi i varfëruar është përdorur ekskluzivisht në Kosovë.
Një raport i nxjerrë nga misioni në terren i organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) me seli në Vjenë, paraqet studimin e parë lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis të UV’së, i cili u përdor gjatë konfliktit në Kosovë.
Agjencia kosovare tregon për Express se ky mision kishte dalë në terren nga data 5 nëntor derri më 19 nëntor të vitit 2000, ekip i përbërë nga 14 ekspertë ndërkombëtar nga agjencitë ndërqeveritare, institucione të mirënjohura, dhe palëve të tjera të interesuara.
“Bashkëpunimi shtesë është marrë nga NATO-ja, KFOR-i dhe UNMIK-u. Gjatë misionit u mblodhën mostra të dheut, ujit dhe mostra të tjera të cilat u dërguan për analizë në pesë laboratorë të mirënjohur për çështjet e analizës radiologjike dhe toksikologjike. Përdorimi i disa laboratorëve lejoi krahasimin e metodave të ndryshme për vlerësimin e ndikimeve”, thotë Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore për Gazetën Express.
Por, a ka rrezik sot nga uraniumi i varfëruar i përdorur në Kosovë?
Agjencia, në përgjigjet për Expressin thotë se nga rezultatet e analizave radiologjike të dheut dhe të ujit për vitet 2013, 2014, 2015, 2016, dhe 2017, analiza të marra nga Instituti IRE-ELIT me seli në Bruksel, rezulton se në asnjë mostër dhe në asnjë rast në Kosovë nuk është hasur në ndonjë gjurmë të UV’së.
Kur mundet të ketë ndikim municioni me uranium të varfëruar?
Nëse një numër i madh i predhave me UV godasin objektiva të forta ato bëhen pluhur ne ajër. Ekziston rreziku, që njerëzit të cilët janë në afërsi të objektivit në kohën e sulmit të përthithin pluhurin në ajër, duke qenë se pluhuri shpërndahet dhe bien në sipërfaqe të tokës, atëherë sipërfaqja kontaminohet varësisht prej përbërjes së pluhurit dhe kushteve meteorologjike, shkruan Gazeta Express.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin ka bërë një raport për vlerësimin e rrezikut nga ekspozimi ndaj rrezatimit i cili vjen nga uraniumi i varfëruar, i përdorur nga NATO gjatë konfliktit në Kosovë, thotë se ekipi i ekspertëve në bazë të analizave e mostrave të dheut, nuk ka gjetur nivel të rëndësishëm të kontaminimit në sipërfaqen e tokës.
“Kontaminimi në zonat e investiguara në të cilat ka pasur goditje me predha është aq i vogël sa që nuk dallon nga përqendrimi natyror i uraniumit në tokë. Prandaj, rreziqet përkatëse radiologjike nga të gjitha këndvështrimet janë rrjedhimisht të parëndësishme”, thotë Agjencia për Express.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po bën një fushatë kundër NATO’s në Serbi duke thënë se faji është i tyre që në Serbi po rritet numri i personave të diagnostifikuar me kancer.
Vuçiq këtë e tha gjatë një vizite që e pati javë më parë në Instituvion Onkologjik në Serbi.
Ai tha se NATO kishte përdorur municion me uranium të varfëruar në bombardimet që ndodhën në 99’. Madje, Vucic tha se Serbia do të kërkojë llogari për këtë gjë, pasi e quajti si “në krim i paprecedent”.
Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ambasadorit të SHBA’së në Serbi, Kyle Scott.
Ambasadori amerikan ia bëri të qartë Vucicit se uraniumi i varfëruar nuk shkakton rrezik shëndetësor në Serbi, e as kudo tjetër në botë ku është përdorur municion me uranium të varfëruar.
Scott tha se municioni me uraniumin e varfëruar është përdorur ekskluzivisht në Kosovë dhe më pak në rajonin e Preshevës e Bujanocit, por nga ai nuk ka rrezik as në Serbi dhe askund tjetër. Kështu të paktën kanë pohuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për mbrojtje të mjedisit.
Ai ka shtuar se disa shkencëtarë serbë, epidemiologë e radiologë kanë bërë hulumtime të pavarura dhe ata nuk kanë gjetur dëshmi se uraniumi i varfëruar ka shkaktuar probleme shëndetësore në Serbi.