Ekonomia e katërt e Bashkimit Evropian, dhe një nga gjashtë vendet themeluese, Italia mund të vërë në provë unitetin evropian si kurrë më parë, pikërisht kur Evropa ka nevojë të shtrëngojë radhët dhe bota ka nevojë për një Evropë të fortë dhe të stabilizuar përballë Trumpit dhe Putinit, krizës iraniane, kaosit në Lindjen e Mesme dhe vullnetit të Shtëpisë së Bardhë për të taksuar produktet evropiane, me një fjalë para përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare
Nga: Bernard GUETTA
Është një realitet shqetësues. Edhe pse do të jetë gjithësesi presidenti i republikës, që do të veprojë si mburojë, Italia së shpejti do të qeveriset nga dy partitë që kanë kërcënuar se do të fusin daljen nga eurozona, në programin e tyre të përbashkët. Ekonomia e katërt e Bashkimit Evropian, dhe një nga gjashtë vendet themeluese, Italia mund të vërë në provë unitetin evropian si kurrë më parë, pikërisht kur Evropa ka nevojë të shtrëngojë radhët dhe bota ka nevojë për një Evropë të fortë dhe të stabilizuar përballë Trumpit dhe Putinit, krizës iraniane, kaosit në Lindjen e Mesme dhe vullnetit të Shtëpisë së Bardhë për të taksuar produktet evropiane, me një fjalë para përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare.
Shkaqet e gjendjes aktuale janë dy: shtyrë nga një shumicë qeverish liberiste, Bashkimi Evropian imponoi masa ristrukturimi, që e kanë bërë atë jashtëzakonisht jopopullor. Së dyti, për të shpëtuar nga presioni i të djathtave të reja ekstreme, Evropa e bashkuar nuk deshi të ndajë në mënyrë të njëtrajtshme barrën e refugjatëve që vinin në Itali.
Situata është kaq shqetësuese, saqë në 21 maj kreu i shtetit italian e la pezull vendimin për miratimin e domosdoshëm të përbërjes së qeverisë, sepse njeriu i zgjedhur për të menaxhuar misterin e financave është një armik i shpallur i euros. Po a do të jetë ky koalicion në gjendje të mbijetojë?
Në dukje do të ishte e pamundur, sepse Lega dhe Lëvizja Pesë Yjet e kanë themeluar aleancën e tyre mbi një përzierje programesh absolutisht kontradiktorë. Parti e parë e Italisë falë mbështetjes së zgjedhësve nga jugu më i varfër, Lëvizja Pesë Yjet ka premtuar një të ardhur nënshtetësie, ndërkohë që Lega, më e fortë në veriun e pasur dhe të industrializuar, ka shpallur se dëshiron të ulë taksat dhe t’i bëjë uniforme për të gjithë. Nuk duken pozicione të pajtueshme, e megjithatë koalicioni vendosi që taksat do të shkojnë në 15%, maksimumi 20%, ndërkohë që të ardhurat minimale do të jenë afro 800 Euro në muaj.
Me një mungesë të tillë koherence, nuk duhet të zgjasë më shumë se tre muaj, por përtej faktit që kjo manovër mund t’i japë një impuls rritjes, koalicioni mund të akuzojë botën mbarë për të këqiat e veta, dhe të rrëshkasë drejt një nacionalizmi hakmarrës, që mund ta fundosë euron.
Ç’mund të bëhet për të shmangur këtë skenar? Nuk do të jetë e lehtë, por nëse do të duan ta shmangin shpërthimin nga brenda të Unionit, do të jetë e domosdoshme që Komisioni dhe kryeqytetet evropiane të mos tregojnë menjëherë me gisht nga Roma. Nuk mund të lejohet që kjo qeveri të akuzojë të tjerët për vështirësitë që do të ndeshë pashmangshmërisht, pra u duhet uruar fat dhe duhet pritur që Italia të vijë në vete. / France Inter – Bota.al