Ballina Aktualitet Lajme DEBATI NË CLICK PLUS, LIDHJA E SHQIPTARËVE ME ILINDENIN? (VIDEO)

DEBATI NË CLICK PLUS, LIDHJA E SHQIPTARËVE ME ILINDENIN? (VIDEO)

Shqiptarët nuk kanë lidhje me Ilindenin në asnjë aspekt, kështu vlerësojnë debatuesit e mbrëmshëm të emisionit Klik Plus. Historiani, Arben Llalla tha se lidhja e vetme e shqiptarëve me Ilindenin mund të ketë qenë tregtia e armëve.

“Dhe a mund të na tregojë dikush këta pjesëmarrësit shqiptar të Krushevës a kanë emër dhe mbiemër. Unë nuk di se në historinë shqiptare në Shqipëri të përmendet Ilindeni që shqiptarët kanë qënë aty. Ka pas individ që kanë bërë tregti armësh. Është banale kjo, siç ka pas serb që kanë bërë tregti armësh me UÇK-në dhe kjo është normale, por jo që shqiptarët kanë qenë”, u shpreh Arben Llalla, historian.

Sipas gazetarit Arben Ratkoceri, të gjitha debatet rreth propozim emrit mund të bien në ujë, për shkak të mos pranimit nga ana greke. Ai thotë se pa shqiptarët nuk mund të zgjidhet kjo çështje.

“Problemi është më i komplikuar seç duket, por fati jonë është i mirë se ne jemi faktor fizik, gjeografik e ekonomik dhe normal se edhe ky problem pa faktorin shqiptar nuk zgjidhet”, tha Arben Ratkoceri, gazetar.

Ndërsa sa i përket çështjes gjuhësore të emrit, analisti Nijazi Muhamedi theksoi se po të ekzistojë vullnet kjo çështje mund të zgjidhet për një javë.

“Ata shumë qartë e thonë, gjuhësisht ky problem mund të zgjidhet për një javë. Aty kanë punë shkenca e etnonimisë dhe për një javë zgjidhet kjo çështje. Maqedonasit pse nuk duan ta zgjidhin këtë por përmes çështjes së emrit mundohen që ta bëjnë ridefinimin e brendshëm si shtet etnik i maqedonasve”, u shpreh Nijazi Muhamedi, analist.

Sipas gjuhëtarit, Vebi Bexheti është fat i mirë për shqiptarët pasi që Greqia nuk e pranoi këtë emër, sepse po të ndodhte e kundërta çdo debat do të ishte i kotë.

“Ne jemi shumë të arsyeshëm dhe të logjikshëm dhe të gjithë ne kontribuojmë që të zgjidhet problemi. Por nuk pajtohemi me një emërtim që nuk ka konvenon historikisht si shqiptar, që rastësisht nuk e don atë emër edhe Greqia. Qeveria e bëri propozimin, qeveritarët shqiptar do bënin aminin, ndërsa ne do të rrinim këtu dhe do të bisedonim ndërsa gjithçka tjetër do të mbaronte”, tha gjuhëtari, Vebi Bexheti.

Të pranishmit gjithashtu thanë se shpesh herë politikanët shqiptar për çështjen e emrit vetëm i bëjnë aminin gjithë asaj që u serviret.

Përgatiti: Sara Kajolli