Ballina Aktualitet Lajme RINOVOHEN STACIONET HEKURUDHORE, TRENAT LËVIZIN NËPËR BINARËT E VJETËR ME SHEKUJ (VIDEO)

RINOVOHEN STACIONET HEKURUDHORE, TRENAT LËVIZIN NËPËR BINARËT E VJETËR ME SHEKUJ (VIDEO)

Treni i nisur nga Shkupi arriti në stacionin hekurudhorë të Velesit. Në mënyrë simbolike autoritetet realizuan një xhiro, për të përuruar rinovimin e dy stacioneve hekurudhorë të Komunës së Velesit dhe të Çashkës.
Në kuadër të donacioneve për infrastrukturë të financuara nga IPA fondet e BE-së, për këto dy stacione janë ndarë rreth 400 mijë euro. Ndërkaq, TV21 sjell pamje të hekurudhave nga zona qendrore e Maqedonisë, të cilat janë të vjetruara mbi 100 vjet. Ndonëse, trenat e ri për udhëtarë mund të lëvizin më shpejtësi deri 160 km/h, nga personeli i hekurudhave thonë se gjendja teknike e binarëve u mundëson që trenat të përdorin shpejtësinë mesatare prej 80km/h.

“Stacioni hekurudhorë i Velesit sot po promovohet si projekt i Bashkimit Evropian, ndërkohë ky stacion është ndërtuar që nga viti 1900-1920, në atë periudhë kur janë ndërtuar edhe binarët, siç po e shihni në të cilin lëviz treni që ka ardhur nga Shkupi.”

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar tha se këto mjete do të mundësojnë udhëtim më të shpejtë të qytetarëve dhe transport më të sigurt të mallrave që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

“Ky investim shumë milionësh, i cili u mundësua nga Bashkimi Evropian, nuk është vetëm për hekurudhat dhe trenat, por është bërë për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tuaj me qëllim që tu lehtësohet udhëtimi përmes binarëve, ashtu siç do ta kenë më lehtë edhe personat me nevoja të veçanta që të kenë qasje më të mirë në trena”, tha Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev tha se përveç stacioneve janë duke u rinovuar edhe hekurudhat për të rritur transportin e mallrave përmes binarëve. Angjushev tha se sikur në asnjë vend tjetër të zhvilluar, në Maqedoni vetëm 4% e mallrave qarkullojnë përmes hekurudhave, kurse pjesa e mbetur përmes kamionëve, të cilët sipas tij, vonojnë mallrat dhe dëmtojnë autostradat.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani tha se ky donacion është dhuratë nga taksapaguesit e shteteve Evropiane, të cilët sipas tij, krijojnë lidhje infrastrukturore me vendin tonë.

“Kjo është shumë e rëndësishëm për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, por edhe për të lidhur vendet fqinje, në kontekst të projektit të konektivitetit që BE e bën për rajonin si fazë përgatitore për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Në vazhdën e rinovimeve të 10 stacioneve në korridorin 10 që shpie nga Tabanoca deri në Gjevgjeli, duke përfshirë edhe stacionin qendrorë të hekurudhave ne Shkup, BE ka dhuruar mbi 4,5 milion euro.
Kurse, në kuadër të investimeve në infrastrukturën e përgjithshme të Maqedonisë, BE përmes fondeve IPA për periudhën 2007-2020 ka financuar gjithsej 1 miliard e 200 milion euro.

Përgatiti: Adnan Qaili

@tn.lajmelokale
@tetovanews