Një person 60-vjeçar nga Kamenica ka mbytur mbrëmë djalin e tij duke e rrahur brutalisht me një shkop druri.
Mediat kanë raportuar se arsye për këtë janë bërë 1 mijë euro të cilat i kishte marrë viktima Luan Bërnjashi dhe i kishte shpenzuar pa dijeninë e tij. Megjithatë, babai i viktimës dhunë nuk kishte ushtruar vetëm ndaj tij, por edhe ndaj vajzës së tij.
Pas rrahjes brutale që i kishte bërë, babai i djalit G.B, nuk e kishte dërguar djalin në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, ndërsa kishte tentuar ta manipulojë të tërë ngjarjen që të mos merrte përgjegjësinë ligjore.
Në spital e kishte dërguar pas orës 12:00, pasi që djali i kishte vdekur.
Ai Policisë i ka thënë se djali i tij ka vdekur nga një aksident me motor, por e tërë ngjarja është zbuluar lehtësisht nga hetuesit e Policisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës fëmija 14-vjeçar në QKMF të Kamenicës kishte arritur pa shenja jete.
“Pasi që iu kishte keqësuar gjendja shëndetësore i dyshuari kishte vendosur ta dërgoje tek mjeku me ndihmën e familjareve të tij, mirëpo kur është dërguar në QKMF-Kamenicë rreth orës 00:40, ka qenë tepër vonë dhe mjeku kujdestar veç ka mundur me konstatuar se fëmija është pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e policisë, shkruan Insajderi.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës sqarohet se babai kishte rrahur djalin e tij me mjetë të fortë që besohet të ketë qenë shkop i drurit.
“Pas hetimeve te para në vendin e ngjarjes nga njësitet e hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të shtetit dyshohet se si pasoj e dhunës fizike – rrahjes të ushtruar nga i dyshuari – prindi i viktimës G. B. Shqiptar shtetas i Kosovës, lindur me 1958, si pasoj e goditjeve me mjete të forta besohet shkop druri, fëmija ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në institutin Mjekoligjor në Prishtinë ndërsa ndaj të dyshuarit caktohet masa e ndalimit prej 48 orë, rasti është i klasifikuar si “Vrasje e rëndë”. Rasti është duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës.