Ballina Bota Berlusconi kundër qeverisë: Forza Italia do të votojë jo në mocionin e...

Berlusconi kundër qeverisë: Forza Italia do të votojë jo në mocionin e besimit, jemi në opozitë

Silvio Berlusconi dhe Forza Italia nuk do të mbështesin qeverinë e re të koalicionit mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Lidhjes. Ish-kryeministri italian garantoi votën kundër ekzekutivit në mocionin e besimit që parlamenti do të zhvillojë javën e ardhshme, ndërsa konfirmoi se Forza Italia do të jetë në opozitë. Berlusconi nuk u ndal me kaq, teksa e konsideroi naiv programin e qeverisë së re.

Forza Italia ka patur një qëndrim serioz që ka rezultuar vendimtar për krijimin e qeverisë së re, por ne nuk do t’i japim votëbesimin ekzekutivit.” Ka qenë ky qëndimi i kreut të kësaj force politike Silvio Berlusconi, në prag të mocionit të besimit për qeverinë e koalicionit mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Lidhjes, që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Në një deklaratë, Berlusconi e quajti programin e paraqitur nga dy partitë populiste “një libër naiv ëndrrash”. “Nuk mund të bëjmë tjetër veçse të konfirmojmë vendimin tonë për të votuar jo në mocionin e besimit dhe për të qenë në opozitë,” shtoi më tej ish-kryeministri, i cili e përshkroi Lëvizjen 5 Yjet si një forcë politike tërësisht të papërshtatshme me partinë e tij. Megjithatë, votat e Forza Italia-s nuk janë të nevojshme që koalicioni qeveritar të marrë shumicën në parlament.

Kujtojmë se Forza Italia u bashkua me Lidhjen e ekstremit të djathtë në zgjedhjet jovendimtare të përgjithshme të mbajtura në mars. Berlusconi i dha bekimin aleatit të tij për të zhvilluar bisedime me 5 Yjet më herët gjatë muajit, pasi të gjitha mundësitë e tjera politike u bllokuan./Ora News.tv/