Ballina Aktualitet Lajme Debati televiziv Zaev-Mickoski, larg pritjeve të shikuesve (VIDEO)

Debati televiziv Zaev-Mickoski, larg pritjeve të shikuesve (VIDEO)

Zgjidhja e kontestit të emrit, ekonomia dhe investimet, liria e mediave, gjyqësorit dhe administratës publike… Këto ishin vetëm një pjesë e temave nga ballafaqimi prej dy orë e gjysmë në Radio Televizionin e Maqedonisë mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit. Rreth procesit negociues për gjetjen e zgjidhjes së kontestit njëzetvjeçar me Greqinë, kryeministri u shpreh se propozimi Republika e Maqedonisë së Ilindenit ruan dhe avancon identitetin dhe se janë konfirmuar gjuha maqedonase dhe identiteti, duke shtuar se deri më tani nuk ka dëgjuar argumente serioze pse ky emër është problematik.

Do t’ju pyes juve, më tregoni çfarë nuk shkon me emrin Maqedonia e Ilindenit? Pse jeni kundër Ilindenit? Çfarë ju pengon në fjalën Ilinden? Është lehtë të thuhetne jemi kundër – tha kryeministri Zoran Zaev.

Zaevi këtë pyetje ja parashtroi Mickoskit në dy raste, por ky i fundit nuk dha përgjigje. Kreu i VMRO-së gjithashtu nuk u përgjigj në pyetjen e gazetarit se në çfarë mënyre do ta zgjidhte emrin si lider i opozitës. Kreu opozitar tha se ka kërkuar nga Zaevi të mos e njoftojë propozimin aktual në konferencë shtypi sepse bisedimet për zgjidhje janë në nivel më të lartë dhe se Greqia do ta refuzojë, gjë e cila, siç tha Mickoski, edhe u dëshmua.

Nëse i rrezikoni njëherë pozitat biseduese, është logjike që pala tjetër të presë vazhdimisht t’i rrezikoni. Kjo është urtësia dhe durimi në procesin bisedues. Duhej t’i kërkonim para gjashtë muajve, tashmë është vonë, propozimi është refuzuar. Prej këtij momenti e tutje, bisedimet do të zhvillohen për propozime të tjera, siç tha ministri Kozijas, për propozime të tjera nga ai që Qeveria jonë e pranoi në mënyrë tinzare – tha Hristian Mickoski- lider i VMRO DPMNE-së.

Në pjesën e reformave në gjyqësor, Mickoski e quajti Zaevin parashikues të vendimeve gjyqësore, duke thënë se qytetarët nuk besojnë se sistemi gjyqësor është i pavarur dhe se ka presione nga pushteti. Por, shtoi se pa marrë parasysh epilogjet gjyqësore, grupi i deputetëve të opozitës nuk do të largohet nga institucioni ligjvënës.

Kemi kryeministër të shtetit i cili i parashikon aktvendimet, kemi kryeministër i cili tregon se a do të lirohet apo gjykohet, i cili tregon nëse procedurat ligjore do të përfundojnë me aktgjykim apo lirim. Kjo është esenca që na mungon në vend, pavarësia e gjykatësve dhe këtu duhet të përqendroheni si kryetar i trupit reformues, t’i reformoni gjykatat, të jenë të pavarura e jo të varen nga ju – theksoi Hristian Mickoski.

Nga ana tjetër Zaev u shpreh se procedura e cila u zhvillua ndaj tij dhe ku u shqiptua aktvendim lirimi në rastin “Mitmarrja” ka qenë transparente. Lidhur me reformat deklaroi se në aspekt formal-juridik ata do të përgatiten, por se zbatimi megjithatë varet nga gjykatësit.

Sot kemi procedura të hapura gjyqësore ku publikisht dhe haptazi arrijnë tek qytetarët, që të gjithë t’i dinë detajet, dëshmitë, çfarë thonë dëshmitarët, si mbrohet mbrojtja dhe si sulmon prokuroria. Gjyqësori nuk është i përkryer, ende nuk ka kurrfarë ndryshimesh kadrovike, edhe më tej janë minimale, bëhet fjalë për njerëz të njëjtë që duhet reformën më të madhe ta bëjnë në kokën e tyre – shtoi Zaev.

Në pjesën e ekonomisë, Zaev dhe Mickoski përplasen qëndrimet rreth premtimeve për pagë minimale prej 30.000 denarë. Zaev u shpreh se deri në fund të vitit 2019-të, kjo është e realizueshme. Mickoski, nga ana tjetër, duke u thirrur në parametrat e publikuar nga Ministria e Financave, tha se do të duhet të ketë rritje nominale të pagave të punonjësve prej 11% në nivel vjetor, kështu që deri në vitin 2020 kjo do të ishte e pabesueshme.

Alsat