Kryeministri që beson dhe ka shpresa në hapat e qeverisjes së tij dhe lideri i opozitës që akuzon për keq qeverisje dhe tregon thelbin e çdo çështjeje për të cilën flet.
Kështu rrodhi dueli televiziv, mes dy liderëve të partive më të mëdha në vend.
Duke folur për gjyqësorin në vend, Zaev tha se Zot në procese gjyqësore janë faktet, ndërkaq Mickoski e akuzoi atë për kurdisje të aktgjykimeve.
“Unë besoj që gjyqësori në Maqedoni është në rrugë të mbarë që të jetë i pavarur dhe të ndajë drejtësi. Ligji në Maqedoni duhet të vlejë njëjtë për të gjithë”, tha Zaev.
“Pavarësia në gjyqësor është reforma kyçe zoti kryeministër, nuk është transparenca, kur ju shohin ju në sy, por pavarësia. Tani kemi gjyqësor më të varur dhe të kapur se kurdoherë më parë në Maqedoni”, tha Mickoski.
Për lirinë e shprehjes dhe të mediave, Zaev tha se ajo ka përparuar dhe është e garantuar.
“Sot nuk kemi presion mbi asnjë media. Nuk ka asnjë denar, asnjë deni, të harxhuar nëpër media. Kështu, liria e mediave do t’i tregojë të gjitha rezultatet e monitorimeve”, tha Zaev.
“Ja e pamë se si i mendojmë reformat në media, në dy fjali na u tha gjithçka, në fillim t’i ndërrojmë njerëzit ndërsa me pas të shohim se si do të jetë politika redaktuese…”, shtoi Mickovski.
Nga Mickoski kishte akuza edhe për bisedimet e emrit që sipas tij janë ekzibicioniste. Ndërsa Zaev ia ktheu duke i thënë se qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE ka dialoguar në fshehtësi me shtetin fqinj.
“Ky është thelbi, nëse e kemi ruajtur ose jo dinjitetin, do të flasim më vonë. Maqedonia edhe më parë kishte të drejtën për gjuhën, nacionalitetin dhe kodet, zoti Zaev”, tha Mickoski.
“Ku u ishte konfirmuar kjo gjë nga Greqia, zoti Mickoski, ku? Përveç këtyre, kjo është pengesë për përparimin edhe të vendit tuaj, sepse nuk është vetëm vendi im. Absolutisht që duhen kërkuar zgjidhje. Prejardhja është e mbrojtur, prejardhja ime, e juaja, e jona. Morëm konfirmim shtesë nga Greqia se jemi maqedonas, se flasim gjuhën maqedonase, që identiteti është maqedonas, gjë që Greqia e mohonte”, shtoi Zaev.
Disa herë gjatë duelit, Zaev e pyeti kreun e opozitës se pse janë kundër propozimet “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, por përgjigje nuk mori. Megjithatë, Mickoski akuzoi Zaevin se po i shet interesat nacionale për hir të fqinjësisë së mirë. Kritikat e kreut të opozitës nuk munguan as për fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja.
“Nuk është patjetër të më besoni mua, besoni Bankën Botërore dhe FMN-në të cilët për fat të keq janë skeptikë se 2018 do të jetë me 3.2%, njëri e uli në 2,8, tjetri në 2,2. Dhashtë Zoti të jetë 3,2. Unë ju them kështu, mos bëni asgjë, lërini biznesmenët dhe ata vetë do ta ngrenë ekonominë në 3,2”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
“Vazhdojmë ndershëm dhe rezultatet do t’i arrijmë. Tërësisht i jemi përkushtuar ekonomisë. Nuk mund të jeni kundër për gjithçka”, tha kryeministri Zaev.
Mickoski disa herë gjatë emisionit përmendi se mbetet që gjithçka të shihet në zgjedhjet e ardhshme. Por Zaev deklaroi se VMRO-DPMNE duhet të bëjë diçka që të vijë në qeveri, gjë për të cilën Kryeministri tha se do të mundohet që kjo ditë të mos jetë e afërt.
Akuza dhe kundërakuza mes liderëve kishte edhe për çështje të pronësive të tyre dhe familjarëve por gjithashtu edhe nepotizëm dhe punësime pa konkurse.
Duel i këtillë televiziv, mes liderëve të pozitës dhe opozitës, për herë të fundit është mbajtur para 20 vjetësh.
Përgatiti: Besir Arifi