Sot, në ambientet e Ministrisë së infrastrukturës me ftesë të ministri Pal Lekaj, erdhi ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurković. Ministrat Lekaj e Nurković biseduan për një sërë temash dhe projektesh bashkëpunimi në infrastrukturën rrugore, ajrore dhe hekurudhore, e që kanë rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe për lidhjen e korridoreve me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e të dyja vendeve me Evropën, njofton Koha.net.
Në këtë takim ministrat e të dyja vendeve kanë biseduar edhe për tunelin Pejë-Rozhajë, projekt ky i cili do ta shkurtojë distancën mes dy vendeve dhe do të lehtësoj qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve mike, si dhe për mundësinë e heqjes së sigurimeve kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi si dhe lidhjen hekurudhore mes dy vendeve tona.
Po ashtu ministrat e të dyja vendeve biseduan edhe për projektin e rrugës Deçan-Plavë i cili projekt tashmë ka filluar së implementuari në pjesën e Kosovës, kurse Nurković dha zotime se edhe pala e Malit të Zi do ta vazhdojë këtë projekt nga kufiri e deri në Plavë.
Pas takimit të dy ministrat kanë mbajtur një konferencë për media, ku ministri Pal Lekaj, duke iu adresuar mediave dhe duke e falënderuar ministrin Nurković tha: “Është ditë e veçantë e vizita e ministrit Nurković në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Qeverinë e Kosovës, si një shembull i mirë bashkëpunimi mes dy qeverive, asaj të Malit të Zi dhe asaj të Kosovës.
Ne biseduam për tri çështje me rëndësi që do të ndikojnë në lidhjen e korridoreve dhe në lidhjen hapësinore. Ajo që ne u dakorduam sot , është që ne të zhvillojmë infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe heqjen e taksës kufitare. Sa i përket tunelit Pejë –Rozhajë tani po bëhet studimi i fizibilitetit me intensitet të shtuar dhe nuk do të mbetet vetëm në fjalë, por do të implementohet me përpikëri.
Unë e falënderoi ministrin që më dha garanci se rrugën Deçan- Plavë, Mali i Zi do ta zhvillojë si projekt në domenin e përgjegjësive që i ka. Ky projekt është duke u zhvilluar dhe punët po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe shpresojmë ta kryejmë në afatin më të shkurtë të mundshëm, sipas kontratës së nënshkruar.
Ne si qeveri, një rëndësi të veçantë ua kemi dhënë edhe politikave zhvillimore të hekurudhave, ku tashmë për dy segmente janë të siguruara fondet, atij në drejtim të Maqedonisë dhe atij në drejtim të Serbisë me mbështetje të Bashkimit Evropian, 50 përqind grant dhe 50 përqind huamarrje. Sa i përket hekurudhës Pejë- Beran, ne na ka mbetur ta bëjmë fizibilitetin dhe do ta mbështesim fuqishëm si projekt, por na ka mbetur edhe lidhja hekurudhore me Shqipërinë në një gjatësi prej afër 17 kilometrash në anën tonë.
Kjo vizitë e ministrit Nurković do të ndikoj dukshëm edhe në vazhdimin e të gjitha projekteve që i përmenda, sepse pa zhvillim të infrastrukturës, pa lidhje të korridoreve, nuk do të kemi as zhvillim ekonomik. Rajoni ka vuajtur nga pengesat dhe ne si dy qeveri, jemi shembulli më i mirë i rajonit në largimin e të gjitha pengesave, prandaj ministër Nurkovic edhe një herë faleminderit”, tha pos tjerash ministri Pal Lekaj.
Kurse ministri Nurkovic në fjalën e tij adresuar mediave në këtë konferencë u shpreh: “Shpreh kënaqësinë time që po vizitojë Qeverinë e Kosovës dhe ministrin Pal Lekaj. Ky takim është vetëm një vazhdimësi e bashkëpunimit dhe takimeve qysh prej kur kemi ardhur në këto pozita dhe konfirmim se jemi në rrugën e duhur.
Sot kemi biseduar për shumë projekte të cilat duhen realizuar në të ardhmen. Projekti më me rëndësi të cilin shpresoj që ta fillojmë shumë shpejtë, është projekti madhor i ndërtimit të tunelit Pejë – Rozhajë, për këtë projekt kemi biseduar qe një vit e gjysmë dhe kemi arritur që ta kemi përkrahjen e qeverive tona, pra ka arritur në nivel të dy kryeministrave tanë dhe shpresojmë që të fillojmë sa më parë.
Tema e dytë që e diskutuam ishte projekti i rrugës Deçan- Plavë, që është edhe lidhja e dytë mes dy vendeve tona. Po ashtu kemi biseduar edhe për lidhjen hekurudhore ndërmjet Pejës dhe Rozhajës. Ne e kemi kryer projektin ideor për ndërtimin e kësaj pjese dhe do t’ia dorëzojmë këtë plan ideor Qeverisë së Kosovës dhe ministrit Lekaj.
Një temë tjetër për të cilën kemi biseduar është edhe mundësia e heqjes së taksës kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, sepse këtë e kemi identifikuar si një barrierë e cila i pengon bizneset dhe besoj që shumë shpejtë do ta mënjanojmë, ku edhe për këtë çështje kemi përkrahjen e të dy kryeministrave tanë.
Kjo përveç që do ta rriste qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit, do t’i ngriste në nivel edhe më të lartë marrëdhëniet mes dy shteteve. Ne biseduam edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së transportit, ku bashkëpunëtorët tanë do të punojnë në këtë marrëveshje, të cilën presim ta nënshkruajmë gjatë muajit korrik. Marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike që i kemi, natyrisht se do t’i avancojmë edhe më tej në të ardhmen”, tha ndër të tjera ministri Nurković.
Kjo vizitë dhe ky takim është vazhdimësi e takimeve dhe qëndrimeve të harmonizuara që ministrat, Lekaj dhe Nurkoviç i kanë patur edhe në samitet ndërkombëtare, që janë mbajtur, siç është ai i Brukselit, Sofjes, Lubjanës dhe takime të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.