Altrim Mamuti, kryetari i degës së Aleancës për Shqiptarët i është përgjigjur funksionarit dhe opinionistit të BDI-së, Artin Spahiu lidhur me komentet e tij të fundit për debatin mes liderëve të partive kryesore shqiptare.
Ja postimi i plotë:
Debati i shërben popullit.
Ambienti politik i një shoqërie demokratike gjithmonë përcillet me debate. Në demokracinë amerikane dhe ato perendimore debatet politike të liderëve përbëjnë një test të ideve që përfaqësojnë krahe dhe aktorë në konkurrencë, aty matet dhe merr fatin e vet një platformë politike.
Opinioni publik i shqiptarëve në Maqedoni ka më shumë se kurrë nevojë për debat. Qytetarët gjithmonë duhet ta dinë se si merren vendimet politike dhe si do të përfaqësohet interesi i tyre.
Nga viti 2001 e këndej popullin tonë e shoqëroi një përtharje e përgjithshme.
Statistikat tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë iu nënshtruan një regresi në të gjitha fushat e jetës. Dhe pyesim pse? Shqiptarët e Maqedonisë gjatë këtyre viteve morën 90 mijë vite burg, mbi 300 shqiptarë janë vrarë, shqiptarët kanë përbërë vazhdimisht mbi 50 për qind të banorëve të burgjeve në Maqedoni, në viset shqiptare kanë munguar gjithmonë investimet ekonomike dhe në infrastrukturë… Shqiptarët janë mbajtur larg vendimmarrjes politike dhe burimeve ekonomike. Thjesht, na kanë shndërruar në taksapagues të rregullt, por pa të drejta!
Në Tetovën time këto ndihen më së shumti. Infrastruktura është përtokë, rinia po largohet dhe shpresa po fiket.
PS:
Artim Spahiu, lexoi planet e Grashaninit, Çubrilloviqit, Andriqit dhe pinjollëve të tyre, ç’marifete kanë ndjekur për shpopullimin e trojeve tona! Hajde ta shohim ku dallon politika juaj nga këto”, thuhet në reagim. (INA)