Pranvera është stina kur ndodh dhe ndryshimi më i madh i motit. Në mëngjes dhe mbrëmje, temperatura është e ulët. Në mes të ditës, temperatura ngrihet shumë. Pas dimrit, trupi ynë s’mund të përshtatet menjëherë me këtë ndryshim kaq të papritur brenda periudhës afatshkurtër. Në këtë stinë, imuniteti i trupit është relativisht i dobët, dhe bakteret, viruset dhe mikroorganizmat e tjera mund të hyjnë në trupin tonë, duke rritur rrezikun e prekjes nga sëmundjet e ndryshme, si gripi, fruthi, lia e dhenve, shytat, etj.
Në të njëjtën kohë, me rritjen e temperaturës, shtohen edhe rreziqet e sëmundjes së dorë-këmbë-gojës. Në kopshtet e fëmijëve apo shkolla mund të përhapen sëmundjet ngjitëse përmes rrugëve të frymëmarrjes. Në këtë artikull, do t’ju prezentojmë disa masa parandaluese për virozat e stinës.
Për shkak të llojshmërisë, viruset e gripit shkaktojnë përhapjen e gripit kryesisht përmes teshtimës. Përveç kësaj, produktet e prekura nga viruset mund ta përhapin gripin. Nëse një fëmijë është i prekur nga gripi ai brenda një jave mund të jetë përhapës i virusit. Në 3 ditët e para pas infektimit, virusi është më i fortë dhe mundësia për t’u infektuar është më e lartë.
Për fëmijët e prekur nga gripi, simptomat akute përfshijnë temperaturën e lartë deri në 40 gradë, të ftohtin, rënie të rezistencës, dhimbje koke, marramendje; dhimbje fyti etj; fenomenet e lehta përfshijnë kollën, sekrecione të hundës etj.
2. Simptomat fillestare të fruthit të fëmijës duken si ato të gripit
Fruthi përhapet kryesisht në stinën e dimrit dhe të pranverës. Fëmijët e moshës 1-5 vjeçare përballen me rrezik më të madh të prekjes. Vitet e fundit, për shkak të vaksinimit të gjerë ndaj fruthit, mosha e prekjes nga kjo sëmundje është shtyrë. Pacienti i prekur është burimi i vetëm i përhapjes.
Nga 2-5 ditë pas skuqjes së lëkurës, pacienti mund të ketë rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Kur fëmijët preken nga fruthi, simptomat e para duken si ato të gripit, që shfaqen me ethe të lartë, kollë, teshtimë, sekrecione nga hunda, skuqje të qepallave, dalje lotësh, pika të bardha brenda gojës etj; në ditën e 4-t, në pjesën e prapme të veshit, shfaqen puçrra të vogla të kuqe, pas 2 ditësh, skuqja e lëkurës përhapet në të gjithë trupin. Ky fenomen zgjat për 4-7 ditë. Më vonë, skuqja lehtësohet dhe mbeten pika të vogla me ngjyrë kafe në trup. Simptomat e tjera zhduken gradualisht. Foshnjat e prekura nga fruthi mund të kenë pezmatime të fytit, pneumoni etj.
3. Lia e dhenve mund të përhapet në shkollë
Lia e dhenve mund të përhapet gjerësisht tek grupe të ndryshme të njerëzit. Fëmijët e moshës 1-14 vjeç mund të preken më shpejt nga lia e dhenve. Lia e dhenve është sëmundja shumë infektive. Pacientët e prekur nga kjo sëmundje fitojnë imunitetin dhe nëse e kanë kaluar njëherë nuk do të preken më nga kjo sëmundje.
Lia e dhenve përhapet kryesisht nëpër pështymës dhe objektet e infektuara. Fëmijët e prekur nga ky virus mund të kenë ethe të lartë, dhimbje koke, parehatshmëri të trupit, ulje oreksi etj. Brenda 24 orësh pas shfaqjes së simptomave të sëmundjes, mund të ketë skuqje të lëkurës, të cilat do të lehtësohen dhe asgjësohen gradualisht. Në përgjithësi, skuqja do të shfaqet kryesisht në trup, fytyrë dhe kokë. Brenda 6 ditësh, këto skuqje do të shfaqen përkatësisht dhe do të asgjësohen gradualisht. Nëse nuk i kruani këto puçrra atëherë nuk do të mbeten shenja më vonë.
4. Prekja nga shytat mund të ofrojë imunitet
Shytat janë sëmundje ngjitëse që prekin gjendrat e pështymës dhe shkaktojnë ënjtje në gushë. Kjo sëmundje përhapet kryesisht nëpërmjet pështymës. Në dimër dhe pranverë, shytat mund të përhapen më shpesh.
Kjo sëmundje ngjitëse prek kryesisht fëmijët e moshës 5-15 vjeç. Pas prekjes së kësaj sëmundjeje, mund të fitojmë imunitet dhe të mos prekemi ë asnjëherë. Shumica e fëmijëve të prekur nga shytat kanë simptoma akute, si ngritje e temperaturës deri në 39 gradë, ndjesi i ftohti, dhimbje grykësh, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, rënie oreksi, të përziera, të vjella, etj.
Pas disa orësh, ënjtje në gushë bëhet më e dukshme. Lëkura e gushës bëhet më e shndritshme, por nuk skuqet. Kur hapet goja dhe përtypet, fëmija do të ketë më tepër dhimbje të gushës. Pas 1-4 ditësh, dhimbja e gushës nga njëra anë do të shkaktojë ënjtjen e gushës në anë të tjetër.
5. Është shumë e rrezikshme që fëmijët nën 3 vjeç të preken nga sëmundja e dorë-këmbë-gojës. Sëmundja e dorë-këmbë-gojës është një sëmundje ngjitëse e zakonshme, që përhapet kryesisht tek fëmijët nën 5 vjeç.
Shumica e fëmijëve mund të vetëshërohen brenda një jave. Vetëm disa fëmijë të prekur nga kjo sëmundje mund të kenë komplikacione serioze në sistemin nervor dhe atë të frymëmarrjes. Nëse këto fenomene komplekse përkeqësohen shumë shpejt, mund të shkaktojnë vdekjen e fëmijës. Viruset e kësaj sëmundjeje përhapen kryesisht nëpër aparatin tretës dhe atë të frymëmarrjes. Shumica e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje shfaqin simptoma akute si ngritje e temperaturës, kollë, sekrecione nga hunda, rënie oreksi, të përziera, të vjella, dhimbje goje, ulçer etj.
Në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme mund të shfaqen skuqje të lëkurës, të cilat nuk sjellin dhimbje, kruarje. Këto skuqje do të largohen gradualisht pa lënë shenja.
6. Masat për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse në aparatin e frymëmarrjes Sëmundjet e ndryshme ngjitëse duhet të trajtohen në metoda të ndryshme, por masat parandaluese bazë janë të pandryshuara. Duhet të ndërmerren masat komplekse parandaluese, që përfshijnë kryesisht:
a. Hapni shpesh dritaret për ajër të freskët, për të pakësuar numrin e mikroorganizmave në ajrin e dhomës. Pastroni dhomën për të krijuar një mjedis të mirë familjar.
b. Shmangni vizitat në vende të mbipopulluara dhe me ndotje
c. Ruani shprehi të shëndetshme të jetës: bëni stërvitje të shpeshta për forcimin e imunitetit, dieta me ushqime të ekuilibruara, veshje të përshtatshme sipas ndryshimit të klimës.
d. Kur shfaqen fenomene të rritjes së temperaturës etj, duhet të kërkoni sa më parë ndihmë mjekësore. Është më mirë që të vendosni një një maskë për në spital.
e. Nëse është përcaktuar që jeni prekur nga sëmundje ngjitëse, duhet të merrni masat e ndalimit, për ta shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjeve.
f. Duhet të bëni vaksinim, që është masa më e mirë për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse. (Xu Guang)