Kjo koritë betoni është ndërtuar në vitet e ’70-ta me qëllim mbledhjen e ujërave atmosferikë. Por këtë funksion nuk e kryen që nga viti 2016. Ujërat e rrëmbyeshëm që vërshuan pjesën veri-lindore të Shkupit, e kanë shkatërruar koritën në disa vende. Rrjedha e koritës ka ndryshuar dhe tani ujërat atmosferikë përfundojnë në tokat bujqësore, një pjesë e të cilave që nga 2016-ta nuk punohen më për shkak se janë të mbushura me gurë dhe rërë.
“Tani kemi një problem se prej 2016-tën, banorët e fshatit nuk kanë mundësi ta kalojnë këtë pjesë që të shkojnë t’i punojnë arat. Për këtë udhëtojnë rreth 4 kilometra, shkojnë deri në Stajkovcë, e prej atje vijnë serish këtu në Straçincë te ara e vet” tha Adnan Ajrullahu, banor i Straçincës.
Pas dy vitesh në këtë gjendje, Komuna e Gazi Babës nën administrimin e së cilës është kjo zonë, ndërmori hapin e parë për sanimin e dëmeve.
“Që të mund ta vëmë në funksion, sot nisëm aktivitetet që do të zgjasin rreth 60 deri në 70 ditë, në pjesën e fshatit Bërnjacë, Straçincë, Viniç, Creshevë, Bullaçan dhe Rashtak. Po i pastrojmë të gjitha koritat, po i rregullojmë shtretërit dhe rrjedhat e ujërave që gjenden në këtë rajon. Kjo që të mundësojmë siguri në unazën veriore, përdorimin e tokës bujqësore dhe sipërfaqet që sot e atë ditë janë jashtë funksionit” tha Boris Georgievski, kryatar i Komunës së Gazi Babës.
Projekti i kanalit është miratuar nga Ministria e Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, ndërsa pritet që punimet të fillojnë këtë vit, pasi të jenë bërë specifikimet teknike, tha kryetari i Gazi Babës. Ai gjithashtu informoi se kanë kërkuar nga Qeveria që të pyllëzohen 300 hektarë të Malit të Zi të Shkupit që nga Komuna është shpallur si zonë erozive. Për rrëshqitjen e gurëve dhe rërës ankohen edhe banorët e Straçincës. Për zgjidhjen e këtij problemi ata kërkojnë sanimin e digave.
“Penda mund të ndërtohet e lartë, 5-6 metra, dhe shumë lehtë mund të lidhet në breg. Pasi të mbushet, aty ndalojnë gurët ndërsa uji kalon” tha Ferit Imeri, banor i Straçincës.
“Ato janë jashtë funksionit sepse janë mbushur me dhé dhe mbeturina. Nuk e kryejnë funksionin, por tani pasi të fillojmë do t’i pastrojmë që t’i rikthejmë në punë, me qëllim që të zvogëlohet vala e goditjes në rast se ka sasi më të mëdha të shiut”, deklaroi kryatari i Komunës së Gazi Babës.
Ai gjithashtu u bën thirrje banorëve të zonës që ta mbajnë pastër koritën dhe të mos e shndërrojnë atë në deponi mbeturinash. Për koritën e dëmtuar dhe dëmet e pa sanuara në Straçincë, Televizioni 21 raportoi para 3 javësh.
PËRGATITI: BESIR ARIFI
KAMERA: BENJAMIN HOXHA
MONTAZHI:BASHKIM AVDIU