Ballina Argëtim Jetë & Stil Nga ta dijmë që duhet të besojmë? Një udhërrëfyes për të gjitha...

Nga ta dijmë që duhet të besojmë? Një udhërrëfyes për të gjitha ato, parti a institucione, që kërkojnë besimin e njerëzve

Nga Annamaria Testa

Eksperte komunikimi

Po ta mendosh mirë, i gjithë sistemi ynë i ndërlikuar i marrëdhënieve personale dhe sistemi shumë më i ndërlikuar i marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore, në të cilat, duam apo nuk duam, jemi të zhytur gjatë gjithë rrjedhës së jetës sonë, janë të bazuar në besimin.

Të kesh besim, do të thotë të sigurohesh se diçka ose dikush, pavarësisht nga kontrolli ynë, do ta realizojë në të ardhmen një pritshmëri tonën aktuale, apo që diçka ose dikush ka bërë ose është duke bërë tani, pikërisht atë që do të jetë pozitive për ne, më vonë.

E gjithë kjo bazohet mbi disa supozime: që dikushi të jetë i ndershëm, simpatik dhe i aftë. Dhe që diçkaja të jetë funksionale, efikase dhe të mos ndikohet nga mekanizma të kundërt.

Gjendje shpirtërore komplekse

Kështu, i besojmë një recete të mjekut, apo këshillës së shitëses (shiko, të rri shumë mirë!). I besojmë orarit të trenave (përndryshe nuk do të ishim aty, në stacion). I besojmë bankës ku kemi hapur një llogari rrjedhëse, apo klientit që angazhohet të na paguajë “pas 60 ditësh”.

I besojmë kamerierit që na propozon një pjatë ekzotike. Kamionistit të panjohur, që nget makinën krah nesh në autostradë. Dhe inxhinierit të panjohur, i cili ka projektuar urën mbi të cilën po kalojmë. Politikanit që votojmë, premtimeve dhe vlerësimeve të tij.

I besojmë kompanisë online, që do të na dërgojë pikërisht mallin për të cilin kemi paguar. I besojmë djalit apo vajzës, që na sigurojnë se nuk do të kthehen në shtëpi pas mesnatës, dhe dashurisë së jetës sonë, që na betohet se nuk do të na tradhëtojë kurrë. I besojmë Uikipedias. Apo blogut që betohet se po na thotë të gjitha të vërtetat, për të cilat të tjerët heshtin.

Besimi është një emocion. Një gjendje shpirtërore komplekse, për ta prodhuar atë kombinohen instikti dhe arsyetimi, llogaritja dhe nuhatja, pritja dhe shpresa, eksperiencat e të kaluarës (edhe ato të largëtat, fëmijërore) dhe pritshmëritë e të ardhmes. Kur kemi besim, ndjehemi të qetë, larg prej risqeve.

Ashtu si të gjitha emocionet, besimi që kemi është i lidhur me temperamentin dhe karakterin tonë. Dhe kjo do të thotë që njerëz të ndryshëm, në situata të caktuara, mund të ndjehen besimplotë, të matur, ose mosbesues.

Eshtë shkalla jonë e besimit, ajo që na motivon të bëjmë (apo të mos bëjmë) zgjedhje të caktuara dhe të kryejmë (dhe mos kryejmë) veprime të caktuara, si dhe përcakton ndërveprimet tona me të tjerët, si edhe sjelljet tona.

Ndonjëherë, besojmë seriozisht. Ndonjëherë, na duhet të bëjmë sikur besojmë, sepse nuk kemi alternativa më të mira: për shembull, për të arritur që të kërkojmë një nder, duhet të kemi besim se mundemi ta marrim. Ndonjëherë jemi besimplotë me arsye, e ndonjëherë krejt rastësisht.

Eshtë fakt se ne jemi të prirur neurologjikisht, që të provojmë besim (themeli i vërtetë i sjelljes bashkëpunuese, mbi të cilin ngrihet jeta jonë shoqërore), dhe se kur ndjejmë besim, truri ynë na shpërblen dhe na dhuron një ndjesi të kënaqshme, që më tej krijon mirëqenie.

Mungesa totale e besimit, para se të jetë shkatërrimtare, është paralizuese. E vetmja rrugëdalje nga paraliza dhe nga ankthi që na shkakton të qënit totalisht mosbesues, është shpesh herë më e rrezikshmja: i japim besim mashtruesit më të parë, magjistarit, shtriganit, rrugaçit që ndeshim, i cili megjithatë di të na japë atë buzëqeshje që na hap zemrën përsëri, atë premtim që na bën të shohim një të ardhme më të mirë, pikërisht në momentin kur kemi shumë nevojë.

Dhe ja ku mbërrijmë në temë: ndaj kujt jemi të prirur të ofrojmë besim? Faktorët absolutisht më të rëndësishëm janë dy: afërsia dhe empatia. I besojmë më kollaj personit apo gjësë që e ndjejmë pranë, në gjendje të na kuptojë. Në thelb, besojmë pikësëpari ashtu si një vogëlushe i beson nënës së vet.

Së dyti, kemi prirjen t’i besojmë atyre që na flasin në mënyrë të kuptueshme dhe përfshirëse, sidomos kur na shpjegojnë argumenta, për të cilët kuptojmë pak, ose aspak. Në thelb, kemi prirjen të besojmë, ashtu si një vajzë i jep të drejtë mësueses së preferuar.

Së treti, kemi prirjen t’u besojmë atyre që na shfaqen të ndershëm, origjinalë dhe transparentë. Në thelb, besojmë ashtu si të rriturit i besojnë një miku të mirë. Një pasojë interesante e gjithë kësaj është që, të japësh besim, do të thotë edhe të bëhemi të hapur dhe të brishtë, siç mund të jetë një vogëlushe apo një vajzë, apo një i rritur kur ndodhet në shoqërinë e një miku të mirë. Pasoja tjetër është që, çdo tradhëti e besimit është një plagosje e vërtetë, fort e dhimbshme.

Institucionet

Përse në këta faktorë që favorizojnë besimin, nuk renditen aftësia dhe besueshmëria? E qartë: pothuaj gjithmonë, nuk kemi as rastin, as kohën, as instrumentat e nedojshëm për t’i verifikuar seriozisht. Për ne, këtë duhet ta bëjnë institucionet, që megjithatë shfaqen të mangët ndaj tre faktorëve që përmenda më sipër. Rezultati: institucioneve u besojmë gjithmonë e më pak.

Kështu, në ruletën për të dhënë besim, mbështetemi gjithmonë e më shumë në komponentet instiktivë dhe intuitivë, në dëm të llogaritjeve dhe arsyetimit. Si pasojë, riskojmë gjithnjë e më shumë të mbetemi të zhgënjyer, të lënduar, dhe më të prirur për t’i dhënë të drejtë, të parit mashtrues që ndeshim.

Nga ana tjetër, nëse një institucion, një parti, një kompani (apo një individ) do të donin të rindërtonin besimin e thyer, duhet që t’ia nisin pikërisht nga faktorët e sipërpërmendur. Janë të thjeshtë për t’u kuptuar, por aspak të lehtë për t’u praktikuar. Dhe po, duhet shumë durim, përkushtim dhe kohë. / Burimi: “Internazionale” – Bota.al