Gazeta konservatore greke “Kathimerini” publikonte dje një letër të një qytetari australian me origjinë greke i cili jeton në Greqi. Letra i drejtohet kryeministrit Alexis Tsipras në formën e një vënieje në dijeni për atë që autori e quan “aventura ime me sektorin publik”.
Shpjegimi i qytetarit në fjalë është shumë i thjeshtë dhe i qartë. Ai duket si një itinerar identik i një qytetari shqiptar në zyrat e shtetit tonë që rrokulliset nga një nëpunës te tjetri me të njëjtat fjalë.
“Aventura ime me sektorin publik filloi me dy muaj që mu deshën për të korrigjuar dy gabime materiale në certifikatën time të martesës. U gjenda mes këshillit lokal, zyrës së prokurorit të Athinës dhe regjistrit të gjendjes civile, dhe sërish në këtë përplasje për katër herë me radhë – ku secili departament më këshillonte se nuk ishte përgjegjësia e tyre.
Për të marrë disa dokumente specifike nga një departament qeveritar mbërrita në orën 8 të mëngjesit…I vetmi punonjës që po priste publikun mund të ndihmonte vetëm me një nga dokumentet. Për të marrë përgjigje për një dokument tjetër, duhet të kthehesha në orën 11…”, thuhet ndër të tjera në letër.
Sipas greko-australianit kjo mendësi në burokracinë e shtetit e bën joefiçente të gjithë mekanizmin duke lënë pas të gjithë vendin.
“Humbja për Greqinë duhet të jetë epike. Dëgjoj shpesh fjalë si “nuk mundet”, “kjo nuk bëhet këtu”, “duhet të vish sërish nesër” apo “kështu duhet bërë”.
Nuk dua që kjo letër të shërbejë për ndonjë gjueti shtrigash për nëpunësit e shtetit. Ata janë në presion po ashtu. Kam qenë dëshmitar i abuzimit verbal ndaj tyre nga qytetarët grekë për shkak të mënyrës jologjike, të çorganizuar dhe inefiçente të si kryhen punët e shtetit”, vijon ai.
Kjo përvojë e sjellë qartë dhe saktë në një letër nga një qyetar i një vendi anëtar të BE-së shërben mjaft mirë për të kuptuar se problemi me administrimin është shumë më i thellë sesa duket dhe nuk zgjidhet me të ashtuqujtura reforma radikale.
Greko-australiani na tregon këtu se anadollakët e radhës në Ballkan janë grekët, fqinjët tanë, të cilët ndoshta do t’i ngazëllonte ndonjë nismë e tipit “greqiaqeduam.gr”, përmes së cilës të mund të flisnin direkt me kryeministrin.
Njësoj siç ndodh në Shqipëri, ku ka anadollakë të tjerë. Është dëshmia e dështimit si shoqëri, në aftësi dhe mentalitet për të lëvizur diçka nga koha e shkëputjes nga Perandoria Osmane që u identifikua me prapamebetjem, kaosin burokratik dhe ngadalësinë në menaxhim.
Është një mendësi që lidhet edhe me aftësinë e shoqërisë, me strukturimin e saj, gatishmërinë për të lënë pas modelin familjar dhe fisnor e përt t’u përshtatur me kapitalizmin që nuk toleron paçavure të tilla të dëmshme siç është ky bizantinizmi juridik dhe administrativ që hasim edhe në Shqipëri.(Respublica)