Presidenti rus, Vladimin Putin theksoi disponueshmërinë e tij për të stabilizuar marrëdhëniet me BE, gjatë një vizite në Vjenë, e para në Europë pas rizgjedhjes.
Gjatë një interviste, Putin mohoi faktin se Rusia po përpiqet të përçante apo dobësonte Bashkimin Europian duke krijuar lidhje me populistët dhe euroskeptikët.
”Përkundrazi, duhet të zgjerojmë bashkëpunimin tonë me BE, e cila është partnerja kryesore tregtare e Rusisë”, deklaroi Putin për ORF.
Ndryshe nga shumë vende të tjera europiane, qeveria e djathtë austriake nuk ka përzënë diplomatë rusë pas rastit të helmimit të ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij, në Britani.
Sot pasdite Putin do të takohet me homologun e tij Aleksander Van der Bellen dhe me kancelarin Sebastian Kurz.
Vjena dhe Moska ndajnë interesa të njëjta në fushën e energjisë. Austria është një nga pikat kryesore të futjes së gazit rus për në Bashkimin Europian.