Ballina Aktualitet Lajme S’KA AKTVENDIM NGA SUPREMJA GREKE, A DUHEJ TË EKSTRADOHEN DERI TANI GRUJEVSKI...

S’KA AKTVENDIM NGA SUPREMJA GREKE, A DUHEJ TË EKSTRADOHEN DERI TANI GRUJEVSKI DHE BOSHKOVSKI? (VIDEO)

Ministria e drejtësisë ende nuk e ka marrë aktvendimin e Gjykatës supreme greke, me të cilin u refuzua ekstradimi i agjentëve të arratisur Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski. Nga kabineti i Renata Deskoskës, thanë se pritet aktvendimi nga Greqia, në të cilin, sipas mediave greke, thuhet se ekstradimi u refuzua për shkak të vendimit të presidentit Ivanov për abolim, pas çka do të vlerësohet nëse ka mundësi për të dorëzuar kërkesë të re me argumentimin e ri. Një pjesë e ekspertëve të Maqedonisë janë të befasuar nga aktvendimi  i gjykatës më të lartë greke. Ish gjykatësja në Gjykatën Supreme, Millka Ristova vlerëson se Athina duhet t’i ekstradonte Grujevskin dhe Boshkovskin, ndërsa gjykatat vendore të dalin me qëndrim në lidhje me abolimin.

“Gjykata Supreme në Greqi duhej të lejonte ekstradimin, ndërsa fakti se cilat janë pasojat ligjore nga abolimi për ata, duhet të jetë objekt i gjykatave vendore. Jam e befasuar nga ky aktvendim dhe mendoj se Ministria e drejtësisë si organ kompetent do të ndërmarrë masa ligjore shtesë për ekstradimin e këtyre  personave në Maqedoni me qëllim që të ballafaqohen me drejtësinë”, tha Millka Ristova, Ish gjykatësja në Gjykatën Supreme.

Tani duhet të veprojë ministria e drejtësisë në Maqedoni, mendon profesori universitar Gordan Kallajxhiev. Ai tha se Maqedonia duhet të tregojë se nuk bëhet fjalë për rast të izoluar për dy personat e  akuzuar.

“Maqedonia duhet të tregojë se bëhet fjalë për rast  i cili në fakt është rezultat i një shteti të robëruar dhe i një shoqërimi kriminel, dhe siç dihet shkaktoi shkelje të të drejtave të njeriut duke e rrezikuar demokracinë dhe sundimin e së drejtës”, tha Gordan Kallajxhiev, profesor universitar.

Aktvendimi i gjykatës supreme të Greqisë, u dha shpresë edhe të akuzuarve të tjerë në lëndët e PPS-së. Gordana Jankulloska dhe Ilija Dimovski, të dytë të akuzuar në lëndën që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore, kërkuan ndërprerjen e procedurës duke u thirrur në abolimin. Por nga Gjykata penale thanë se gjykata tashmë ka formuar qëndrim për këtë çështje që nga vlerësimi i akuzave dhe vendimi i Gjykatës së Apelit. Por, në qoftë se gjykata më e lartë sjell një vendim tjetër, atëherë gjykata më e ulët do të duhet ta respektojë të njëjtin.

Përgatiti Mihajllo Vidimliski