Kuvendi i Republikës së Maqedonisë fillon në orën 11:00 seancën për propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Ratifikimi do të bëhet me procedurë të përshpejtuar me shpresën për t’u përmbyllur deri në fund të javës.
Deputetët në seancën e sotme do të debatojnë vetëm për hapjen e nevojës së ratifikimit të marrëveshjes. Duke marrë parasysh se ligji mban ‘flamurin evropian’ dhe duhet të miratohet me procedurë të shkurtuar, pritet që sot të pranohet nevoja për miratimin e tij dhe menjëherë më pas të caktohet seanca e Komisionit për çështje evropiane. Komisioni më pas do të ketë dy ditë kohë, respektivisht deri të mërkurën në mesnatë për shqyrtimin e marrëveshjes. Pasi të kalojë në Komision, propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes do të shkojë sërish në seancë plenare për ratifikimin e plotë të tij.
Për ratifikimin e marrëveshjes nevojitet shumicë e thjeshtë, respektivisht shumica e deputetëve të pranishëm. Kuorumi minimal është 61 deputetë.
Partitë nga shumica në pushtet, të udhëhequra nga LSDM-ja dhe BDI-ja pritet të votojnë “për” ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa dje përkrahje për marrëveshjen kanë shprehur edhe deputetët e partive opozitare të shqiptarëve, nga Lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët
Nga VMRO-DPMNE-ja njoftuan se grupi parlamentar do të mbajë koordinim para seancës, ku do të merren vesh se si do të veprojnë, por qëndirmi i tyre do të jetë në pajtim me paralajmërimet nga partia. Pritjet janë se nuk do ta përkrahin marrëveshjen, duke i marrë parasysh deklaratat e liderit të tyre se VMRO-DPMNE-ja nuk do t’i përkrah ndryshimet kushtetuese për ndryshim të emrit.
Pas miratimit nga ana e presidentit Ivanov, marrëveshja duhet të dërgohet te presidenti Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditëve që ta nënshkruajë.
Ivanov në fjalimi e tij të paradokohshëm tha se nuk do ta përkrah, as nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen për kontestin për emrin, e cila, sipas tij, “është e dëmshme”.
Nëse Ivanov e përdor të drejtën e vetos, marrëveshja sërish shkon në procedurë të Kuvendit, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute, 61 deputetë duhet të votojnë “për”. Marrëveshja në atë rast dërgohet sërish te presidenti, i cili sipas Kushtetutës, është i detyruar ta nënshkruajë.
Por, fjalën e fundit për marrëveshjen do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum, të paralajmëruar për në vjeshtë.