Ballina Bota “Negociatat”: Letra e liderëve fetarë për Macron dhe Merkel tërheq vëmendjen e...

“Negociatat”: Letra e liderëve fetarë për Macron dhe Merkel tërheq vëmendjen e mediave të huaja

Letra e liderëve të komuniteteve fetare të Shqipërisë për presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare.

”Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron u kërkohet të mbështesin hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë”, shkruan Martin Banks i EUreporter.

”Kjo thirrje, që u drejtohet me anë të një letre, vjen nga krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri”, shton EUreporter.

”Në letër thuhet se dy liderët e BE-së duhet të marrin një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë. Në prill, Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Bisedimet e propozuara për anëtarësim pritet të jenë të parat që fillojnë pas gati pesë vitesh”, thekson Banks.

Rekomandimi ka nevojë për miratimin përfundimtar, në qershor, nga krerët e qeverive të BE-së. Të dyja vendet do t’u bashkohen dy shtete të tjera ballkanike, Serbisë dhe Malit të Zi, në bisedimet për t’u anëtarësuar me BE-në. Plani ambicioz i komisionit është që vendet e rajonit do të bëhen anëtare të bllokut në fillim të vitit 2025.

”Hapja e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një vendim i rëndësishëm”, shkruajnë liderët e komuniteteve fetare të vendit, është pjesa që shkëput agensir.it në lajmin kushtuar letrës së liderëve fetarë të vendit.

”Theksojmë se udhëtimi ynë drejt BE prezanton atë që gjithmonë e kanë dashur njerëzit tanë, një shoqëri të lirë, ku secili prej nesh të mund të ushtrojë të drejtat e tij dhe ku më e rëndësishmja është e drejta dhe liria e fesë dhe besimit”, përfundon agensir.it.