Kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov përmes një fjalimi publik ka shprehur qëndrimet e tij lidhur me votimin e marrëveshjes për emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se me marrëveshjen është bërë gjenocid dhe krim ndaj një populli dhe se data e 17 qershorit të 2018 është dita më e turpshme në historinë e popullit maqedonas pas 10 gushtit të 1913.
“Personat që kanë nënshkruar marrëveshjen do të nxirren para drejtësisë, popullit dhe historisë si dhe do të dënohen me dënimet më të ashpra me burg të përjetshëm dhe konfiskim të pasurisë, për kryerjen e veprave penale, dëmtim të interesit shtetëror, tradhëti, etj…”, theksoi Petrov.
Ai theksoi se maqedonasit në tërë botën janë kundër referendumit për emrin dhe se referendumi i vetëm ishte ai i vitit 1991 për pavarësinë e Maqedonisë. Petrov po ashtu kërkoi shpërndarje të përbërjes aktuale të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. (INA)