Ballina Aktualitet Kosovë HAXHI 2018: BEH DHE MAQEDONIA ME ÇMIMIN MË TË LARTË, SHQIPËRIA ME...

HAXHI 2018: BEH DHE MAQEDONIA ME ÇMIMIN MË TË LARTË, SHQIPËRIA ME ÇMIMIN MË TË ULËT

Institucionet e rajonit të Ballkanit që janë kompetente për organizimin e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit, Haxhit, tashmë kanë filluar përgatitjet, ndërsa regjistrimet e haxhinjve janë duke vazhduar edhe më tej. Nisja e besimtarëve muslimanë për në haxh nga rajoni do të bëhet gjatë muajit të ardhshëm.

Sipas të dhënave të Anadolu Agency (AA) të siguruara nga institucionet kompetente fetare të vendeve të rajonit, për kryerjen e këtij kushti të Islamit haxhinjtë do të paguajnë një shumë më të lartë të parave krahasuar me vitin e kaluar. Sipas arsyetimeve të bashkësive fetare të vendeve të rajonit, rritja e çmimit për kryerjen e haxhit vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në Arabinë Saudite.

Shumën më të lartë për shkuarjen në haxh do ta paguajnë besimtarët nga Bosnjë e Hercegovina (4.200 euro) dhe Maqedonia (4.100 euro), ndërsa besimtarët nga Shqipëria do të paguajnë çmimin më të ulët prej 3.500 euro.

– Maqedonia me një rritje të çmimit prej rreth 720 euro

Nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) për AA bëjnë të ditur se për shkuarjen në haxh sivjet haxhinjtë e vendit do të paguajnë nga 4.100 euro, çmim i cili vitin e kaluar ishte 3.900 dollarë (rreth 3.380 euro), që do të thotë se kryerja e haxhit këtë vit do të jetë rreth 720 euro më i shtrenjtë se vitin e kaluar.

“Kushtet më të avancuara hotelerike, udhëtimet më të sigurta dhe më komode, rritja e çmimit të taksave të ndryshme dhe të qëndrimit në çadrat e Arafatit, diktojnë një çmim paksa më të lartë se sa që ishte në vitin 2017”, theksuan nga BFI-ja.

BFI bën të ditur se regjistrimi i haxhinjve është duke vazhduar, ndërsa nisja do të bëhet më 9 dhe 10 gusht të këtij viti. Këtë vit pritet që numri i haxhinjve të arrijë në 1.000, ndërsa vitin e kaluar ishin 840 haxhinj.

– Kosova me një rritje të çmimit prej 400 euro

Nga Drejtoria e Haxhit dhe Umres pranë Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për AA njoftojnë se çmimi për këtë vit për haxhinj është 3.800 euro. Ky çmim ka dallim prej viteve të kaluara, duke shënuar rritje prej 400 eurosh në krahasim me vitin e kaluar, kur çmimi ishte 3.400 euro.

“Arsyeja e rritjes së çmimeve është se çmimet në Arabinë Saudite janë rritur dhe për herë të parë e kanë shtuar edhe TVSH-në dhe taksat në Arabinë Saudite, gjë që nuk ka ekzistuar përpara”, njofton Drejtoria e Haxhit dhe Umres pranë BIK-ut.

Nga atje shprehën pritjet se numri i haxhinjve këtë vit do të jetë rreth 1.100.

– Shqipëria me çmimin më të ulët në rajon

Sipas të dhënave të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, tarifa për Haxhin për vitin 2018 është 3.500 euro. Ndërsa çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët muslimanë nga Shqipëria për vitin 2017 ishte 3.000 euro, që do të thotë se këtë vit haxhinjtë do të paguajnë 500 euro më shumë.

Regjistrimet për shkuarje në haxh në këtë vend vazhdojnë deri më 26 qershor 2018 dhe do të ketë një shtyrje të afatit.

– BeH me çmimin më të lartë në rajon

Sa i përket çmimit që duhet të paguajnë muslimanët e BeH për të kryer haxhin, ai është më i larti në rajon. Besimtarët e këtij vendi duhet të paguajnë 8.150 marka konvertibile (4.200 euro) për të shkuar në haxh.

Drejtori i Zyrës së Haxhit dhe Umres, Nezim Haliloviq, për AA konfirmoi se këtë vit të paktën 1.680 haxhinj nga BeH do të shkojnë në haxh për të kryer kushtin e pestë të Islamit. Vitin e kaluar, haxhin e kanë kryer 1.738 haxhinjë, ndërsa një vit më parë 1.407 haxhinj.

– Risia nga Serbia, haxhinjtë do të udhëtojnë me fluturim të drejtpërdrejt

Ndërkaq, haxhinjtë nga Serbia do të duhet të pagujnë 3.600 euro për shkuarjen dhe qëndrimin në haxh, ndërsa nëse dikush nga besimtarët e Serbisë ka shkuar në haxh në tre vitet e fundit, ai në atë shumë duhet të paguajë 500 euro shtesë.

Reis-ul-ulemaja i Bashkësisë Islame të Serbisë, Sead Nasufoviq, për AA bëri të ditur se këtë vit në haxh nga Serbia do të shkojnë të paktën 235 haxhinjë, ndërsa shtoi se kjo shifër nuk është përfundimtare.

Nisja për në haxh nga Serbia do të organizhet nga 10 gushti deri më 15 gusht, ndërsa risia e këtij viti në krahasim me vitet tjera është se ata do të udhëtojnë me një fluturim të drejtpërdrejt.

– Nga Mali i Zi këtë vit do të nisen mbi 50 haxhinjë

Nga Komuniteti Islam në Mal të Zi bëjnë të ditur se çmimi i aranzhimit të haxhit është më i lartë se çmimi i tanishëm për 300 euro, duke arritur në 3.800 euro për këtë vit.

Këtë vit deri më sot, për shkuarje në haxh kanë aplikuar 54 besimtarë nga Mali i Zi, ndërsa nga Komuniteti Islam i këtij vendi presin që shifra përfundimtare të jetë rreth 60 besimtarë. Vitin e kaluar, nga Mali i Zi u nisën 83 haxhinjë, ndërsa një vit më parë, në vitin 2016, numri i haxhinjve ishte 50.

– Këtë vit 15 besimtarë muslimanë nga Kroacia shkojnë në haxh

Nga Bashkësia Islame në Kroaci thonë se këtë vit presin që 15 besimtarë muslimanë të organizuar nga institucioni i tyre do të udhëtojnë për në haxh, që është dyfishi i numrit të haxhinjve, krahasuar me vitin 2017. Thirrja për paraqitjen e haxhinjve mbetet e hapur.

Mirëpo, edhe kostoja e aranzhimit nuk është e definuar, sepse pritet që haxhinjtë nga Kroacia, për shkak të numrit të vogël, të bashkohen me numrin e madh të haxhinjve nga BeH dhe çmimi do të jetë i njëjtë si për qytetarët e atij vendi.