Duke vepruar me urdhër të Prokurorisë, Departamenti i Policisë për luftën kundër terrorizmit këtë mëngjes ka nisur një operacion në Ankara, Stamboll, Izmir, Kocaeli, Balikesir dhe Artvin
Prokuroria e Turqisë lëshoi urdhër arresti kundër 30 të dyshuarve për lidhje me organizatën terroriste FETO, duke përfshirë edhe pjesëtarët aktivë të marinës dhe të rojës bregdetare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në listë për t’u arrestuar ndodhet edhe shefi i kabinetit të Komandës së Rojës Bregdetare me gradën e major.
Në mesin e të dyshuarve janë edhe 13 anëtarë të Komandës së Marinës, të cilët janë të njohur si imam të fshehur të FETO-s brenda këtyre forcave turke.
Gjashtë nga lista e të dyshuarve gjenden jashtë vendit.
Duke vepruar me urdhër të Prokurorisë, Departamenti i Policisë për luftën kundër terrorizmit këtë mëngjes ka nisur një operacion në Ankara, Stamboll, Izmir, Kocaeli, Balikesir dhe Artvin.
Paralelisht me këtë, Prokuroria shtetërore në Ankara ka urdhëruar edhe arrestimin e 6 nënoficerëve aktiv të xhandarmerisë.
Po ashtu dhe ky grup ngarkohet për lidhje të drejtpërdrejta me organizatën terroriste FETO.
Organizata terroriste FETO në vitet ’70 të shekullit të kaluar filloi të infiltrojë ithtarët e saj në institucionet e sigurisë së Turqisë, ashtu që në vitet ’80 arriti të forcojë dukshëm piramidën e saj paralele në kuadër të këtyre institucioneve dhe, më në fund, më 15 korrik të vitit 2016, ajo kreu tentimin e dështuar të grusht shtetit ushtarak që synonte rrënimin e rendit kushtetues dhe rrëzimin e autoriteteve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Turqi.