Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, thotë se Britania duhet ta shtyjë daljen nga BE-ja.
Një nga mbështetësit më të fortë të qëndrimit të Britanisë në BE ngul këmbë për mbajtjen e një referendumi të dytë në lidhje me këtë çështje.
“Nuk mund të vazhdohet kështu. Nuk kam qenë kurrë më i shqetësuar për të ardhmen e vendit tim se tani.
Vendimin final duhet ta marrë populli, sepse vetëm ai ka të drejtën të vendosë se cilin version të Brexit-it do apo nëse do të qëndrojë a të largohet”, shprehet Blair.
Ish-kryeministri i Britanisë shprehet se përtej ndikimit ekonomik, largimi nga BE-ja do të ketë impakt edhe në politikën e saj, për më tepër me një aleat si presidenti amerikan, Donald Trump.
“Sigurisht ata që e mbështetin Brexit-in, thonë se SHBA-të mbeten aleati më i madh jashtë BE-së. Por shihni realitetin.
Që pas Brexit-it, a është më afër Britania me SHBA-të? A kemi një marrëdhënie me të fortë?
Kur ka çështje me rëndësi globale, cilin në Europë telefonon Trump të parin, kryeministren britanike?”, thotë ai.
Ish-kryeministri laburist shfaq gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e populizmit në Europë, si rasti i Italisë. Ai thotë se kjo rrymë mund ta kthejë kontinentin e vjetër në vitin 1930.
“Vala e populizmit që ka përfshirë politikën e Perëndimin nuk tregon shenja zbehjeje. Italia e provon më së miri këtë”, thotë ai.
Sipas Blair, është e vështirë të parashikohet nëse populizmi është në kulmin e tij në këtë moment në Europë apo si do të jetë më vonë.
Por sipas tij, kur të bëhet e qartë se si filozofi politke nuk funksionon, do të ketë shumë zemërim dhe aspak përgjigje efektive.
“Kushedi si mund të zhvillohen dinamikat e një skenari të tillë. Por krahasimi me vitet 1930 nuk duket diçka e largët”, thotë ai.(TemA TV)