Kryetari i partisë Grekët e Pavarur, aleat i qeverisë Cipras dhe njëherazi ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, në një intervistë për televizionin grek “Antena” shprehu bindje se Marrëveshja nuk do të kalojë në Greqi.
Kjo qeveri ka afat të kohëzgjatjes deri në shtator të vitit 2019, tha ministri grek Panos Kamenos, duke përsëritur pozitën e tij se nuk do të lejojë që Marrëveshja të kalojë në Parlamentin grek me 151 vota. Ai edhe një herë theksoi se për zgjidhjen e arritur për Maqedoninë nevojitet shumicë parlamentare e zgjeruar prej 180 deputetëve, ndërsa në të kundërtën fjalën do ta ketë populli grek, domethënë zgjedhje të pakohshme.
“Që kjo marrëveshje të vijë deri në ratifikim në Parlament duhet të bëhen shumë hapa. Së pari zgjedhje në Shkup, sepse duhet të ndërrohet presidenti, të zgjidhet president i ri, pastaj referendum, pas referendumit të ketë shumicë në kuvend, e cila do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, të bëhen ndryshime kushtetuese. Kjo sipas meje do të zgjasë më shumë se dy vite”, tha Kamenos, duke shtuar se ai personalisht nuk beson se shqiptarët “do të pranojnë të jenë qytetarë të një shteti të pastër sllav”. Si argument të dytë e përmendi qëndrimin e presidentit Ivanov.