Shefi i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i ka dhënë udhëzime kancelarit austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit mori të martënpresidencën e BE-së, duke hequr një paralele mes kërkimit të zgjidhjeve politike me artin e kuzhinës.
“Duhet t’u shërbejmë (miqve) zgjidhje pozitive nëpërmjet negociatave të bukura”, tha Juncker.
Duke vlerësuar aftësitë negociuese të kancelarit të Austrisë, Juncker e kujtoi atë se “nuk duhet vëne vetëm shnicel vjenez (një lloj bifteku) në pjatë”, duke nënkuptuar se duhet një dozë kreativiteti në përballimin e sfidave ndërkombëtare.
Juncker e ka shtuar dozën e ironisë, duke thënë se “kam qenë në Mongoli dhe Bregun e Fildishtë.
Shnicel vjenez ka gjithandej, por ai nuk është i vetmi asortiment në pjatat që vihen në tryezë”.
Emigracioni, siguria e brendshme dhe stabiliteti në BE janë në krye të listës së prioriteteve për Austrinë gjatë presidencës së saj.
Austria e sheh veten si ndërmjetës neutral, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik dhe rolin tradicional si “ndërtuese urash”.
“Europa është qartësisht e ardhmja jonë, por ne e gjejmë veten në një kohë ndryshimi rrënjësor.
Ajo që ne duhet të mbrojmë është mënyra europiane e jetesës, d.m.th. sundimi i ligjit, demokracia, liria dhe vlerat themelore”, shkroi Kurz në Tuitter.
Kancelari 31-vjeçar Sebastian Kurz është kryetar i Partisë Popullore të Austrisë (OVP).
Ai mori drejtimin e qeverisë pasi partia e tij e qendrës së djathtë siguroi rreth 31 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar.
Partia e tij mbështet shtrëngimin e kufijve të Austrisë dhe ashpërsimin politikave të emigracionit.
Kurz u vu në qendër të kritikave të komunitetit online pasi qeveria e tij pak javë më parë vendosi mbylljen e shtatë xhamive dhe dëbimin e rreth 60 imamëve të financuar nga jashtë, si pjesë e fushatës së tyre kundër radikalizimit dhe nxitjes së urrejtjes.