Ballina Shëndeti Studimi: Vitamina D, faktor mbrojtës kundër diabetit

Studimi: Vitamina D, faktor mbrojtës kundër diabetit

Ç’është Vitamina D?

Vitamina D quhet ndryshe dhe vitamina e Diellit .Ajo është një element i rëndësishëm për shëndetin kockor dhe jo vetëm. Trupi ynë e siguron vitaminën D nëpërmjet ekspozimit në diell (rrezet UV-B) dhe dietës ushqimore. Kjo lloj vitamine D që sigurohet nga jashtë duhet të përpunohet në mëlçi dhe veshka që të ushtrojë efektin e saj në kocka.

Cilat janë efektet e Vitaminës D?

Vitamina D nxit thithjen e kalciumit në zorrë. Ajo është elementi bazë që rregullon metabolizimin e mineraleve në kockë. Falë saj dhe kalciumit të rriturit mbrohen nga osteoporoza dhe osteomalacia, dy sëmundje që e dobësojnë kockën dhe rrisin riskun për fraktura. Vitamina D parandalon rakitizmin dhe kariesin dentar te fëmijët . Por efektet e saj nuk janë vetëm në kocka. Vitet e fundit po behën studime të cilat kanë hedhur dritë mbi të tjera efekte shumë të rëndësishme të kësaj vitamine në trupin tonë. Diskutohet roli i saj mbrojtës kundër disa lloje kanceri si: i zorrës së trashë, i gjirit dhe i prostatës. Gjithashtu vitamina D është në studim kërkimor edhe si faktor mbrojtës kundër diabetit tip 1 dhe 2, sklerozës së shumëfishtë, depresionit, sëmundjeve kardiovaskulare,sëmundjeve alergjike dhe infeksioneve.

A ka ndonjë të dhënë zyrtare për numrin e personave te prekur nga ulja e Vitaminës D?

Mungesa e vitaminës D është më e shpeshta krahasuar me mungesat e vitaminave të tjera në trup. Në vendet evropiane vlerësohet rreth 40 % e popullatës adulte të kenë pamjaftueshmëri të vitaminës D. Në Shqipëri nuk kemi akoma të dhëna zyrtare,por nga praktika ime ne Spitalin Hygeia mund te them se dhe Shqipëria po përballet me të njëjtin problem.

Cilat janë shkaqet e mungesës së Vitaminës D në trup?

Tek fëmijët e vegjël shkak kryesor është ushqyerja ekskluzivisht me qumësht gjiri dhe mosekspozimi në diell. Qumështi i gjirit ka nivele shumë të ulëta të kësaj vitamine ( 25-70 UI/L) . Mbyllja e fëmijëve në kopshte dhe qendra kursesh pa u ekspozuar në ambiente të hapura me diell është një shkak tjetër I uljes së vitaminës D te fëmijet. Për të rriturit shkaku kryesor është mungesa e ekspozimit në diell. Rrezatimi UV-B që është burimi kryesor i Vitaminës D ndikohet nga disa faktorë . Ndër to mund të përmend stinën e vitit (në dimër ka me pak rreze UV-B në krahasim me verën), ora ditore (paradite ka më shumë rreze UV-B) ,prania e reve në qiell (retë reduktojnë rreth 50% rrezatimin UV-B), niveli i smogut (ndotja e ajrit e ul deri në 60 % ) dhe prania e melaninës në lëkurë. Rrezatimi UV-B nuk e depërton xhamin prandaj qëndrimi në ambjente të mbyllura dhe qarkullimi me makina na rrezikon për nivele të ulëta të vitaminës D. Masat parandaluese që marrim cdo ditë ndaj kancerit te lëkurës me kremrat mbrojtës ( SPF > 10) janë një tjetër pengesë për prodhimin e vitaminës D nga lëkura. Duhet theksuar se njerëzit nuk e aplikojnë si duhet kremin mbrojtës ( disa herë në ditë,në të gjitha sipërfaqet e zbuluara) prandaj lëkura megjithëse me krem mbrojtës arrin të sintetizojë vitaminën D.

Cilat janë shenjat e mungesës së vitaminës D?

Tek fëmijët mungesa e saj manifestohet si vonesë në ngritjen në këmbë (shumica e fëmijeve ecin në moshën 10-15 muajsh) . Fëmijët me ulje të vitaminës D preferojne më shumë të rrinë ulur sesa të ecin.Ata kanë një harkim karakteristik të kockave të këmbëve dhe vonesë të mbylljes së fontanelave në kokë. Të rriturit si rezultat i mungesës së vitaminës D kane ngërce muskulare të vazhdueshme dhe dhimbje. Kocka e kërcirit bëhet e dhimbshme kur krijojme presion mbi të. Por shenjat jane prezente vetëm ne raste të avancuara. Përgjithësisht nuk ka asnje shenje trupore prandaj është e rëndësishme që personat e rrezikuar ta masin vitaminën D në gjak.

Cilët janë të rrezikuar nga mungesa e Vitaminës D?

Në radhë të parë janë dy ekstremet e moshave, fëmijët që ushqehen vetëm me gji dhe të moshuarit. Fëmijët për arsye që u diskutuan më sipër kurse të moshuarit sepse lëkura e tyre i nënshtrohet ndryshimeve të plakjes dhe nuk sintetizon mjaftueshëm vitaminë D . Për shkak të sëmundjeve kronike të lidhura me moshën të moshuarit kalojnë më shumë kohë brenda se sa jashtë. Një tjetër kategori e rrezikuar janë dhe personat që nuk ekspozohen në diell, të paktën dy herë në javë për 5-30 minuta . Këtu mund të përmend femrat që rrinë të mbuluara për shkaqe fetare dhe personat që kanë punën në ambiente të mbyllura. Njerëzit me ngjyrë në krahasim me të bardhët preken më shpesh nga mungesa e vitaminës D për shkak të pranisë së lartë të melaninës në lëkurë,e cila e absorbon rrezatimin UV-B duke penguar sintezën e saj. Të rrezikuar janë dhe personat e sëmurë me fibrozë cistike, sëmundje kronike të mëlcisë dhe veshkave, sëmundje inflamatore të zorrës si p.sh.: Sëmundja Crohn, Koliti ulceroz dhe Celiakia. Personat obezë janë një tjetër kategori e prekur. Kjo sepse indi dhjamor nën lëkurë pengon futjen e vitaminës D në qarkullim. Shumë njerëz i nënshtrohen sot by-pass-it të stomakut për t’u dobësuar, pa ditur se ky operacion mund të bëhet shkak i uljes së vitaminës D. Në këta individë një pjesë e zorrës së hollë ku thithet vitamina nuk është më pjesë aktive e traktit tretës. Personat me alergji nga qumështi apo intolerance nga laktoza, vegjetarianët dhe veganët janë gjithashtu të rrezikuar .Disa medikamente si kortizoni dhe barnat kundër epilepsisë ndikojnë në metabolizmin e vitaminës D. Të gjitha kategoritë e përmendur më sipër duhet ta masin nivelin e saj në gjak.

Si mund ta matim Vitaminën D?

Kjo realizohet shumë thjesht nëpërmjet një analize gjaku ku kërkohet 25 OH Vitamina D. Në spitalin Hygeia kjo analizë ofrohet dhe i ftoj të gjithë të bëjnë një matje të saj. Interpretimi i rezultatit dhe mjekimi nëse do të jetë i nevojshëm bëhet nga mjeku reumatolog i spitalit Hygeia.

Cilat janë nivelet optimale të Vitaminës D në gjak?

Niveli minimal optimal i Vitaminës D në organizëm duhet të jetë 20 ng/mL. Nëse është më pak se 10 ng/dL kemi të bëjmë me mungesë të vitaminës D. Në rast se vitamina D është mbi 60 ng/dL mund të japë efekte anësore nga tejkalimi i dozës.

Cilat janë rekomandimet tuaja për t’u mbrojtur nga mungesa e vitaminës D?

Në radhë të parë do ftoja grupet në rrezik për ta matur nivelin e vitaminës D. Kjo është mënyra më e mirë për ta ditur nëse kemi mungesë apo jo. Për fëmijët me qumësht gjiri doza e rekomanduar është 400 UI /ditë deri në momentin që pinë qumësht formule të fortifikuar me këtë vitaminë. Sipas Shoqatës Amerikane të Pediatrisë (AAP), kjo dozë duhet të merret çdo ditë deri në moshën e adoleshencës nëse nuk merret me qumësht të fortifikuar ose me ushqim. Mbi të gjitha mbrojtja më e mirë është ekspozimi në diell. Personat që nuk ekspozohen në diell të paktën dy herë në javë për 5- 30 min midis orëve 10 te paradites dhe 3 te pasdites duhet të marrin suplemente me vitaminë D. Kujdes! Ekspozimi për më shumë kohë në diell na rrezikon për kancerin e lëkurës . Një dietë e pasur me vitaminë D është faktori i dytë mbrojtës. Ushqimet e pasura me këtë vitaminë janë merluci, qumështi dhe drithërat e fortifikuar me vitaminë D, peshku ton, peshku shpatë dhe salmoni, lëngu i portokallit, sardelet,mëlçitë e vicit dhe kërpudhat./ Shendeti.com.al/